Edita Tahiri: Takimi i sotëm Thaçi-Vuçiq nuk mund të jetë hyrje në fazën finale të dialogut

08 nëntor 2018 | 12:58

Me ndërmjetësimin e shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, sot në Bruksel pritet të takohen presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Para nisjes për në Bruksel për të marrë pjesë në këtë takim, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka përshkruar të vështirë takimin me homologun serb.
Por, Thaçi ka thënë se arritja e një marrëveshje përfundimtare me Serbinë është e domosdoshme.

Takimin e sotëm Thaçi-Vuçiq e ka komentuar ish-ministrja e Dialogut, Edita Tahiri.

Ajo ka thënë për gazetën “Epoka e re” se në këtë takim presidenti Thaçi duhet t’i mbrojë interesat e Kosovës duke mos lejuar që të hapet tema për territorin dhe kufijtë. “Presidenti i Kosovës, Thaçi, duhet t’i mbrojë interesat e shtetit, kufijtë, territorin si dhe të mos lejojë që të hapen këto tema dhe, në qoftë se ka tendenca nga pala serbe, duhet t’i bëhet me dije se Serbia ka bërë gjenocid në Kosovë dhe vetëm njohja e pavarësisë së Kosovës mund të jetë një veprim që e bën Serbinë shtet evropian dhe kjo mund ta hapë kapitullin e marrëdhënieve paqësore. Përndryshe, çfarëdo pretendimi hegjemonist i Serbisë nuk çon te një marrëveshje në mes të dy shteteve”, është shprehur ajo.

Tahiri ka theksuar se takimi i sotëm nuk mund të jetë hyrje në fazën finale sepse, sipas saj, Kosova mund të marrë pjesë zyrtarisht në finale të dialogut vetëm kur Kuvendi e autorizon delegacionin shtetëror.

“Konsideroj se ky takim nuk mund të jetë hyrje në fazën finale të dialogut sepse vetëm kur kalon një rezolutë dhe Kuvendi e autorizon delegacionin e Republikës së Kosovës, atëherë Kosova mund të marrë pjesë zyrtarisht në dialogun e fazës finale. Disa herë kam apeluar që Kuvendi të nxjerrë një rezolutë me unitet të plotë në mbrojtje të kufijve të shtetit të Kosovës. Kështu që delegacioni autorizohet për ta mbrojtur Kushtetutën, territorin, integritetin territorial dhe kufijtë e shtetit. Ndërsa marrëdhëniet ndërfqinjësore duhet të përcaktohen me të drejtën ndërkombëtare dhe me parimet evropiane”, ka deklaruar Tahiri, duke shtuar se dialogu në Bruksel nuk mund të vazhdohet pa autorizimin e Kuvendit.

“Unë nuk besoj se edhe Bashkimi Evropian dhe vetë Mogherini duhet ta vazhdojnë dialogun pa një autorizim sepse edhe ajo duhet parë legjitimitetin e palëve. Mirëpo takimi i së enjtes mund t’i shërbejë ndonjë konsulte si parapërgatitje për fazën finale”, ka thënë Tahiri.

(Epoka e re / Shqipe Hetemi)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të…