Dështon formimi i komisioneve parlamentare

13 shkurt 2020 | 13:49

Ka dështuar votimi për formimin e 14 komisioneve parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

Kjo pasi votimi nuk ishte i vlefshëm për shkak të mungesës së kuorumit, gjë që bëri që kryeparlamentarja Vjosa Osmani ta thërrasë mbledhjen e Kryesisë për në orën 13:00 për të diskutuar rreth kësaj çështje.

Seanca e parë e rregullt e Kuvendit të Kosovës u zhvillua midis kritikave që vinin nga opozita për Kryesinë e Kuvendit.

Shefi i grupit parlamentar AAK-PSD, Daut Haraidnaj, ka shprehur paqartësinë e tij lidhur me ndarjen e komisioneve dhe anëtarët e tyre.

“Në draft propozim nuk e di se si e keni trajtuar Listën Serbe dhe 6 +? E keni trajtuar si pozitë apo opozitë?”.

“Ndarja proporcionale në komisione nuk është e saktë me numrin e deputetëve shumicë në opozitë, me PDK-në, AAK-në dhe Nisma”, ka thënë ai.

Haradinaj theksoi se ndryshimet eventuale për Komisionet Parlamentare duhet të bëhen me 2/3 e votave të Kuvendit, përndryshe ka shkelje të Rregullores së Kuvendit.

Kryeparlamentarja Osmani ia ka kujtuar Haradinajt se propozimi për 14 Komisione Parlamentare ishte votuar unanimisht në Kryesinë e Kuvendit, mbledhje të cilën e kishte bojkotuar PDK-ja.

“Meqë numri i komisioneve zvogëlohet, kjo nënkupton që duhet të ndryshohet Rregullorja e Kuvendit. Rrjedhimisht do të kërkohet me votim me 2/3 në Kuvend. Kryesia e Kuvendit thjeshtë ka propozuar që të zvogëlohet numri  i komisioneve parlamentare”, ka thënë Osmani.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka pohuar se kryetarët dhe anëtarët e komisioneve parlamentareve ndahen proporcionalisht me fuqinë politike në Kuvend.

Propozimi për formimin e 14 komisioneve parlamentare  është mbështetur nga LV-ja, për te cilin ka folur  shefi i grupit parlamentar, Rexhep Selimi.

Bedri Hamza nga partia më e madhe opozitare, PDK-ja, ka drejtuar kritika ndaj Kryesisë së Kuvendit se kanë marrë ftesat me vonesë për mbledhje të kryesisë si dhe për mbajtjen e seancës konstituive.

Ai ia ka përmendur pushtetit edhe Listën Serbe.

“Me Listën Serbe keni thënë se nuk keni marrëveshja por po del që keni marrëveshje. Votat e tyre kanë qenë përcaktuese për zgjedhjen tuaj”, ka thënë Hamza, duke iu referuar Osmanit.

Lidhur me këtë është  deklaruar edhe Albulena Balaj Halimaj nga Nimsa, e cila ka thënë se nuk ka pranuar fare ftesë për seancën konstituive.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti,  ka emëruar sot…