Dostat e linjës Prishtinë – Beograd po shantazhojnë qeverinë Kurti

05 prill 2020 | 10:31

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, ka thënë se dostat e linjës Prishtinë – Beograd po bashkërëndohen për të improvizuar tensione në komunat veriore të vendit për ta provokuar e shantazhuar Qeverinë e Kosovës.

Shkrimi i tij:

Ka indikacione se dostat e linjës Prishtinë – Beograd po bashkërëndohen për të improvizuar tensione në komunat veriore të vendit me qëllim që të provokojnë dhe shantazhojnë Qeverinë më legjitime e më të përkushtuar që e ka pasur Kosova ndonjëherë.

Të nderuar qytetarë, askush nuk duhet të shqetësohet nga këto lojëra e makinacione të grupeve të politikës së vjetër të Kosovës, që së fundmi janë shndërruar në një formacion të vetëm politik. Ky formacion, me Hashim Thaçin në krye, janë të tmerruar nga mbështetja plebishitare që populli po i jep Qeverisë së drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti, andaj po bëjnë çdo gjë që është në dorën e tyre, për ta njollosur e devijuar kursin e saj për luftimin e hajnisë e fuqizimin e Republikës tonë me mirëqeverisje e vënie të rregullit, rendit e ligjit. Askush nuk i beson më kastës që e prevenoi për shumë kohë zhvillimin e shpejtë politik, ekonomik e social të Republikës tonë.

Raportime të rrejshme e të pabazuara po sponsorizohen në përpjekje për ta vënë në vështirësi Qeverinë dhe z. Kurti.

Pas këtyre raportimeve, ka reaguar edhe Federata Europiane e Gazetarëve, e cila dënoi këtë qasje të dëmshme të disa mediave si RTK duke u bërë thirrje të përmbahen nga këto politika të shkaktimit të tensioneve etnike.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i EFJ Ricardo Gutiérrez ka deklaruar: “Duket qartë se disa politikanë, duke filluar nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, po përdorin krizën e koronavirusit për të ndezur tensione politike dhe sociale në interesin e tyre. Ne u bëjmë thirrje gazetarëve që të mos e luajnë lojën e tyre dhe të veprojnë në interes të publikut.

Qytetarë të nderuar, rrini të qetë, rrini nëpër shtëpitë tuaja dhe mos bini pre e gënjeshtrave djallëzore e qëllimkëqija që mund t’u servohen këto ditë nga kastat e kaluara politike të kollapsuara. Qeveria dhe institucionet e vendit do t’ju informojnë për çdo zhvillim që ndodhë, por jo për gënjeshtra që sajohen nga formacioni i ribashkuar në seancën e kaluar e i mbështetur nga Vuçiçi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kompanitë amerikane shitën maska ​​mbrojtëse në vlerë 17,5 milionë dollarë,…