Edhe sot vapë, në fundjavë stuhi dhe shi

19 gusht 08:40

Sot pritet të jetë shumë nxehtë, derisa në fundjavë pritet rënie e temperaturave, me mundësi zhvillimi edhe për stuhi shiu ditën e shtunë.

Në fundjavë, vije sërish tek një destabilizim i theksuar i motit, ku ditën e shtunë mund të ketë zhvillime të stuhive të shiut, që shoqërohen lokalisht edhe me erë, e nuk përjashtohen mundësi edhe për breshër. Rrebeshe shiu e bubullima priten përgjatë ditës së diel, me një rënie më të theksuar të temperaturës.

Ditën e hënë do të ketë vranësira dhe intervale me diell, e pasdite me mundësi për reshje të dobëta shiu.

Cilësia e ajrit mund të pësojë një përkeqësim ditëve të ardhshme me depërtime të pluhurit saharian që mund të rrisin koncentrimet e grimcave të materies edhe në vlera mesatare apo edhe të dobëta vende-vende. Gjithashtu në këto kushte të motit të nxehtë dhe me diell, orëve të pasdites rritje shënon edhe ozoni sipërfaqësor që ndikon tek indeksi të qëndrojë në vlera mesatare.

Rreziku nga rrezet ultravjollce, në ditët e ardhshme do të jetë shumë i lartë, prandaj edhe preferohet që t’i shmangemi më shumë ekspozimit ndaj rrezeve të diellit orëve të mesditës.

19.08 – Shumë nxehtë e kryesisht me diell. Pasdite me vranësira kalimtare. Përreth viseve malore mundësi për ndonjë rrebesh shiu me bubullima.

20.08 – Mbetet nxehtë, por kryesisht me vranësira. Pasdite priten zhvillime edhe të stuhive me shi, e nuk përjashtohen gjasa që lokalisht të ketë edhe breshër.

21.08 – Kryesisht me vranësira. Pasdite priten edhe mundësi për rrebeshe shiu me bubullima.

22.08 – Vranësira dhe intervale me diell. Pasdite kohë pas kohe mundësi për reshje të dobëta shiu.

Temperaturat shënojnë rritje deri ditën e premte e më pas në rënie. Minimalet arrijnë deri në 20C ditën e premte dhe shtunë. Edhe maksimalet shënojnë rritje deri në 37C ditën e premte, e deri të dielën zbresin në 25C.

Frynë erë nga perëndimi e jugperëndimi e lehtë dhe mesatare 2-10m/s, e në fundjavë ndryshon drejtimin në veri e verilindje.

Shtypja atmosferike me tendencë të rënies së lehtë nën vlera normale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy avionë të vegjël u përplasën të enjten mbi një…