Dumoshi në Gjakovë: Jam e kënaqur me dinamikën e punimeve në stadium  

25 shtator 2020 | 17:20

Punimet për ndërtimin e stadiumit të Klubit të Futbollit Vëllaznimi nga Gjakova po vazhdojnë me një intensitet të madh.

Për t’i parë këto punime, në vizitë ishte ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, e cila, sipas zyrtarëve të klubit dhe atyre komunalë, është më meritorja për nisjen e këtyre punimeve. Në takimin që ka pasur me kryetarin e Gjakovës, Ardian Gjini, Dumoshi i garantoi përfundimin e këtij projekti.

“Vërtet vizita në Gjakovë pati një përmbajtje shumë interesante sepse investimi është duke u bërë i madh në stadiumin e Vëllaznimit, një gjeneratë e tërë pothuajse 100 vjet ekziston ky klub”, ka deklaruar Dumoshi. “Ne kemi filluar ta ndërtojmë këtë stadium dhe unë jam e kënaqur me dinamikën e punëve që i paskan bërë dhe tash do të vazhdojmë më tutje. Të hollat do të jenë në buxhet, kështu që këtë i garantoj kryetarit”, ka shtuar Dumoshi, e cila ka bërë me dije se ky stadium do të jetë i kategorisë së katërt të UEFA-s. Ndërsa i pari i Gjakovës, Ardian Gjini, pati fjalë të mëdha për Dumoshin. Ai ka thënë se me insistimin e saj ka filluar ndërtimi i stadiumit, raporton “EO”.

“Sot e kam kënaqësinë ta pres në Gjakovë ministren Dumoshi, e cila është jashtëzakonisht meritore   që kemi arritur deri në këtë fazë ndërtimin e stadiumit të futbollit në Gjakovë”, ka deklaruar kryetari Gjini. “Punimet janë duke vazhduar me një ritëm goxha të kënaqshëm dhe unë mendoj se Gjakova dhe kjo zonë e Dukagjinit e meriton një tempull të tillë të sportit. Nuk do t’i kishim filluar punimet nëse nuk do të kishit insistuar ju ministre”, ka shtuar Gjini.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
26.09.2020 Punime të domosdoshme për sigurinë e  sistemit Prishtinë 1.…