Edhe FIFA konfirmon përkrahjen për futbollin e Kosovës

19 janar 2023 | 15:26

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku janë pritur në takim nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino. Numri një i FFK-së me anë të një postimi në “Facebook” ka thënë se futbolli i Kosovës edhe një herë tjetër ka marrë përkrahje nga FIFA.

“Jam i nderuar për pritjen tejet të përzemërt të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino në Shtëpinë e Futbollit në Cyrih, ku së bashku me ministrin Hajrulla Çeku prezantuam planin investiv 5-vjeçar të MKRS-së për përmirësimin e infrastrukturës së stadiumeve të futbollit, projekt në të cilin do të jenë të përfshira edhe FFK dhe Komunat. Edhe në këtë takim diskutimet ishin tejet përmbajtjesore dhe janë shpresëdhënëse se në të ardhmen futbolli i Kosovës do të jetë në një nivel tjetër në aspektin e infrastrukturës”, ka thënë Ademi.

Sipas Ademit, presidenti Infantino u shpreh i lumtur që Qeveria e Kosovës dhe komunat janë afër FFK-së në realizimin e projekteve që kanë synim përmirësimin e infrastrukturës së futbollit.  “Infantino lavdëroi institucionet tona që e kanë vendosur si prioritet përmirësimin e infrastrukturës së futbollit, pasi siç tha rinia dhe talentet e shumta në Kosovë meritojnë që t’u krijohen kushte më të mira”, ka shtuar Ademi.

Gjithnjë sipas kryetarit të FFK-s, Inantino i ka uruar Kosovës një nismë sa më të mbarë të ciklit të ardhshëm kualifikues dhe shprehu besimin e tij për sukses të “dardanëve”.

“Presidenti Infantino edhe një herë më përgëzoi për punën e deritashme dhe theksoi se dera e FIFA-s për ne do të jetë gjithmonë e hapur, pasi siç tha Kosova zë vend të veçantë në zemrën e tij. Nga ana ime i shpreha mirënjohjen më të thellë për mbështetjen që i jep futbollit të Kosovës dhe për gatishmërinë e tij për të qenë afër FFK-së në çdo projekt, ka përfunduar Ademi.

/Epoka e re/  

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka shpallur gjendje…