Dokumenti i deklasifikuar i vitit 1998 | Bob Dole i kishte bërë thirrje presidentit Clinton të veproj në Kosovë

12 maj 2023 | 23:30

Njëri nga njerëzit më kontributdhënës për çështjen e Kosovës, ishte padyshim senatori tashmë i ndjerë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, republikani Bob Dole.

Ai ishte kundërkandidat i presidentit Bill Clinton në zgjedhjet e vitit 1996.

Një pjesë e dokumenteve sekrete dhe konfidenciale të viteve 1998/99, janë deklasifikuar dhe janë publikuar në faqen zyrtare të familjes Clinton.

Demokracia sjell letrën e senatorit Bob Dole, të datës 9 qershor të vitit 1998 të cilën ia kishte dërguar presidentit Clinton. Në këtë letër e cila ishte shtruar në formë të kërkesës, ai i bënte thirrje Clintonit të veprojnë tash ose më vonë do të përballen me pasoja vdekjeprurëse në Kosovë. Bob Dole e dëshmon edhe në këtë dokument se ishte shumë këmbëngulës dhe në favor të zgjidhjes së çështjes së Kosovës.

Ja letra e plotë:

I nderuar Z. President,

Unë po ju shkruaj për dhunën në rritje të shpejtë në Kosovë. Nuk duhet të ketë dyshim se lufta atje tashmë ka filluar. Prandaj, besoj se duhet të ndërmerren veprime të menjëhershme dhe të vendosura për ta ndaluar atë. Më lejoni të them se jam i inkurajuar nga raportet gjatë fundjavës se administrata juaj po e kthen qasjen e mëparshme dhe po shqyrton opsionet e reja për t’i dhënë fund kësaj krize. E mirëpres vendimin e djeshëm të anëtarëve të Bashkimit Evropian për ndalimin e investimeve në Serbi.

Megjithatë, unë jam i shqetësuar se këto hapa nuk janë të mjaftueshëm për të parandaluar një “Bosnjë” tjetër, siç tregoi përvoja jonë me agresionin kundër Bosnjës, Sllobodan Millosheviq i përgjigjet vetëm kërcënimit të besueshëm dhe përdorimit të forcës. Mësimi i dytë që duhet të kishim mësuar është se sa më gjatë të presim për të ndërmarrë veprime, aq më shumë përpjekje duhet të bëjmë. Ne mund të veprojmë tani, ose të përballemi me pasojat vdekjeprurëse, shumë më të rënda më vonë.

Duke pasur parasysh këto mësime, ju bëj thirrje, zoti President, të udhëhiqni aleatët tanë në marrjen e masave të mëposhtme për:

1. Zgjerimin e sanksioneve të vendosura ndaj Serbisë dhe vendosjen e një embargoje ekonomike gjithëpërfshirëse, duke përfshirë ndalimin e eksportit të karburantit në Serbi.

2. Krijimi i një zone ndalim-fluturimi të NATO-s mbi Kosovë, e cila nëse shkelet do të përballet me një ndëshkim të shpejtë dhe vendimtar ushtarak.

3. Të vendoset baza tani për sulmet ajrore të NATO-s kundër caqeve serbe.

4. T’i jepet një ultimatum Sllobodan Millosheviqit që nëse nuk i ndal sulmet ndaj Kosovës dhe nuk pranon të marrë pjesë në bisedimet e ndërmjetësuara ndërkombëtarisht, NATO do të kryejë sulme ajrore kundër instalimeve ushtarake në Serbi.

Sipas mendimit tim, për t’iu përgjigjur krizës në rritje të refugjatëve kosovarë, Shtetet e Bashkuara duhet gjithashtu të ofrojnë mbështetje logjistike dhe materiale për përpjekjet e ndihmës humanitare. Shpresoj se Amerika do të bëjë gjithçka që mundet për të lehtësuar vuajtjet e kosovarëve, dhjetëra mijëra të cilët janë dëbuar me forcë nga shtëpitë e tyre ose kanë ikur nga frika.

Së fundi, unë do t’i bëj thirrje Kongresit të marrë një pamje afatgjatë të situatës, të pranojë se pasojat e lënies së kësaj lufte të përshkallëzohet më tej janë shumë të mëdha për t’u injoruar dhe t’ju mbështesë në marrjen e këtyre masave urgjente. Fjalët e liderit të mazhorancës Lott në mbështetje të veprimeve të forta për të ndalur këtë konflikt janë një hap i rëndësishëm në këtë drejtim. Ju lutem më njoftoni nëse mund të ndihmoj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mallorca e Vedat Muriqit ka triumfuar në ndeshjen e sotme…