Ekipi nga UEFA Grow, me përshtypje në Kosovë

07 dhjetor 2022 | 16:01

Ekipi nga UEFA Grow është ndarë tejet i kënaqur me vizitën në Kosovë në kuadër të mbështetjes së hartimit të strategjisë së investimeve kapitale të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK). Ata gjatë kësaj vizite treditore, krahas takimeve me krerët e federatës dhe të gjithë sektorët e saj, kanë takuar edhe ministrin e Sportit, kreun e komunës së Prishtinës, si dhe partnerët e FFK-së.

Në përfundim të vizitës së tyre, kryetari Agim Ademi dhe dy nënkryetarët, Bakir Burri e Agim Dibrani, i kanë falënderuar ata për përkushtimin dhe punën e tyre me qëllim të hartimit të një plani të përbashkët strategjik. Ndërkaq, përshtypjet e tyre për këtë vizitë pune ata i dhanë për faqen zyrtare të FFK-së. “Në tri ditët e fundit patëm një punë shumë intensive dhe produktive. Jemi shumë të inspiruar me atë që kemi parë këto ditë këtu. E keni një ekip të mrekullueshëm në federatë dhe jeni vend me rini shumë të mirë. Së bashku po shohim rrugën përpara në zhvillim të futbollit. Është kënaqësi e jona që ta sjellim përvojën nga e tërë bota dhe së bashku t’i gërshetojmë strategjitë drejt zhvillimit të futbollit në Kosovë. Ka qenë një vendosmëri e madhe e federatës për hartimin e kësaj strategjie dhe tani presim të vazhdojmë punën”, ka theksuar kryesuesi i ekipit UEFA Grow, Oleksandr Kucheriavyi.

Fjalë të mira për ekipin e FFK-së dha edhe anëtari tjetër i këtij ekipi, Adam Walker. Ai ka deklaruar se të gjitha takimet kanë qenë të dobishme dhe është punuar me përkushtim. “Kemi kuptuar më shumë rreth punës tuaj fantastike sidomos drejt lojës së zhvillimit të lojës së futbollit. Ka qenë një privilegj i jashtëzakonshëm të vinim këtu dhe të mësonim për vendin tuaj, por edhe për zhvillimin e futbollit, në mënyrë që të jemi në gjendje t’ju ndihmojmë në hartimin e planit strategjik”, ka thënë ai.

Ndërkaq Phil Taylor ka theksuar se pas tri ditëve intensive me shumë biseda përmbajtjesore, tani është koha për t’i ndërlidhur të gjitha idetë dhe diskutimet në një plan strategjik, i cili do të ketë ndikim për një të ardhme të ndritur të futbollit të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, para…