Duhet të zëvendësohen orët e humbura gjatë grevës

05 prill 13:48

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim, Ismajl Kurteshi, ka thënë se, pavarësisht së drejtës ligjore, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, e Shkencës dhe e Kulturës (SBAShK) duhet të marrë vendim në të mirë të nxënëseve.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se duhet të zëvendësohen orët e humbura gjatë grevës trejavëshe.

“Si komision, por edhe si Vetëvendosje kemi përkrahur ngritjen e koeficientit si dhe zëvendësimin e orëve të humbura. SBAShK-u ka të drejtë sepse, bazuar në Ligjin për Greva, mësimdhënësit nuk janë të obliguar t’i zëvendësojnë orët. Megjithatë, kemi kërkuar nga sindikata që, pavarësisht se ka të drejtë ligjore, të punojë për interesa të fëmijëve dhe t’i zëvendësojë orët. Presim nga sindikata ta rishikojë vendimin pas plotësimit të kërkesave dhe t’i zëvendësojë orët. Përndryshe, do të ndodhë që nxënësit në Republikën e Kosovës këtë vit shkollor ta kenë të mangët”, ka deklaruar Kurteshi.

Ai ka thënë se nxënësit kanë mbetur pengë të mosmarrëveshjeve në mes të MAShT-it dhe SBAShK-ut dhe, sipas Kurteshit, këto mosmarrëveshje janë më tepër çështje inatesh.

“Janë fëmijët ata që mua personalisht më bëjnë t’i lus SBAShK-un dhe MAShT-in që të merren vesh. Pres që te palët të mbizotërojë arsyeja, t’i harrojnë inatet dhe të marrin vendim në interes të fëmijëve. MAShT-i ka gabimet e veta në këtë drejtim, madje ka humbur edhe autoritetin sepse vendimi nuk është bazuar në ligj. SBAShK-u është në rregull sa i përket aspektit ligjor, por vendimi duhet të jetë në interes të fëmijëve”, është shprehur Kurteshi.

Për gjendjen e krijuar Kurteshi ka thënë se fajin kryesor e kanë qeveria dhe Ministria e Arsimit dhe, sipas tij, do të duhej të jepnin dorëheqje ministri dhe kryeministri. Madje Kurteshi ka thënë se edhe SBAShK-u nuk ka qenë konsistent në qëndrime dhe, sipas tij, kjo gjë nuk është në rregull.

“Epoka e re”: Z. Kurteshi, në takimin e përbashkët të Komisionit për Arsim me përfaqësuesit e MAShT-it dhe SBAShKtë -ut ka pasur përafrim të qëndrimeve sa i përket çështjes së kompensimit të orëve të humbura gjatë grevës.
Kurteshi: Në takimin e përbashkët me ministrin Bytyqi, përfaqësuesit e  SBAShK-ut dhe të Këshillit të Prindërve, kemi kërkuar të arrihet një marrëveshje. SBAShK-u ka ardhur me dy kërkesa. Kërkesa e parë ka qenë për tërheqjen e vendimit të ministrit dhe ministri Bytyqi e ka tërhequr vendimin. Kërkesa e dytë ka qenë që Kuvendi ta fillojë procedurën e plotësimndryshimit të Ligjit për Paga në të cilin do të barazohet koeficienti i mësuesve prej klasës së parë deri në klasën e pestë me mësuesit e ciklit më të lartë. Kërkesën e dytë si komision publikisht kemi premtuar se do ta plotësojmë. Pra, do t’i nisim procedurat për ta bërë plotësim-ndryshimin e Ligjit për Paga. Kërkesat e sindikatës janë plotësuar, prandaj kemi kërkuar nga përfaqësuesit e SBAShK-ut që ta informojnë Këshillin Drejtues që është organ vendimmarrës, se kërkesat do të plotësohen dhe janë krijuar kushtet që sindikata, ashtu siç ka premtuar, do t’i zëvendësojë orët. Mirëpo përfaqësuesja e sindikatës ka thënë se duan ta shohim vendimin e Kuvendit për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Paga, por një gjë e tillë është e pamundur të ndodhë brenda një jave sepse ka procedura dhe ndryshimet nuk mund të bëhen me një urdhër të prerë. Si komision, por edhe si Vetëvendosje kemi përkrahur ngritjen e koeficientit si dhe zëvendësimin e orëve të humbura. SBAShK-u ka të drejtë sepse, bazuar në Ligjin për Greva, mësimdhënësit nuk janë të obliguar t’i zëvendësojnë orët. Megjithatë, kemi kërkuar nga sindikata që, pavarësisht se ka të drejtë ligjore, të punojë për interesa të fëmijëve dhe t’i zëvendësojë orët. Presim nga sindikata ta rishikojë vendimin pas plotësimit të kërkesave dhe t’i zëvendësojë orët. Përndryshe, do të ndodhë që nxënësit në Republikën e Kosovës këtë vit shkollor do ta kenë të mangët.

“Epoka e re”: Si e shihni zgjidhjen e këtij problemi dhe kush ka të drejtë, SBAShK-u apo MAShT-i?
Kurteshi: MAShT-i së bashku me qeverinë janë fajtorë për krejt këtë që ka ndodhur. Tri ditë para grevës u kam shkruar ministrit dhe kryetarit të sindikatës që të merren vesh, sepse humbësit do të jenë fëmijët. Për këtë fajin e bartin Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Arsimit sepse koeficientin e mësimdhënësve e kanë lënë si çështje të fundit dhe për këtë janë marrë vesh dy orë para seancës. Fajtor për krejt këtë është qeveria dhe dikush duhet të japë llogari, sepse edhe po të zëvendësohen orët nuk do të ketë efekt siç do të kishte po të mbahej mësimi i rregullt. Për këtë rast do të duhej të jepnin dorëheqje ministri i Arsimit dhe kryeministri.

“Epoka e re”: Nevojitet angazhim i kryeministrit për këtë çështje?
Kurteshi: Kryeministri Haradinaj më mirë do të ishte sikur të angazhohej që të mos ndodhte greva fare. Edhe tash do të ishte mirë që të angazhohet dhe, nëse ka mundësi, të riparohet diçka nga ajo që është dëmtuar. Përherë unë nisem nga ndjenja e një mësuesi sepse në parim jam mësues, prandaj jam jashtëzakonisht i brengosur për humbjet që po u shkaktohen fëmijëve.

“Epoka e re”: Të qenit mësues po ndikon që ju t’ia mbani anën sindikatës dhe mësuesve dhe ta lini fajtore ministrinë dhe qeverinë?
Kurteshi: Jo. Mësuesit më së paku kanë faj sepse ata dhe nxënësit kanë mbetur pengë të mosmarrëveshjeve në mes të MAShT-it dhe SBAShK-ut. Mosmarrëveshjet në mes të këtyre dy palëve janë më tepër çështje inatesh. MAShT-i është inatosur që marrëveshja është nënshkruar me kryetarin e Kuvendit, gjë që nuk është dashur të ndodhë. Kurse SBAShK-u është inatosur që ministri ka marrë vendim për kompensimin e orëve. SBAShK-u njëherë deklaroi se, nëse ministri tërheq vendimin, orët mund të zëvendësohen, pastaj shtoi se orët zëvendësohen një javë nëse rregullohet çështja e koeficientit të mësuesve të ciklit klasor. Që do të thotë se kërkesat e sindikatës nuk janë parimore, por mësuesit nuk kanë aspak faj sepse ata e kanë sindikatën, një organizatë të cilën e kanë zgjedhur vetë, i besojnë dhe i respektojnë qëndrimet e saj. Kurse MAShT-i dhe qeveria kanë bërë shumë gabime në këtë fushë. Ata nuk janë marrë në radhë të parë me mësimdhënësit në Ligjin për Paga. Edhe pse të gjithë kanë thënë se arsimi është prioritet, kur të vijë puna për të ndërmarrë diçka konkrete, arsimin e lënë të parafundit ose të fundit. Fajin kryesor e ka qeveria sepse krejt ligji ka filluar gabim. Njëherë ia kanë rritur pagat vetes, prokurorëve, të tjerëve dhe në fund i kanë lënë mësimdhënësit, për të cilët kanë thënë se nuk po kanë mjete.

“Epoka e re”: Z. Kurteshi, drejtuesit e SBAShK-ut fillimisht thanë se duhet të pritet vendimi i gjykatës për zëvendësimin e orëve, kurse më pas dolën me kërkesë të re për plotësimndryshimin e Ligjit për Paga, përkatësisht për barazimin e koeficientit të mësimdhënësve të ciklit klasor me mësimdhënësit e ciklit më të lartë. Do të thotë, as sindikata nuk e ka mbajtur fjalën.
Kurteshi: Po, kjo i bie që sindikata ka luajtur me qëndrimet e veta. Njëherë kërkon tërheqjen e vendimit, pastaj kërkon plotësimndryshimin e ligjit. Njëherë thotë po shkelen të drejtat e fëmijëve, pastaj thotë nëse plotësohen këto kërkesa i zëvendësojmë orët e humbura. Do të thotë, SBAShK-u nuk ka qenë konsistente në qëndrime dhe kjo nuk është në rregull.

“Epoka e re”: Duke pasur parasysh këtë qasje si dhe inatet ndërmjet SBAShK-ut dhe MAShT-it, ka rrezik që të ketë zvarritje të zgjidhjes së këtij problemi?
Kurteshi: Po të mos ishte humbja që po u shkaktohet fëmijëve nuk do të isha marrë aspak me këtë punë sepse, tekefundit, nuk është puna jonë ndërmjetësimi MAShT-SBAShK. Janë fëmijët ata që mua personalisht më bëjnë t’i lus SBAShK-un dhe MAShT-in që të merren vesh. Pres që te palët të mbizotërojë arsyeja, t’i harrojnë inatet dhe të marrin vendim në interes të fëmijëve. MAShT-i ka gabimet e veta në këtë drejtim, madje ka humbur edhe autoritetin, sepse vendimi nuk është bazuar në ligj. SBAShK-u është në rregull sa i përket aspektit ligjor, por vendimi duhet të jetë në interes të fëmijëve.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Massimiliano Allegri u përfol verën që lamë pas, si një…