Dështimi i projektit ‘Kosova e re”, ‘Contour Global’ kërkon mbi 20 milionë nga qeveria Kurti

28 maj 2020 | 15:00

Kompania amerikane “Contour Global”,  më 17 mars kishte njoftuar se është tërhequr nga projekti i ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re”, që kushtonte 1.3 miliard euro.

Pas tërheqjes nga ky projekt, kjo kompani në emër të shpenzimeve ka kërkuar mbi 20 milionë euro dëmshpërblim nga qeveria e drejtuar nga Albin Kurti.

Lajmin e ka bërë me dije Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndëmarrësisë dhe Investimeve Strategjike (MEPTINIS), duke i’u përgjigjur interesimit të gazetarëve.

Në përgjigjen e saj, kjo ministri e ka quajtur të padrejtë shumën e kërkuar nga kompanie amerikane.

Përgjigja e plotë e MEPTINIS-it:

Përgjigje e Ministrisë në pyetje të gazetarëve rreth projektit të termocentralit “Kosova e Re”

MEPTINIS ka pranuar letrën e kompanisë “Contour Global” të 24 majit 2020. Jemi të befasuar dhe të zhgënjyer që “Contour Global” ka zgjedhur të njoftojë se synon shkëputjen e marrëveshjeve me Qeverinë dhe të parashtrojë kërkesën e pathemeltë dhe të padrejtë për kinse 20.053.125,63 euro shpenzime të zhvillimit të projektit.

Para se drejtuesit e “Contour Globalit” të përgatisin letrën, ministrja Hajdari i ka ftuar ata në një telekonferencë për të diskutuar çështjet e projektit të termocentralit “Kosova e Re”. Në vend të përgjigjes ndaj ftesës sonë, “Contour Global” ka dërguar letrën për të njoftuar se synon shkëputjen e kontratave dhe për të kërkuar pagesën.

Letra është vazhdimësi e përbuzjes që Contour Global ka shfaqur ndaj detyrimeve të veta kontraktore. Më 10 mars, Qeveria ka rithemeluar komitetin drejtues të projektit “Energjia nga Linjiti”, që përfshin termocentralin Kosova e Re. Më 12 mars, ministrja Hajdari ka njoftuar përfaqësuesit e “Contour Globalit” se kërkon diskutime të mëtejshme rreth projektit, në veçanti rreth parakushteve që palët duhej të përmbushnin. Kurse më 17 mars, “Contour Global” ka njoftuar publikisht tërheqjen e njëanshme nga projekti, duke hedhur poshtë detyrimet kontraktore, duke fajësuar pa bazë Qeverinë dhe duke shprehur spekulime të pabaza mbi çështje politike, në dëm të Republikës së Kosovës.

Si ministre përgjegjëse për energjinë dhe kryesuese e komitetit drejtues të projektit, ministrja Hajdari ka trajtuar çështjet me kujdes dhe ka bashkërenduar veprimet me komitetin që nga rithemelimi i tij. Ministrja tashmë ka njoftuar anëtarët e komitetit për letrën e 24 majit dhe ka thirrur mbledhjen e radhës për të shqyrtuar rastin. Znj. Hajdari është angazhuar gjithashtu për t’i siguruar komitetit mbështetjen e nevojshme për vendimmarrjen e duhur. Mbështetja do të përfshijë këshillat juridike nga një ekip i përgatitur dhe i dëshmuar.

Komiteti drejtues i projektit merr vendime në emër të Qeverisë. Si në çdo rast, Qeveria Kurti do të veprojë në përputhje të plotë me ligjin dhe interesin publik, duke u angazhuar për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve të Republikës së Kosovës. (L.G/ Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka miratuar sot me shumicën…