Ditë e suksesshme për skitarët e Kosovës në Kollashin
Një ditë e mbarë dhe me shumë suksese për Përfaqësuesen e Kosovës në skitari, e cila po merr pjesë në garat që po mbahen në Kollashin të Malit të Zi, disiplina e sllallomit dhe sllallomit të madh.
Në garën e së mërkurës në sllallom të madh, Kiana Kryeziu u bë femra e parë që përmbush një nga pesë kriteret e nevojshme për normë olimpike për Lojërat Olimpike Dimërore “Pekini 2022”. Për ta fituar normën për “Pekin 2022”, Kianës i duhen edhe katër rezultate të tilla në sllallom të madh, deri më 16 janar 2022.
Një garë tjetër e ka edhe nesër (e mërkurë), pikërisht në Kollashin. Në këtë konkurrencë Arba Pupovci doli e dhjeta. Kryeziu zuri vendin e katërt nga 17 garuese, duke mbledhur 148.61 pikë të Federatës Ndërkombëtare të Skitarisë (FIS). Koha e saj ishte 2 minuta e 02.00 sekonda. Sukses arriti edhe Arbi Pupovci, i cili kompletoi kriteret për normën olimpike edhe në sllallom të madh. Ai zuri vendin e nëntë nga 33 garues, konkurrenca e meshkujve, duke mbledhur 114.08 pikë të FIS-it. Koha e tij ishte 1 minutë, 54.84 sekonda. Arbi normën e ka edhe në disiplinën e sllallomit.
Drin Kokaj përmbushi kriterin e parë për normë olimpike edhe në sllallom të madh, duke mbledhur 148.80 pikë. Ai doli i 12-ti me kohë 1:58.64.
Përzgjedhësi i Kosovës, Agim Pupovci, deklaroi për KOK-un se rezultatet e sotme janë fryt i përgatitjeve dhe punës intensive të bërë gjatë vitit 2021 me garuesit, për çka pret që edhe nesër (e enjte), në garën e fundit për këtë vit, të përsëritet ky sukses. Gara për normën olimpike “Pekini 2022” mbyllet më 16 janar 2022.



