Edita Tahiri: Instituti EPIK bëri lavde epike për Serbinë

17 dhjetor 2018 | 14:17

Ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka reaguar ndaj analizës së institutit EPIK, në të cilën është bërë një vlerësim rreth ndikimit që ka pasur dialogu i Brukselit në procesin e integrimit për Kosovën dhe Serbinë.

Tahiri në një deklaratë për gazetën “Epoka e re”, ka vlerësuar se kjo analizë e institutit EPIK nuk është profesionale, pasi sipas saj ka injoruar shumë fakte.

“Kjo ishte një analizë që i kishte bërë lavde epike Serbisë, për faktin se kishte injoruar shumë fakte të rëndësishme, ndërsa ka dhënë afirmim palës serbe. Së pari ky institut ose nuk e di ose ka dashur qëllimshëm ta injorojë faktin se dialogu i Brukselit dhe insistimi i delegacionit të Kosovës ka bërë që BE-ja t’ia vendos kapitullin 35 Serbisë, si një kapitull shtesë me të cilin kushtëzohet Serbia me Kosovën në rrugën e integrimit evropian, në kuptimin që Serbia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së pa një marrëveshje ligjërisht të obligueshme me shtetin e Kosovës”, ka thënë Edita Tahiri.

Sipas saj, vendosja e këtij kapitulli për Serbinë ka qenë një sukses i delegacionit të Kosovës në këtë proces.

“Një dështim i dytë tjetër i kësaj analize është se çështjen e liberalizimit të vizave e lidh me dialogun e Brukselit. Çdo kush duhet ta di se këto janë dy procese krejtësisht të ndara. Procesi i liberalizimit të vizave për një shtet lidhet me kriteret që janë si; sundimi i ligjit, demokracia, lufta kundër korrupsionit. Kështu që, nuk ka pasur asnjë lidhje liberalizimi i vizave me dialogun e Brukselit”, është shprehur ajo.

Ish-ministrja për Dialog ka deklaruar se institutit EPIK ka gabuar edhe kur përmend MSA-në.

“Dështimi i tretë i kësaj analize është se ky institut kur përmend marrëveshjen e MSA-së nuk tregon se kjo marrëveshje iu ka dhënë Kosovës si premtim politik në dhjetor të viti 2011. Pastaj, është hapur procesi i studimit të fizibilitetit, kurse në tetor të vitit 2015 nënshkruhet MSA-ja mes Kosovës dhe BE-së, që këta nuk e përmendin fare. Ky institut e përmend vetëm kur hyn në fuqi kjo marrëveshje, pra duket qëllimshëm një njëanshmëri e kësaj analize, që për mua i bie se është ndikuar nga Serbia”, ka thënë Tahiri.

Me tej, ajo ka reaguar edhe ndaj atyre që tani po e përmendin çështjen e fusnotës në përfaqësimin e Kosovës.

Edita Tahiri ka bërë me dije se kritikuesit e fusnotës qëllimisht nuk po e përmendin se edhe para kësaj marrëveshje Kosova ka qenë e përfaqësuar me fusnotë.

“Si duket ata që kanë folur për këtë çështje kanë harruar se Kosova ka pasur fusnotë edhe para dialogut të Brukselit. Këta njerëz ose nuk e kanë parë këtë punë ose nuk kanë dashur ta shohin. Fusnota që ka pasur Kosova para dialogut ka qenë kryekëput mbi Rezolutën 1244. Ndërsa në dialogun e Brukselit ne kemi arritur që të avancohet fusnota dhe të përfshijë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare për Drejtësi që vërtetoj pavarësinë e Kosovës. Pra është një avancim në pranimin e realitetit të pavarësisë së Kosovës me këtë fusnotë”, ka thënë Tahiri.

Sipas analizës së institutit EPIK nga procesi i dialogut Kosova ka përfituar vetëm sa i përket lansimit të procesit të liberalizimit të vizave dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA), ndërsa Serbia ka përfituar shumë më tepër. “Që nga fillimi i negociatave, Kosova lansoj procesin e liberalizimit të vizave dhe fitoj Marrëveshjen e Stabilizim Asocimi. Ndërsa, Serbia fitoj statusin e vendit kandidat, hapi negociatat e anëtarësimit dhe filloj negociatat në 16 kapituj”, është thënë në analizën e Institutit EPIK.

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar sot…