Drejtori i Bayernit i zbulon prapaskenat: Reali na telefonoi dy herë për Olisen
Real Madridi ishte përfshirë në spekulimet për transferimin e Michael Olises gjatë verës, ndërsa tashmë drejtori sportiv i Bayern Munichut, Max Eberl, ka zbuluar një prapaskenë interesante rreth kësaj çështjeje.
Eberl ka konfirmuar se klubi madrilen e kishte kontaktuar dy herë Bayern Munichun, por jo për të negociuar transferimin e yllit francez.
“Real Madridi telefonoi dy herë për të na siguruar se nuk kishte asnjë kontakt dhe se nuk ka as tani”, ka deklaruar drejtuesi bavarez gjatë një takimi me tifozët.
Në atë periudhë, mediat kanë spekuluar shumë për një kalim të mundshëm të Olises në Madrid, aq sa Real Madridi ka publikuar edhe një komunikatë zyrtare, duke mohuar çdo kontakt me futbollistin apo përfaqësuesit e tij.
Bayern Munichu, ndërkohë, dëshiron ta mbajë francezin për një kohë të gjatë.
Olise ka kontratë deri në vitin 2029, por drejtuesit gjermanë synojnë t’ia zgjasin atë, për ta larguar interesimin e klubeve të tjera të mëdha evropiane.



