E provoi dhe pas një viti punë e la Gjermaninë dhe u kthye në vendlindje

05 shtator 2023 | 21:58

Shkruan: Agron Hoti

Neki Hotin e kam kushëri të afërt. Ishte duke punuar në ndërtimtari në Ratkoc e rrethinë, merrte të hyra së paku 1000 EUR në muaj, por nuk mundi t’i ikte llavës së ikjes së rinisë. Propaganda e ligë antikombëtare, se vendi ishte shkatërruar për 20 vite, e preku edhe Nekiun sikur shumë të tjerë.

Shkoi para një viti me kontratë pune në Gjermani, e provoi sa të holla i mbeteshin në xhep dhe kur e pa që në Kosovë i mbeteshin më shumë, atëherë vendosi të kthehej. Për hir të së vërtetës, i pata thënë para dy vitesh, pra mu kur po përpiqej të ikte, se si zanatli (profesionist) më shumë do të fitonte të holla në Kosovë sesa në Gjermani. Dhe ashtu i doli.

Dhe ja tash Nekiu është kthyer te gruaja dhe fëmijët e tij, te prindërit e tij, te rrethi i tij dhe te vendi i tij. Punë sa të duash, nevoja për zanatlinj kurrë s’ka qenë më e madhe në Kosovë. Mjerë sistemi arsimor që s’po nxjerr zanatli sikurse në Gjermani, sepse sa puna është sot në ndërtimtari në Kosovë, është e paparamendueshme, sa shumë ka nevojë për zanatlinj.

E kam thënë disa herë, se bumi ndërtimor që ka ndodhur dhe që po ndodh në Kosovë, është i pashembullt në rajon. Prandaj, u bëj apel të rinjëve që kanë zanate, të kthehen sa më shpejtë që të jetë e mundur, sepse Kosova që pas fillimit të kapërcimit të madh ekonomik të Shqipërisë do të bëhet mirë e më mirë, pallavër për vota ka qenë fryma antikombëtare e mbjellë që mbi 15 vite se vendi është shkatërruar për 20 vite, përkundrazi kur i sheh vështirësitë nëpër të cilat ka kaluar Kosova para, gjatë dhe pas luftës si e izoluara e vetme në Evropë e sheh që ky vend përkundër mijëra vështirësive kurrë as për së afërmi s’ka jetuar më mirë.

Vetë zhvillimi i Fshatit Ratkoc, prej nga vijmë Nekiu dhe unë, e hedh poshtë propagandën antikombëtare se vendi është shkatërruar për 20 vite. Sigurisht që s’jemi bërë as Zvicër e as Gjermani, sepse as Zvicra e Gjermania s’janë bërë siç janë sot për vetëm 20 vite shtetësi, por u janë dashur së paku 200 vite shtetësi.

Prandaj, bravo Neki, të shkoftë mbarë e më mbarë pranë familjes dhe rrethit ku ke lindur e ku je rritur! E paç shëndetin dhe familjen!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përgatiti: Ismet Sylejmani Fjalime historike RAMIZ CERNICA FJALIMI "… Sot…