Dhoma e Tregtisë dhe zëvendësministri i Drejtësisë diskutojnë për sfidat e bizneseve

29 prill 2024 | 12:32

Problemet e bizneseve me procedurat e përmbarimit, numri i ulët i gjykatësve si dhe vonesat në trajtim të rasteve në Gjykatën Komerciale ishin disa nga çështjet e diskutuara në takimin e realizuar ndërmjet përfaqësuesve të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë me zëvendësministrin e Drejtësisë, Blerim Sallahu.

Zana Beqiri, drejtoresh e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka falënderuar zëvendësministrin Sallahu për takimin dhe ka bërë me dije se një ndër ankesat është ajo e mosfunksionimit të përmbaruesve si rrjedhojë e mundësisë së ankesës në gjykatë nga ana e bizneseve, ani pse ekziston si dëshmi kontrata dhe fatura e rregullt e nënshkruar nga po ata.

Ndërsa sipas Mazllum Baraliu, konsulent në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, vlerë e shtuar për DHTIK-në është komuniteti i bizneseve që përfaqëson. Prandaj sipas tij, është mëse e nevojshme që të përfshihet në grupet punuese për Projektligjin për Përmbarim, ashtu që në draftin final të merren në konsideratë dhe të përfshihen edhe komentet e bizneseve vendore.

Ai tutje shtoi se Dhoma e Tregtisë që në fazën e hartimit të Ligjit për Gjykatën Komerciale ka rekomanduar që duhet të parashihet numër më i madh i gjykatësve, mungesa e të cilëve sot po ndikon që lëndët e kësaj gjykate të kenë dinamikë të ulët të trajtimit.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka theksuar se bashkëpunimi me komunitetin e bizneseve është i domosdoshëm, sepse vetëm në këtë mënyrë do të sigurohet që draftet finale të ligjeve të jenë gjithë përfshirëse.

Sipas zëvendësministrit Sallahu, Ministria e Drejtësisë është duke trajtuar këto çështje, me theks të veçantë problemin e përmbaruesve, ndërsa për rastet e shumta dhe të pa trajtuara në Gjykatën Komerciale dhe shtoi që aktualisht është duke u finalizuar Ligji për Gjykatën Administrative e që në mënyrë direkte do të ndikojë në uljen e rasteve të Gjykatës Komerciale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga një skuadër kampionë në një ekip mediokër. Duket sikur…