DOKTRINAT E MËDHA MORALE

07 maj 2018 | 12:34

HUBERT GRENIER

Hubert Grenier (1929-1997) ka qenë profesor i filozofisë në Louis-le-Grand dhe filozof francez. Vepra më e njohur e tij është Doktrinat e mëdha morale.

DOKTRINAT E MËDHA MORALE

 Platoni

Platonizmi rëndom përkufizohet si filozofia e ideve. Në mënyrë më thelbësore u desh filozofia e shpirtit, pa të cilin nuk do të kishte filozofi. Filozofia tek Platoni merr kuptim vetëm në raport me shpirtin, sikurse shpirti, nga ana e tij, bëhet i prekshëm vetëm në raportin e tij me filozofinë. Shpirti e shfaq veten, fillon të frymojë në ekzistencën e vet vetëm duke filozofuar. Është filozofi ajo çka i flet shpirtit dhe flet për shpirtin. Ç’është shpirti, sipas Platonit? Një i mërguar në këtë botë. Që në zanafillë ai e kishte atdheun e tij tek ata që kuptoheshin në mes tyre, u shkëput prej atij vendi, dhe ra në një trup. Aty ndodhet i robëruar, në shumicën e rasteve, me një kujtesë të humbur e duke mos kujtuar asgjë ç’ka qenë më parë dhe duke e shpërfillur faktin e të qenit një shpirt. Atëherë ai bëhet mediokritet psikosomatik që e quajmë njeri, i zënë me çështjet e tij prej njeriu, të vëna në përdorim për gjëra meskine, në rivalitete të fëlliqura. Platoni nuk ushqen asnjë dhembshuri kundrejt njeriut, këtij shpirti i cili nuk është më një i tillë dhe në mënyrë skandaloze vetëkënaqet teksa bën një jetë njerëzore. Aristoteli do t’i hedhë bazat e një antropologjie. Ai do të trajtojë në mënyrë shkencore natyrën e njeriut. Platoni nuk jep ndonjë gjë në zhanrin antropologjik, por nuk do të vonojë t’i japë të drejtë asaj çfarë nuk duhej të ekzistonte.

Njeriu nuk e përbën qëllimin e filozofisë, për faktin se ai nuk do të ishte në gjendje ta ndërtonte arsyen e ekzistencës së tij. Njeriu, i vetëkënaqur me statusin “njeri”, e përbuz filozofinë, e kjo e fundit e përçmon atë. Théétèt-i[1] veçon, vë në kundërshti, si relevant i dy llojeve pa atribute të përbashkëta, njeriun i cili nuk është veçse njeri dhe filozofin i cili refuzon këtë rënie. Ky i fundit gjithashtu di si të sillet aq keq në mjedisin e krijesave të çuditshme që e rrethojnë. Që të gjithë do ta përqeshin këtë farë krijese. Kjo pasi ai nuk e luan lojën me rregullat e tyre.

Është e vetëkuptueshme që shpirti, duke mos qenë diçka i projektuar me dorë, s’mund të jetë tjetër veçse një problematikë e vazhdueshme. Është vërtet një mit, domethënë një qenie e cila nuk ka qenësi veçse në diskurs dhe prej diskursit. Siç themi, e kam një shpirt vetëm me kusht që të flas për të dhe të shqetësohem për të. Si të vëmë re diçka që duket qartë, shpirtin, i cili është aq i paqartë tek pothuajse të gjithë njerëzit! Sokrati te Grogias, ia shpjegon këtë Kalikté-së. Kalikté ndryshon në të ardhmen. Ai hallakatet shumë në këtë temë, aq sa shpërbëhet fare, i dëbuar pa pushim nga dëshirat në dëshira. Për Kalikté-në gjithçka kalon, asgjë nuk ka rëndësi. Por Sokrati e paralajmëron se është diçka e cila, përmes asaj që kalon, mbetet aty. Kjo është ajo çka ai bën për veten. “Ajo që bëj në tërësi zhduket, ajo që bëj për veten mbetet. Unë do të jem gjithmonë ajo çka unë kam bërë për veten. Ç’është ai që mbart e lë gjurmët? Shpirti im. Këto shenja do të jepen në mënyrë të pashlyeshme. Për përjetësinë – vdekja këtu nuk ndryshon asgjë -, unë do të isha ky shpirt, i bukur apo i shëmtuar. Për këtë arsye duhet kujdesur për cilësinë e shpirtit, të mos e poshtërojmë duke kryer një padrejtësi dhe, nëse fatkeqësisht e bëjmë diçka të tillë, duhet të pastrojmë këtë fëlliqësi duke pranuar të vuajmë”.

Askush nuk e mendon pra shpirtin e tij pa menduar përjetësinë e tij. Nëse kjo përjetësi nuk është veçse një iluzion, Kaliklé-a ka të drejtë të vazhdojë të jetojë ashtu siç jeton, por ja që Kaliklé-a nuk mund të ketë të drejtë. Kësisoj përjetësia e shpirtit i imponohet filozofisë sikurse vetë principi i saj. Një princip, ai vendoset, çka do të thotë se ai duhet. Nëse do të qe e mundur të shfaqim, sipas një teoreme, këtë përjetësi, ajo do të pushonte së qeni diçka tek e cila filozofi duhet të besojë, ajo së cilës ne do t’i besonim vetëm po të ishim filozofë, nëse do ta kishim zgjedhur “rrezikun grishës”. Gjithashtu, nga fundi i Fedon (Fhédon), në mbarim të vargut të argumenteve të tij shumë të rregullta, Sokrati, për ta zbutur entuziazmin e miqve, i paralajmëron se gjithë këto dëshmi në të mirë dhe në formën e duhur nuk kanë arritur veçse diçka kanonike (de likanon), të përshtatshme, të mjaftueshme, të besueshme, por jo diçka absolutisht të sigurt. Te Platoni, e vetmja dëshmi vërtet e pakontestueshme e ekzistencës së shpirtit, dhe kështu të jomoralitetit të tij, është, në këtë botë ku e gjithë kundërshtimi i mërzisë, bashkohen për ta përçmuar ekzistencën e filozofit, e njeriut që realizon pamundësinë njerëzore: të menduarit për shpirtin e tij.

Askush nuk do të depërtojë te Platoni nëse nuk do ta marrë seriozisht paralajmërimin e tij që përcakton se duhet filozofuar me gjithë shpirt. Për sofistin, këtë filozof armik të filozofisë, Platoni tregon se ai e ka shpirtin e vogël, të prekshëm, të lig. Ai e ekspozon me sqimë këtë shëmti tmerruese: një inteligjencë e pashpirt. Vetëm shpirti arrin ta perceptojë realitetin e gjërave sepse nën vështrimin e tij ato ndriçohen deri në shkëlqim të plotë. Platoni nuk pati ndërmend të ndërtonte një shkencë në kuptimin pozitiv që ne jemi mësuar t’i japim këtij termi. Jules Lagneau (Zhyl Lanjo) në artikullin e tij Mbi metafizikën, mbledhur në Të shquarat mësime dhe fragmente, e ka analizuar në mënyrë të shkëlqyer: “Ajo çka gjërat janë, ose më mirë ajo çka ato duket se janë në zhvillimin e tyre të jashtëm, është çështje që duhet t’ua kërkojmë fizikanëve. Platoni nuk shqetësohet për këtë pjesë. Ai e përbuz këtë shkencë ku njeriu nuk mëson atë që atij i intereson, marrëdhënien e qenieve ose, më saktë, të ideve, me veten, me principin e tij, të mirën. Sepse gjërat kanë dy lloje të ekzistencës, njëra e ndjeshme, domethënë e errët (e pakuptueshme), opake, e padepërtueshme, mbi të cilën mendimi nuk ka ndikim, tjetra e kuptueshme, që nuk konsiston në atë që ato janë, por në atë që vlejnë, domethënë ajo çka ato janë për njeriun. Ja përse platonizmi nuk është as fizikë, ‘një studim elementar i gjërave të konsideruara në vetvete’, as një metafizikë, e parë si një lidhje e këtyre gjërave me disa principe po aq objektive sa ato, ‘por saktësisht një dialektikë, domethënë një psikologji dhe moral, një studim analitik i gjërave tek njeriu, i njohurisë që ky i fundit merr, ekzistencën që bën, në përputhje me vetë natyrën e tij’”. Prandaj, ajo çka komentuesit tregojnë me shprehjen e botës së ideve nuk duhet të bëhet me imagjinatë në ultra-botë, në botë superiore, nuk është një botë tjetër, është gjithmonë po kjo botë, por e parë ndryshe, e parë më në fund me shpirt, në dritën e ideve të së mirës.

Por drita tregon vetëm atë që është e dukshme dhe e mira është se ka disa të vërteta. Gjithashtu, platonizmi i shmanget çdo moralizmi, në atë çka moralja aty shpërndahet gjithkund dhe nuk bëhet e dukshme askund. Ai për të nuk është rubrikë speciale, dialog i veçantë. Gorgias nuk i ngjason më një manuali të moralit sa Kritika e arsyes së kulluar një manuali specifik të fizikës. Sidoqoftë, shtigjet nëpër të cilët Platoni pikë se pari na bën të kalojmë në të përpjetën metafizike, do ta marrin me vështirësi miratimin e moralistëve të fushës. Qoftë edhe “dialektika e dashurisë” e veprës Banketi. Ajo konstaton faktin se po ecën tashmë në rrugën e shpëtimit të tij njeriu i cili nuk mjaftohet të dojë një trup të vetëm të bukur, por i dëshiron të gjithë në morinë e tyre të pafund. I pabesi, i shthururi që nuk përmbush përqafimin e asnjë trupi, meqenëse pashmangshmërisht do të zbulojë me të mirë nga ai që e mendonte si më të mirin, vuan nga një lloj zhgënjimi i vazhdueshëm për të përgatitur shpëtimin e tij për sa kohë që e mediton. Duke përçmuar disa bukuri të ndjeshme, ai mund të vendosë të hedhë gjetkë, në një shkallë më të lart, një dëshirë deri në atë çast e frustruar. Kjo dëshirë ishte e mirë. Çdo dëshirë është e mirë në vrull e sipër. Një shpirt i larguar nga vendi i tij i lindjes, në një gjendje mungese, nuk mund të bëjë gjë tjetër veçse të dëshirojë. Njeriu që kërkon ekstazën në zotërimin fizik nuk dorëzohet përpara asgjëje absolutisht të qortueshme. Ai vetëm se gabohet mbi atë çka është vërtet e dëshirueshme, pra nuk mund të gjejë atë që kërkon, nuk ia gjen volinë, nuk është i zoti, por edhe fajtor nuk është. Nuk do ta fajësojmë pra, por do të përpiqemi ta mësojmë në mënyrë që të kthehet në rrugën e drejtë, në rrugën filozofike në fund të së cilës bashkimi soditës ndaj së kuptueshmes i siguron shpirtit kënaqësinë e përjetësisë që ai më kot e priste nga bashkimi mishtor (i mishit).

Sokrati tregonte se asgjë nuk është e keqe me vullnet të plotë, me dëshirën e saj të plotë, duke ditur se çdo dëshirë nuk është shkaktuar veçse nga një e mirë dhe se njeriu që bën veprën e keqe gjithashtu kishte parasysh dhe të mirën. Fatkeqësisht, ai e ka lënë veten të zaptohet nga një e mirë e gabuar, nga një e mirë mashtruese. Nëse me ligësi nënkuptohet injoranca, për këtë arsye virtyti është shkencë. Por nëse virtyti është shkencë, kjo është ngaqë shkenca është virtyt. Urtësia e konceptuar nga Platoni nuk nxirret nga një njohuri. Ajo nuk rezulton nga zbatimi i saj. Ajo përzihet me të. Kur e zotërojmë këtë njohuri, nuk na duhet më ndihma e një morali që të shprehet me anë të urdhrave, ndalesave dhe sanksioneve të jashtme. Ky trajnim nuk është i përshtatshëm veçse për të paditurit. Kush sodit (duke medituar) bëhet ajo çka ai sodit, ai shkrihet në të. Kësisoj, përsosmëria e elementeve të kuptueshëm shpërhapet në shpirtin që është dashamirës ndaj jetës së vërtetë, jetës teorike, jetës filozofike.

Nga fillimi deri në fund platonizmi nuk mund të zhvillohet ndryshe veçse si doktrinë e dijes. Të dish, ja cili është caktimi i një shpirti, i një inteligjence. E bllokuar në të ndjeshmen e errët, kjo inteligjencë shuhet. Ajo do të shndritë vetëm kur të ketë kontakt me idetë. I përkiste gjenisë së Platonit, në një terren ku nuk nxisnin veçse intelektualizma të përthara, të ujiste me gëzim të zjarrtë ushtrimin e pastër të intelektit. Tek asnjë mendimtar tjetër nuk do të shfaqet ky lloj vrulli në një gradë të tillë, kjo forcë që rrëmben dhe i çon peshë shpirtrat njerëzorë. Është oratori, është Protagora që ka gjithmonë në gojë fjalën e virtytit dhe mburret që është profesor. Protagora u mëson të tjerëve një virtyt të cilit nuk i beson; Platoni, meqë di mirë se ç’është virtyti, di gjithashtu se ai është i pamësueshëm, me fjalë të tjera morali nuk vendoset me anë të procesit të moralizimit. Po ashtu, nuk duhet as një profesor morali, madje as profesori i një filozofie, por një filozof që krijon filozofë.

Ekziston, e këtë të mos e kalojmë në heshtje, në të kundërt një tjetër Platon, një tjetër drejtim i platonizmit, i ekspozuar në Republika dhe Ligjet. Nën konvertimin filozofik që u bie për pjesë vetëm disa shpirtrave, aty është mbarështruar zgjidhja e thjeshtë njerëzore, e shëndetshme nëse nuk është shpëtimtare (ose e dobishme), zgjidhja politike nga e cila njerëzit, integral me qytetin, formohen në racionalitetin e ligjeve të tij dhe marrin disa zakone. Platoni i urdhëron filozofit ta shkëpusë pjesën më të madhe të një aktiviteti, që ai do ta kishte dëshiruar, të gjithë të koncentruar mbi teorinë, në mënyrë që t’ia kushtojë drejtimit të Shtetit, duke vënë në shërbim të masës së bashkëqytetarëve të tij dijen ndaj së cilës ata nuk kanë qasje të drejtpërdrejtë.

 

(Nënkapitull i shkëputur nga vepra “Doktrinat e mëdha morale” të autorit Hubert Grenier, në proces përkthimi për shtëpinë botuese “Logos-A”, përkthyer nga Verjon Fasho. Ky nënkapitull, me lejen e botuesit e të përkthyesit, është botuar në revistën “Akademia” dhe në gazetën “Epoka e re”)

[1] Le Théétète është një dialog i Platonit mbi shkencën dhe përkufizimin e saj. Ky dialog është i pari i një serie prej tre ose katër dialogësh (Sofisti, Politika, Filozofi) (shën. i përk.).

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, në bashkëpunim…