Dialogu Kosovë – Serbi nuk solli rezultatet e pritura
Kosova dhe Serbia kanë bërë dhjetë vjet që kanë nisur dialogun në Bruksel për ta lehtësuar jetën e qytetarëve të të dy vendeve, por që ende nuk kanë arritur te marrëveshja përfundimtare gjithëpërfshirëse.
Monitoruesit e këtij procesi kanë dhënë vlerësime të ndryshme. Ata kanë deklaruar për gazetën “Epoka e re” se gjatë kësaj dekade të bisedimeve Kosova ka shënuar të arritura, por ka bërë edhe kompromise.
Arbër Fetahu, hulumtues në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, ka deklaruar për gazetën “Epoka e re” se sukseset e këtij dialogu janë larg pritjeve fillestare. “Do të ishte nihiliste të zhvleftësohej gjithçka çfarë është arritur në këtë dekadë dialog por, shikuar edhe nga prizmi realist, sukseset janë të vakëta dhe larg pritjeve fillestare. Një nga të arriturat kryesore ka qenë mundësia për diskutimin e temave të ndryshme teknike e që kanë ndikim direkt në jetën e qytetarëve të Kosovës dhe atyre serbë. Një sërë marrëveshjesh teknike, si ajo për lëvizjen e lirë, për vulat doganore në mes dy shtetesh, e të tjera, të cilat në shumë raste kishin mangësi në implementim, por për aq sa u zbatuan, kishin një ndikim pozitiv te qytetarët, të paktën sa për ta parë që dialogu ka sens”, deklaruar Fetahu.
Sipas tij, deri më tani ky proces nuk ka arritur suksesin e dëshiruar. “Sidoqoftë, në një vështrim të përgjithshëm kjo dekadë është karakterizuar me mosimplementim të marrëveshjeve, me tërheqje nga tavolina e dialogut, me bllokada të ndryshme, me rikthim të temave të përfunduara, që në tërësi më shumë ka pasur dështime se arritje. Varësisht me çfarë kuti e masim suksesin, por duke i parë rezultatet në terren, dhe pozicionet shpeshherë armiqësore, dhe më kryesorja normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve është ende larg, atëherë mund të konkludojmë se suksesi i dëshiruar nuk është arritur”, është shprehur ai.
Edhe Violeta Haxholli, hulumtuese në KDI, ka deklaruar për “Epokën e re” se ky proces i ka sjellë Kosovës disa përfitime. “Kur reflektojmë mbi këtë dhjetëvjeçar të dialogut shohim se ky proces i ka sjellë disa përfitime Kosovës, por për të arritur ato Kosova ka bërë edhe shumë kompromise. Disa nga përfitimet janë arritja e marrjes së kodit shtetëror +383 me marrëveshjen e telekomit, pavarësimi energjetik i Kosovës nga Serbia me marrëveshjen e energjisë, konsolidimi i pikave kufitare me anë të marrëveshjes së IBM-it, njohja nga Izraeli me marrëveshjen e Uashingtonit etj”, ka deklaruar Haxholli, duke përmendur edhe kompromiset që Kosova ka bërë në këtë proces. “Ndërsa disa nga kompromiset që ka bërë Kosova janë fusnota në vend të Republikës, krijimi i divizionit të apelit me marrëveshjen e drejtësisë duke cenuar kështu sistemin unitar të drejtësisë, si dhe zotimi për të themeluar një asociacion të komunave me shumicë serbe, i cili, me marrëveshjet e 19 prillit dhe 25 gushtit, shkon përtej Kushtetutës së vendit. Po ashtu, pavarësisht prej kompromiseve që ka bërë Kosova, Serbia ende nuk ka ndryshuar qasjen e saj sa i përket statusit të pavarur të Kosovës dhe ende nuk ka një marrëveshje finale me anë të së cilës Serbia e njeh Kosovën dhe e cila përmbyll suksesshëm këtë proces të gjatë dialogu”, ka vlerësuar Haxholli.
Ndërsa ish-ministrja e Dialogut, Edita Tahiri, ka thënë se procesi ka sjellë rezultate për Kosovën, sidomos për integrimin e pjesës veriore. “Duke qenë kryenegociatore e Kosovës gjatë shtatë vjetësh në dialogun e Brukselit, edhe një herë dua të bëj me dije se dialogu i Brukselit ka qenë në rrugën e drejtë dhe ka sjellë rezultate për Kosovën sidomos në integrimin e pjesës veriore në sistemin shtetëror të Kosovës duke hequr nga tavolina idetë serbomëdha për ndarjen e Kosovës dhe, po ashtu, ka hapur rrugën zyrtare të integrimit evropian të Kosovës dhe anëtarësime të shumta në organizata rajonale dhe ndërkombëtare”, ka vlerësuar Tahiri.
Sipas saj, procesi u bllokua nga agjenda gjeopolitike e “Serbisë së madhe”. “Mirëpo, kur dialogu i Brukselit po i afrohej fazës përfundimtare, Serbia e bllokoi këtë proces me arsye gjeopolitike për krijimin e ‘Serbisë së madhe’. Veprimet destruktive të Serbisë, me ngritjen e një ‘muri ilegal’ në pjesën veriore të Mitrovicës në dhjetor të vitit 2016 dhe nisjen e një treni ‘ilegal e provokues’ në janar të vitit 2017, nuk ishin provokime të rastësishme. Përkundrazi, këto veprime të rrezikshme paralajmëronin fundin e dialogut për fqinjësi mes shtetesh që zhvillohej në Bruksel dhe krijimin e hapësirës për ide të rrezikshme për ndryshim të kufijve dhe ndarjen e Kosovës që tashmë kishin nisur nëpër takime sekrete”, ka thënë ajo.
Qeveria e re pritet ta ndryshojë qasjen ndaj dialogut
Njohësit e procesit të dialogut Kosovë – Serbi kanë folur edhe për vazhdimin e këtij procesi. Violeta Haxholli nga KDI-ja ka thënë se pret që qeveria e re ta ndryshojë qasjen në këtë proces. “Po me qeverinë e re pritet një ndryshim sa i përket qasjes ndaj dialogut. Ekzekutivi i ri ka paralajmëruar rivlerësim të procesit dhe marrëveshjeve të dialogut. Po ashtu, kryeministri në ardhje ka deklaruar se dialogu nuk është një nga prioritetet kryesore. Në këtë drejtim ne si KDI mendojmë se dialogu duhet të trajtohet me seriozitet, sepse qeveria ka mandat kushtetues që të merret edhe me politikën e brendshme dhe atë të jashtme dhe këto të dyja nuk duhet të jenë zëvendësim për njëra-tjetrën. Pra, nga qeveria e re dhe kryeministri i ri pritet t’i trajtojë të dyja këto domene me prioritet”, ka vlerësuar Haxholli.
Ajo ka bërë me dije se qeveria e re duhet t’i shfrytëzojë rrethanat e favorshme ndërkombëtare për këtë proces. “Po ashtu, rrethanat ndërkombëtare aktualisht janë të favorshme për Kosovën, sidomos duke pasur në administratën amerikane një president si z. Joe Biden i cili ka deklaruar vetë se ka raporte speciale me Kosovën. Prandaj shteti i Kosovës duhet të përfitojë nga këto rrethana që t’i shtyjë përpara kërkesat e saj ndaj Serbisë dhe dialogut duke pasur parasysh që ka ende shumë çështje që nuk janë adresuar nga ana e Serbisë si kërkimfalja, të pagjeturit, dëmet e luftës, moszbatimi i shumë marrëveshjeve të dialogut etj. Pra, në vend se të ketë rezistencë ndaj dialogut, duhet të ketë lobim te partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht tek administrata amerikane mbi kërkesat e Kosovës ndaj Serbisë”, ka deklaruar Haxholli, duke shtuar se një artikulim i mirë i kërkesave dhe një strategji e mirë lobimi është ajo që duhet të bëjë pala e Kosovës në këtë proces.
Kurse Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka thënë se pret një qasje proaktive të qeverisë në këtë proces. “Është mirë të pritet konstituimi i institucioneve për të parë qartë se si do të vazhdohet dialogu me Serbinë, apo më mirë thënë si do të jetë qasja në këtë proces, për arsye që të mos paragjykojmë pozicione apo veprime që do të mbajë qeveria e re. Sidoqoftë, në aspektin se si duhet të jetë qasja në dialog nga kjo qeveri, atëherë unë pres një qasje proaktive, jo defansive, që nënkupton propozim temash, kërkesa për zbatim marrëveshjesh nga Serbia, dhe ngulmim për një rezultat final me njohje të ndërsjellë”, ka vlerësuar ai.
Sipas tij, qeveria e re duhet të përpilojë një platformë të qartë dialoguese me parime dhe qëndrime të mirëfillta. “Kjo qeveri e ka të gjithë legjitimitetin dhe fuqinë politike e që, ndoshta qeveritë, e tjera nuk e kanë pasur që ta shtyjë përpara këtë proces me qasje serioze. Unë pres që të përpilohet një platformë e qartë dialoguese me parime dhe qëndrime të mirëfillta, e konsultuar edhe me partitë e tjera parlamentare, që pozicioni i Kosovës të jetë i fortë. Gjithashtu, do të ishte e dëshirueshme një kërkesë për një angazhim edhe më të drejtpërdrejtë të ShBA-së karshi BE-së në këtë proces, dhe Kosova ta luajë rolin përbashkues e jo të shërbejë si përçarëse për këto dy superfuqi”, ka thënë Fetahu.
Kosova dhe Serbia nisën një proces të dialogut më 9 mars të vitit 2011. Në këtë periudhë dhjetëvjeçare u zhvilluan dhjetëra takime dhe u nënshkruan shumë marrëveshje, por ky proces ende nuk prodhoi një marrëveshje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Procesi i dialogut Kosovë – Serbi kishte nisur me bisedimet për çështje teknike, ndërkaq në vitin 2012 kishte evoluuar në bisedime politike, për të kaluar më pas në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, me përfaqësim të nivelit të lartë politik ndërmjet kryeministrave dhe presidentëve të të dyja vendeve.
Muhemet KOCI