Donjeta Sadiku shpërblehet me 14 mijë euro pas suksesit në botërorin e boksit

23 maj 2022 | 11:59

Donjeta Sadiku është shpërblyer me 14 mijë euro nga MKRS-ja për suksesin e arritur në Kampionatin Botëror të Boksit ku e fitoi medaljen e bronztë, derisa trajnerja Mariola Sallauka është shpërblyer me 7 000 euro. Ministri Hajrulla Çeku e vlerësoi lart suksesin e boksieres nga Gollaku, derisa vetë Donjeta Sadiku ka premtuar se Kosovës do t’i sjellë edhe medalje nga Lojërat Olimpike.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) vazhdon t’i shpërblejë sportistët e suksesshëm në garat ndërkombëtare. Të hënën boksierja Donjeta Sadiku është shpërblyer me 14 mijë euro nga MKRS-ja për suksesin e arritur në Kampionatin Botëror të Boksit për femra që është mbajtur në Turqi, derisa trajnerja e Donjetës, Mariola Sallauka, është shpërblyer me 7 000 euro. Donjeta e ka fituar medaljen e bronztë në këtë kampionat dhe ishte historike për boksin e Kosovës, pasi ishte e para që prej pavarësimit të sportit të Kosovës.

Ministri Hajrulla Çeku ka vlerësuar suksesin e Sadikut si një arritje të madhe jo vetëm për sportin e boksit, por për të gjithë Kosovën. “Është një moment historik për vendin tonë dhe për sportin, veçanërisht për boksin. Vajzat e Kosovës po na bëjnë që në të mburremi në të gjithë botën që flamuri i Kosovës të ngrihet në organizimet më të rëndësishme ndërkombëtare kështu që faleminderit për të gjithë punën që e ke bërë, për përkushtimin që e ke pasur dhe të urojë suksese edhe më të mëdha në të ardhmen”, ka thënë ministri Çeku.

Për suksesin e arritur ka folur edhe boksierja që e rrëmbej medaljen e bronztë. Më këtë rast ajo bëri me dije se synon t’i sjellë Kosovës dhe medalje nga Lojërat Olimpike “Parisi 2024”. “Po shpresoj që kjo nuk do të jetë medalja e vetme. Tani kam filluar me medalje, por besoj shumë për medalje të tjera. Qëllimi im kryesor është cikli olimpik ‘Paris 2024’, por besoj shumë që do të kualifikohem dhe të sjellë medalje olimpike ashtu sikur siç ka edhe xhudo”, ka thënë Sadiku.

Ndërsa kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, uroi që sukseset e Sadikut të kulmojnë edhe me medaljen olimpike. “Donjetën e kemi edhe bursiste olimpike për Paris 2024, andaj besojmë që me punë, përkushtim, por edhe fat dhe shëndet ajo do të na bëjë krenar edhe në Lojërat Olimpike 2024”, ka thënë Krasniqi.

Suksesin e Donjeta Sadikut e vlerësoi lart edhe kryetari i FBOXK-së, Enver Krasniqi, duke thënë se tradita e boksit po kthehet dhe se presin edhe medalje të tjera. Donjeta Sadiku, për ta fituar medaljen e bronztë, mposhti tri kundërshtare dhe më pas u ndal në gjysmëfinale nga boksierja amerikane Shakiyla Ellis.

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
AC Milan e ka fituar titullin e kampionit pas plotë…