DOKUMENT| Publikohet raporti i FMN-së për rritjen ekonomike, demantohet keq Qeveria Kurti

12 janar 2022 | 20:40

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka publikuar raportin e fundit për Kosovën, rreth rritjes ekonomike për vitin 2021. Prodhimi i Brendshëm Bruto, një ndër treguesit më të mirë për matjen e rritjes ekonomike, gjatë vitit 2021 u rrit për 7.5 për qind, ani pse Qeveria e Kosovës parashikoi një shifër më të lartë se kjo, raporton Demokracia.com.

 

Në artikullin IV të raportit të FMN-së nuk përmenden vende të reja të punës, por theksohet se një prej kontribuuesve më të mëdhenj në rritjen ekonomike mbeten remitancat e dërguara nga diaspora.

“Zvarritja e Kosovës në ekonomi u kompensua më shumë nga remitanca të jashtëzakonshme nga diaspora dhe rritja e qëndrueshme e kredive neto për sektorin privat”, thuhet në këtë raport të FMN-së, përcjell Demokracia.com.

Një gjë tjetër që përmendet në këtë raport, i cili ia vlen të theksohet, është se inflacioni në vitin 2021 parashikohet të jetë rritur më shumë se 5 për qind, për shkak të çmimit të energjisë dhe të ushqimeve.

Sa i përket rritjes ekonomike prej 7.5 për qind, Qeveria e Kosovës kishte parashikuar që ajo të jetë më e madhe. Ministri i Financave, Hekuran Murati, muaj më parë kishte thënë se e kanë projektuar një rritje prej 7.9 për qind.

Ai nuk ishte ndalur me kaq, pasi që kishte thënë se duhet të bëhet një projeksion i ri, ngaqë të dhënat sipas tij tregonin se rritja ekonomike mund të jetë vendosur në “terren dyshifror”.

Pavarësisht pretendimeve të qeveritarëve se ka pasur vende të reja të punës, një gjë e tillë nuk theksohet në raportin e FMN-së, raporton Demokracia.com.

Vetë Murati kishte thënë se janë regjistruar mbi 20 mijë vende të reja të punës, ndërsa kryeministri Kurti kishte deklaruar se janë hapur 10 mijë vende të reja të punës.

Por, Demokracia.com në këtë raport ka vërejtur se sipas Administratës Tatimore, në gjashtë muajt e parë të vitit 2021 janë deklaruar 2 mijë e 762 punëtorë të rinj. Në vitin 2020, ku pandemia ishte në kulmin e saj, u deklaruan 2 mijë e 272. Ndërsa, në vitin 2019 pati 2 mijë e 880 punëtorë të rinj të deklaruar.

FMN në raportin e publikuar përmend se pasiguria rreth rritjes ekonomike për vitin 2022 vazhdon të jetë e lartë.

Rritja e PBB-së pritet të normalizohet këtë vit, por varianti i ri i Covid-19 është një rikujtues që tregon se pandemia është e pranishme dhe se rreziku qëndron ende.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Reali Madridit e ka nisur në mënyrën më të mirë…