Dy synimet e Shillovës

11 shkurt 2019 | 15:48

Alban Shillova me Flamurtarin synim në këtë kampionat ka mbetjen në Superligë dhe triumfin në garën për golashënuesin më të mirë.

Sulmuesi Alban Shillova ka qenë një nga futbollistët më të mirë në sezonin vjeshtor në IPKO Superligën e Kosovës në futboll si dhe golashënuesi më i mirë me nënta gola të shënuara. Sulmuesi Shillova për “Epokën e re” ka zbuluar dy synime që i ka për pranverë me skuadrën e Flamurtarit nga Prishtina: mbijetesën dhe triumfin në garën për golashënuesin më të mirë në elitë. “Synimi im dhe i Klubit të Flamurtarit këtë vit dihet se është të jemi stabil dhe mos të rrezikojmë rënien nga Superliga, e cila nuk besoj se do të ndodhë, pasi ky klub ka lojtarë cilësorë. Synimi tjetër është që, krahas rezultateve pozitive të skuadrës, të shënoj sa më shumë gola e, pse jo, ta fitoj edhe çmimin e golashënuesit më të mirë në elitë”, ka thënë Shillova.

Sulmuesi ka folur edhe për përgatitjet që po i zhvillon skuadra kuqezi. Ai është shumë i kënaqur që kryesia e klubit ka arritur të dërgojë në përgatitje në dy vende të ndryshme, Shqipëri dhe Turqi. “Faza përgatitore po shkon shumë mirë. Klubi i Flamurtarit është bërë shumë serioz, duke na mundësuar që përgatitjet t’i zhvillojmë në dy shtete. Fazën e parë e kemi përfunduar me sukses në Durrës, kurse fazën e fundit të përgatitjeve jemi duke e mbajtur në Turqi. Normalisht se kushtet janë shumë të mira dhe shpresoj se do të kemi një fillim të mirë të kampionatit me rezultate pozitive”, ka deklaruar ai.

Alban Shillova, pavarësisht prej mungesës në disa ndeshje në sezonin vjeshtor për shkak të lëndimeve, ka arritur të shënojë nëntë gola, një më shumë se Festim Alidema i Llapit dhe dy më shumë se Betim Haxhimusa i Gjilanit. Nga tre gola më pak të shënuara se Shillova i kanë shënuar Kastriot Rexha i Feronikelit dhe Martin Mirevski i Trepçës ’89. Ndërsa skuadra e Flamurtarit sezonin vjeshtor e mbylli në pozitën e shtatë me 22 pikë të grumbulluar. Prej shtatëmbëdhjetë ndeshjeve të zhvilluara kjo skuadër regjistroi gjashtë fitore, katër barazime dhe shtatë humbje.

/Veton ZYMBERI/  

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tiemoue Bakayoko vazhdon të dhurojë paraqitje pozitive dhe drejtuesit e…