Drita nis përgatitjet, Namani dhe Simonovski vazhdojnë kontratat

08 qershor 2022 | 17:32

Skuadra nënkampione e Kosovës në futboll, Drita e Gjilanit, do të marrë pjesë në garat evropiane. Ky klub ka njoftuar të mërkurën se ka filluar stërvitjet në mënyrë që të përgatitet sa më mirë për pjesëmarrjen në këto gara, por edhe për edicionin e ri futbollistik në Kosovë. Risit në klubin gjilanas nuk kanë munguar, pasi janë përforcuar me futbollistë cilësorë si Besnik Krasniqi dhe Blend Baftiu, derisa kanë rinovuar kontratat edhe me disa prej lojtarëve kryesorë, përfshirë Hamdi Namanin dhe sulmuesin Marko Simonovski.

Mesfushori i dalluar në futbollin e Kosovës, Hamdi Namani, ka vendosur t’i mbetet besnik skuadrës gjilanase edhe për dy edicionet e ardhshme. “Klubi ynë FC Drita dhe Hamdi Namani-Lumi kanë vazhduar bashkëpunimin edhe për dy vjet të tjera. Namani është pjesë e klubit tonë tani e tri vjet. Deri më tani ka zhvilluar 103 ndeshje zyrtare në tri kompeticione dhe ka shënuar 18 gola. FC Drita i dëshiron suksese Namanit në rrugëtimin tonë”, thuhet në njoftimin e Dritës.

Interesim për mesfushorin është raportuar të kenë shfaqur ish-skuadra e tij, Llapi dhe Prishtina. Ndryshe nga Namani, sulmuesi Simonovski e ka rinovuar kontratën vetëm për një vit. “FC Drita dhe sulmuesi ynë, Marko Simonovski, kanë arritur marrëveshje për ta vazhduar bashkëpunimin edhe për një vit. Simonovski ka shënuar 18 gola në tri kompeticionet me klubin tonë në edicionin që lamë pas. Marko Simonvski bëhet kështu sulmuesi më i suksesshëm në dekadën e fundit te FC Drita, ku brenda një edicioni arrin të shënojë 18 gola”, thuhet në njoftimin e nënkampionëve të Kosovës.

Drita pati një edicion të mirë, por në fund nuk arriti të fitojë trofe, pasi titullin e rrëmbeu skuadra e Ballkanit, derisa në finale të Kupës është mposhtur nga Llapi.

 

/Veton ZYMBERI/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të…