Drita – Ballkani, derbi për pozitën e parë

15 shtator 2021 | 10:39

Drita dhe Ballkani synojnë fitore në derbin që zhvillohet në Gjilan. Cilado skuadër që merr pikët e plota do të renditet në pozitën e parë. Sot nga ora 16:00 zhvillohen edhe dy ndeshje të tjera. Përballen Llapi – Malisheva, Feronikeli-Dukagjini.

Drita dhe Ballkani janë dy skuadrat që në tri xhirot e para të BKT Superligë kanë regjistruar nga dy fitore dhe një barazim, derisa sot (e mërkurë) do të përballen në Gjilan për ta rrëmbyer pozitën e parë, njëkohësisht për të dëshmuar kualitetin që kanë.

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, një ditë para ndeshjes me Ballkanin ka thënë se do të jetë ndeshje e fortë, por synojnë ta marrin maksimumin e pikëve.

“Do të përballemi me një skuadër që këto dy vjet të fundit kemi zhvilluar përballje të mira dhe të forta për shkak të cilësisë individuale dhe aspektit ekipor. Nuk diskutohet se do të jetë një ndeshje e taktizuar nga ne trajnerët. E kemi analizuar kundërshtarin në rreziqet që mund t’i kemi në aspektin individual dhe atë ekipor dhe si skuadër gjatë kësaj periudhe dyditore kemi punuar maksimalisht për ndeshjen e nesërme”, ka thënë Nuhiu.

“Ne si Dritë gjithmonë e kërkojmë maksimumin. Ne po shohim një kampionat të vështirë pasi edhe kundërshtarët tanë po arrijnë fitore me mjaft vështirësi. Ne hyjmë në çdo ndeshje për pikët maksimale”, ka shtuar Nuhiu.

Po ashtu, ai ka thënë se javët e para të këtij edicioni po tregojnë se diferenca mes skuadrave është e vogël dhe se një gjë e tillë u dëshmua edhe me fitoren e vështirë të Dritës në përballje me Malishevën. Ndërsa mesfushori i skuadrës së Ballkanit, Kushtrim Gashi, ka thënë se gjilanasit kanë një skuadër mjaft cilësore, por Ballkani synon fitoren. “Drita e ka një fond të madh të lojtarëve, por ne shkojmë për fitore në Gjilan”, ka thënë shkurt Gashi.

Sot (e mërkurë) zhvillohen edhe dy ndeshje të tjera me fillim nga ora 16:00. Llapi e pret Malishevën, kurse Dukagjini i shkon Feronikelit në Drenas. Dy ndeshjet e tjera të javës së katërt zhvillohen nesër (e enjte).

SUPERLIGA – Java 4

Të mërkurën takohen:
16:00 Drita – Ballkani
16:00 Llapi – Malisheva
16:00 Feronikeli – Dukagjini

Të enjten takohen:
16:00 Prishtina – Gjilani
16:00 Ulpiana – Drenica

Tabela

1. Ballkani      7 pikë
2. Drenica       7
3. Drita            7
4. Gjilani         5
5. Malisheva  4
6. Feronikeli  3
7. Dukagjini   2
8. Llapi           2
9. Prishtina    1
10. Ulpiana     1

 

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar aktakuzën ndaj deputetit…