DYMBËDHJETË VJET SHTET

16 shkurt 2020 | 18:51

Shkruan: Vigan Qorrolli

I.

Keqkuptimi më i madh që i bëhet Kosovës në vitin e 12’të të pavarësimit të saj – në marrëdhëniet ndërkombëtare – është mungesa e sundimit të ligjit dhe niveli shqetësues i krimit dhe i korrupsionit. Kosova e ka problem themelor pavarësinë dhe integritetin e gjyqësorit, me një drejtësi skajshmërisht joefikase. Elitat politike nuk kanë qenë të afta t’u sigurojnë kushte dhe më pas t’u mundësojnë kushte dhe terren gjyqtarëve, në mënyrë që ata të prodhojnë drejtësi të besueshme.

E meta më e madhe në çdo raport dhe në çdo vlerësim ndërkombëtar, që i është bërë Kosovës, është joefikasiteti në sundimin e ligjit.

II.

Ky model i pasuksesshëm i sundimit të ligjit – i instaluar në Kosovë si “joint enterprise” prej kosovarëve dhe ndërkombëtarëve – është sekreti i “kontestimit” të Kosovës në rrafshin e sundimit të ligjit prej të gjithë kundërshtarëve të ekzistimit tone si shtet. Madje Komisioni Evropian në çdo progres-raport të tijin, sistemin tonë të drejtësisë e kualifikon si të “paaftë dhe të ndikuar nga politika”.

Pas këtij dështimi sistemik të këtij dymbëdhjetëvjetshi të parë të shtetit, përfundimisht ka ardhur koha të kuptohet se, krimi dhe korrupsioni nuk luftohen me mjete konvencionale, siç janë strategjitë e bukura të thurura në letër, konferencat e tryezat e rrumbullakëta apo edhe institucionet ekstra-legale të krijuara sa për makiazh. Por, korrupsioni dhe krimi luftohen ekskluzivisht përmes identifikimit, hetimit, ndjekjes dhe gjykimit të veprave penale të korrupsionit. Këtë duhet ta bëjnë vetëm Prokuroritë dhe Gjykatat. E para duke i ndjekur, e dyta duke i dënuar pamëshirshëm abuzuesit e parasë publike.

III.

Për t’u bërë realitet kjo gjë, duhet që politika të mos i fus duartë në prokurori dhe gjyqësor, me asnjë kusht. Kosovës i duhen heronjë, jo të rremë si politikanët, por aso të vërtetë – prokurorë dhe gjykatës me pavarësi dhe integritet të lartë profesional.

Ligjet aktuale që e lejojnë përfshirjen e policisë në hetime duhet të ndryshojnë, meqë policia është një institucion në varësi direkte të politikës. Aktualisht të gjitha hetimet bëhen nga policia dhe janë të rralla rastet ose inekzistente kur prokurorët marrin inicativë për t’i hetuar veprat e rënda kriminale. Policia është e kompromentuar skajshëm dhe nuk është e besueshme prej publikut që mund ta luftojë kriminalitetin.

Një reformë rrënjësore e të integritetshme për policinë, gjyqësorin dhe prokurorinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një tërmet me magnitudë 5,8 shkallësh ka goditur në afërsi…