DnV-ja: E pakuptimtë që në rrethanat aktuale të insistohet në mbajtjen e zgjedhjeve në veri

07 dhjetor 2022 | 18:34

Që nga shpallja e datës së zgjedhjeve në katër komunat veriore nga presidentja e vendit, si rezultat i dorëheqjeve të kryetarëve të komunave në veri të Kosovës, procesi i organizimit të këtyre zgjedhjeve është përcjellë me probleme të shumta. Kështu ka vlerësuar Demokracia për Veprim.

“Procesi është përcjellë nga bojkotim i garës zgjedhore nga kandidatët e komunitetit serb, që në fakt përbën shumicën absolute të popullsisë në këto komuna. Dorëheqjet e zyrtarëve përkatës zgjedhor të këtyre komunave e kanë vështirësuar organizimin adekuat të këtyre zgjedhjeve. Ndërsa, rastet e djeshme të incidenteve dhe dhunës në atë pjesë kanë pamundësuar vazhdimin e përgatitjeve për administrimin e procesit zgjedhor”, ka theksuar DnV-ja.

DnV rikujton që ndër parimet kryesore të zgjedhjeve është ‘votimi i lirë’.

“Zhvillimi i të gjitha procedurave nën forca të shumta të sigurisë, si dhe nën kërcënim direkt të jetës së zyrtarëve zgjedhor, por edhe qytetarëve dhe kandidatëve, bie ndesh me këtë parim. Kësisoj, është e qartë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka pothuajse të pamundur që të realizojë operacionet përkatëse zgjedhore për mbajtjen e rregullt dhe normale të këtyre zgjedhjeve. Madje, KQZ-ja e ka pasur të pamundur që një gjë të tillë t’a bëjë edhe me asistencën e Policisë. Bazuar në këtë situatë, është vështirë e besueshme që do të mund të garantohet siguri në këto komuna për qindra persona të angazhuar si staf zgjedhor në ditën e zgjedhjeve, si dhe mijëra qytetarë me të drejtë vote. Për më tepër, probleme mund të ketë edhe me hapjen e vet qendrave të votimit”, ka theksuar DnV-ja.

Në rrethanat aktuale të mungesës së sigurisë për stafin zgjedhor, mungesën e kandidatëve të komunitetit serb në garë, si dhe gjasave të pakta për pjesëmarrje të qytetarëve në zgjedhje, DnV kërkon nga presidentja e vendit që të iniciojë konsultimet me akterët relevantë për të shtyrë zgjedhjet në katër komunat veriore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Maqedoninë e Veriut prej janarit deri në tetor të…