Dorëheqja e prokurorëve serbë, Kryeprokurori i Shtetit vizitoi Prokurorinë Themelore në Mitrovicë

10 nëntor 2022 | 13:58

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, i shoqëruar nga anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Armend Zenelaj, u.d drejtori i Sekretariatit të KPK-së, Valdrin Krasniqi dhe zyrtarë tjerë ka vizituar Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, pas situatës së krijuar me ofrimin e dorëheqjeve të prokurorëve dhe stafit administrativ nga komuniteti serb.

Kryeprokurori Kelmendi u njoftua për së afërmi nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Ismet Ujkani, për veprimet e ndërmarra nga ai, gjendjen e krijuar, sfidat dhe nevojat e kësaj prokurorie në përballimin dhe tejkalimin e vështirësive që janë paraqitur pas situatës së fundit, ku së bashku diskutuan gjetjen e modaliteteve për vazhdimin dhe menaxhimin sa më të mirë të punës, veçmas të trajtimit të lëndëve me natyrë urgjente.

Më këtë rast, u.d. Kryeprokurori i Shtetit, shqyrtoi të gjitha mundësitë për mbështetjen dhe ofrimin e ndihmës për këtë prokurori në bazë të kompetencave të tij, duke përfshirë edhe transferimin e jashtëzakonshëm të prokurorëve nga prokuroritë e tjera për mbarëvajtjen sa më efikase të punës në funksion të sundimit të ligjit.

Ndërsa, përfaqësuesit e Këshillit Prokurorial të Kosovës, u zotuan se do të ndërmarrin të gjitha masat për sigurimin e kushteve të nevojshme me qëllim që Prokuroria Themelore në Mitrovicë të funksionoj sa më mirë dhe të mos krijohet asnjë zbrazëti në procesin e punës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njëmbëdhjetë doganierë serbë kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre…