E largët është dita kur e takuam për herë të parë Kadri Veselin

09 nëntor 18:21

Shkruan: Bedri Islami

Më shumë se sa njëzet e ca vite më parë, në njërin nga takimet në redaksinë e gaztës “Zëri i Kosovës” dhe, si zakonisht në shoqërinë e njëri tjetrit me Hashim Thaçin.
Ishte një kohë kur ata morën një emër të përbashkët “djemtë”, dhe kështu janë njohur që nga ato ditë dhe deri në mbarimin e luftës çlirimtare në Kosovë. I hajthëm, i gjatë, serioz dhe i heshtur më shumë se sa i fjalës, i menduar më shumë se sa ecurak, i sinqertë deri në skajin e qëndrimit, i qartë në atë çfarë donte, ai kishte në vete gjithnjë maturinë që e bënte më të pazakontë se të tjerët. Më vonë, nga miqtë e përbashkët, mësova se ai kishte sjellë në Lëvizjen Popullore të Kosovës, organizatës që ngriti dhe drejtoi UÇK-në, Hashim Thaçin, presidentin e tashëm të Kosovës dhe se, pavarësisht rrjedhave të rënda që kishin ndodhur në jetën e lëvizjes klandestine, miqësia e tyre ishte ruajtur dhe së bashku, jo një herë, kishin qenë të rrezikuar. Jo vetëm në ato ditë kur kalonin kufirin me logjistikën e domosdoshme që Adem Jashari e quante buka e UÇK-së, por edhe në momente të tjera, të cilat, shumë herë, kisha menduar se i takonin një kohe tjetër.

Më i kujdesshëm se të tjerët, më i qartë në pikëvështrimin e tij ndaj ngjarjeve, ai, për shumë kohë, megjithatë, mbeti një figurë enigmatike, e tërhequr, pak e njohur dhe e shfaqur në publik, por që, ndaj të cilit, të gjithë bashkëluftëtarët kishin besimin dhe ndjenjën e duhur të miqësisë. Shumë vite të jetës së tij do të ishin studim dhe ilegalitet, punë të vështira dhe shfaqje të pakta publike, për të ardhur deri në ditën kur, jo befas, lufta do të merrte përmasat e saj të duhura në Kosovë.

Marsi i vitit 1998 dukej i rëndë, i pashpresë dhe mizor, sidomos pas masakrave të para masive të ushtrisë dhe policisë serbe. Në pak ditë kishte pasur mbi 100 të vrarë, të cilët Beogradi zyrtar e jo zyrtar i quante terroristë dhe me të cilët ishin bashkuar edhe shqipfolës, por edhe kancelari të ndryshme perëndimore.

Gjithçka ishte në zgripin e tehun e thikës. Çfarë do të sillte e nesërmja? Një përcaktim, në dukje i përkohshëm, mund të sillte përmbysje të rendit të gjërave. Nëse termi beogradas “terrorist” do të kishte ngelur edhe në kancelaritë perëndimore, lufta në Kosovë do të shuhej ende pa nisur si duhet; një grup djemsh idealistë do të ishin izoluar, struktura do të shpallej e jashtëligjshme, mbështetja do të tërhiqej dhe do të kthehej në izolim. Nëse marsi i vitit 1998, pas vrasjes së Adem Jasharit, do të kishte vetëm gjëmë, vajtim dhe tkurrje, boshllëku i krijuar do të ishte fatal.
Pikërisht në ditët e para të marsit 1998, Kadri Veseli, Hashim Thaçi, Fehmi Lladrovci dhe një grup ilegalësh, pjesë e Lëvizje, mes të cilëve shquhej edhe Xheva Krsasniqi-Lladrovci. Ishte momenti më i vështirë i luftës që po vinte, koha kur do të ndahej më dysh e nesërmja: ose do të bëhej si duhej, ose do të mbeste përfundimisht një ëndërr e varë.

Për atë rrugëtim nëpër bjeshkët dhe alpet shqiptare kam folur disa herë me Kadri Veselin. E kemi kujtuar ecjen e atyre ditëve, si ka ndodhur, si vetë ata e kanë përjetuar. I jemi kthyer pikërisht çasteve kur Xheva Krasniqi-Lladrovci u jepte zemër burrave dhe e palodhur ecte në gjurmët e të parëve, por asnjëherë nuk më kishte thënë se asaj kolone, nga e cila do të dilnin drejtues të njohur të luftës, shpesh herë u kishte prirë vetë ai, dhe dihet krejt mirë se, si në çdo luftë, plumbi rreh ndaj të parit.

Për të shkuar tek marsi i vitit 1998 Kadri Veseli, ose, si thoshin ilegalët e tjerë, “Luli”, kishte mbi dhjetë vite pjesë e lëvizjes klandestine që synonte të krijonte strukturën e saj të armatosur, UÇK-në. Që kur kishte filluar jetën e studentit e ndoshta edhe më parë. Pas arrestimeve të mëdha në korrik-gushtin e vitit 1993, menjëherë pas Mbledhjes së Katërt të Përgjithshme të Lëvizjes Popullore të Kosovës, ku ishte marrë vendimi historik për krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kuvend i mbajtur në Prishtinë, në shtëpinë e familjes Brajshori, detyrohet të marrë rrugën drejt Shqipërisë, ku kishte qenë gjithnjë vend-ëndrra e shumë e shumë brezave ilegalësh, të vazhdojë studimet dhe, më pas, si ndodhi me shumë të tjerë të kësaj plejade, të gjendet në mërgim.

Aty e kam njohur. Në të njëjtën ditë dhe në të njëjtin vend me Hashim Thaçin. Nuk e kam menduar asaj dite se, pas një lufte, njëri do të ishte presidenti i Kosovës dhe tjetri kryetari i Parlamentit. Edhe po të më kishin thënë, do e kisha të vështirë, pasi, lufta që ishte para, do të kishte të rënët e saj dhe askush nuk ishte nisur për të qenë ministër a deputet. As Kadri Veseli.
Më pas e kam takuar shpesh herë, megjithëse jo aq sa do të kishim dashur. Ai ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, unë isha zgjedhur të drejtoja Lëvizjen Popullore të Kosovës. Rruga ishte e njëjtë, rrugëtimi ishte ndryshe. Kadriu mori përsipër të drejtojë Shërbimin Informativ të Kosovës, një domosdoshmëri e çdo lufte dhe e secilës pasluftë. Ishte një detyrë që domosdo do të kishte të fshehtën e saj, ashtu si do të kishte më pas edhe sulmet e pasluftës.

Kishte përballë një strukturë shumë dekadash, me degë të shumta, si shërbimi i sigurimit serb, shërbimi ushtarak serb, degët e tyre në Kosovë, pasi ishte shtrirë prej shumë e shumë viteve; keqkuptime të mëdha me njerëz që e mendonin se lufta ishte e mundshme të bëhej edhe pa këtë shërbim; fillesa takimesh me partnerë ndërkombëtarë, institucione të rëndësishme të shërbimeve të inteligjencës, të fitohej besimi i tyre shumëplanësh, të kishte një përfaqësim si duhej dhe, më pas, bashkërendim real.

Kadri Veseli nuk kishte qenë kurrë njeri i shërbimit inteligjent, por vetëm një njeri i fuqishëm mund ta merrte përsipër këtë. Pas luftës, i monitoruar rreptësisht nga partnerët perëndimorë, ai do e kthejë këtë shërbim në një strukturë të besuar, me lidhje të fuqishme dhe në dobi të Kosovës, krejt ndryshe nga organizata famëkeqe, “Sigurimi i Atdheut”, një krijesë e lindur në stanet e shërbimit sekret serb dhe që, pas luftës, ngriti një forcë paraushtarake.
Vetëm fakti që, gjatë gjithë kohës që ishte e pranishme struktura e drejtuar nga ai, asnjë ditë, nuk ngriti dot kokë rryma agresive vehabiste apo salafiste në Kosovë, është më e mjaftueshme për të qenë e dobishme.
Por, unë desha të tregoj për njeriun, me të cilin lidhjet kanë qenë më të fuqishme sa takimet dhe me të cilin mirëkuptimet kanë qenë kurdoherë të pranishme. Përgjithësisht njeri i heshtur, që nga fillesat e aktivitetit të tij politik si pjesë e Lëvizjes Popullore të Kosovës; i fjalës dhe askush nuk mund të thotë se ai e ka shkelur fjalën e tij; i hapur për të gjetur një mendim ndryshe dhe punëtor i madh, ai mbetet një ndër figurat politike më të ndjekura në Kosovë. Megjithë lodhjen që të sjell pushteti në politikë, pra dërmimi nga pushteti, përsëri PDK mbetet njëra nga tri forcat kryesore politike në Kosovë dhe ai vetë, njëri ndër tre liderët më të fuqishëm.

Rrallë herë e kam parë të nxehur apo mospërfillës.
Sidoqoftë unë desha të sjell dy momente nga jeta e tij gjatë luftës:
Ishim në Zvicër kur e telefonuan nga Kosova dhe besoj se ajo bisedë duhet të jetë e regjistruar, sigurisht nga shërbime të tjera. Zvicra kishte asaj kohe prokurore të përgjithshme Karla del Ponte, njërën ndër kundërshtaret më të thekura ndaj luftës çlirimtare në Kosovë, që, për shpirt, do e kishte nxjerrë jashtë ligjit gjithë Ushtrinë Çlirimtare.
Telefonata mes Kadriut dhe tjetrit diku larg po bëhej e ashpër dhe, në një moment, Kadriu i tha se, asnjë qime floku nuk duhet t’i preket njerëzve që nuk kanë lidhje me luftën, qytetarëve të zakonshëm serbë apo të cilësdo do kombësi qofshin. Zëri matanë ngulte këmbë, diçka kishte ndodhur, biseda po zgjatej, deri në momentin kur Kadiu i tha shkurt; nëse ndodh diçka, edhe më e vogla qoftë, do të përgjigjesh. Mbaje mend, shtoi në fund!

Në muajt e parë të luftës, Kadri Veseli me një grup shokësh, pikërisht në Rahovec, ranë në një pritë serbe. Prita është gjithnjë e papritur. Luftëtarët morën qëndrimin e tyre dhe iu përgjigjën policisë serbe. Për disa minuta kishte krisma pafund armësh dhe pastaj gjithçka u qetësua.
Nuk kishte të dëmtuar. Aty afër ishte një dyqan i vogël ushqimor, i bërë gjithë vrima nga plumbat e një dite tjetër. Kadriu u fut brenda dhe bleu disa çokollata. Bashkëushëtari i tij e pyeti se çfarë i duhen, pikërisht tani, kur sapo shpëtuan nga prita.
Kadriu iu përgjigj: – E njeh nanën e Lahi Brahimit? E kemi lodhë nënën, tash e parë në shtëpinë e saj, shtro e mbulo, e kurrë një herë nuk i çuam një diçka të vogël. Është nënë dhe e bën me shpirt, por mendova një herë t’i çojmë diçka të ëmbël… dhe qeshi, sikur të kishte plotësuar një dëshirë të hershme.

Kadri Veseli, kryetari i deritashëm i Parlamentit të Kosovës, është ftuar nga Dhomat Speciale, të njohura si Gjykata Speciale, një strukturë e ngritur me miratimin e parlamentit, ku është drejtues vetë ai.
Kam menduar shpesh herë për këtë, në të gjithë këto ditë, që kur u bë e njohur thirrja në Gjykatën Speciale.
A është e mundur? – i thashë vetes dhe kjo, pasi e kam njohur nga afër qëndrimin e tij ndaj luftës dhe njerëzve.
Në 20 vite pasluftë u bë një fushatë e egër ndaj luftës çlirimtare dhe bartësve të saj; luftë e burimuar nga jashtë Kosovës dhe e ardhur në Kosovë me dëshpërimin e atyre që humbën luftën. Qofshin në Serbi, qofshin në Kosovë, qofshin në Shqipëri e në disa vende që e kanë mendjen tek aleancat e vjetra politike dhe financiare.
Kadri Veseli, jam i bindur, as nuk e ka drojën e kësaj thirrje dhe do të rivijë po aq i denjë për Kosovën se atë ditë që do të niset.
Është një histori që përsëritet me fituesit e luftës.
Në fund të fundit, ata mbeten gjithsesi fitues!

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lëvizja Vetëvendosje qendra në Shqipëri, ka paralajmëruar një marsh më…