Ekonomia e Kosovës gjatë njëmbëdhjetë vjetëve të shtetësisë

16 shkurt 2019 | 12:13

Njëmbëdhjetë vjetët e shtetësisë së Kosovës sa iu përket rrjedhave ekonomike janë konsideruar të suksesshme në projektet kapitale dhe në ruajtjen e deficitit fiskal si dhe në rritjen e bashkëpunimit ekonomik me Shqipërinë. Kështu kanë vlerësuar njohësit e çështjeve ekonomike dhe deputetët. Ndërkaq janë konsideruar prolongues dhe regresivë hapat si norma e lartë e papunësisë, rritja e pamjaftueshme ekonomike, ikja e të rinjve nga Kosova, rënia e investimeve të huaja, problemet me energji elektrike, si dhe vonesat dhe moszbatimi në kohë të duhur i reformave tatimore dhe fiskale.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se bashkëpunimi ekonomik në mes të Kosovës dhe Shqipërisë nga viti në vit ka shënuar përparim. “Nga viti në vit bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe Shqipërisë ka shënuar përparim. Sot kemi 270 milionë euro shkëmbime mallrash midis dy shteteve nga 100 milionë euro sa kanë qenë brenda katër vjetësh. Prandaj, mendoj se jemi në një moment më të mirë. Kjo ka ardhur sigurisht duke përmirësuar disa elemente që kanë shkaktuar pengesa burokratike. Është e rëndësishme që nga viti në vit të kemi rritje të bashkëpunimit. Kjo do të jetë e pandashme. Nga viti 2017 deri në vitin 2018 kemi rritje prej 70 milionë eurosh që është një rritje e konsiderueshme, prandaj duhet të kemi kujdes kur thuhet se marrëveshjet ngelën vetëm në letër”, ka thënë Minxhozi, duke shtuar se pjesa më e madhe e marrëveshjeve të nënshkruara në mes të dy shteteve është në sferën e ekonomisë. “Një pjesë e marrëveshjeve nuk kanë ngelur në letër, janë implementuar sidomos në fushën e ekonomisë, atë të njohjes reciproke sa iu përket mallrave. Marrëveshjet në numër të madh janë realizuar. Pajtohemi se ne ende kemi mundësi të bëjmë më shumë. Pra, në mes të Kosovës dhe Shqipërisë ka përparim dhe nga viti në vit rritja është e madhe. Eksporti është rritur vazhdimisht dhe ka një trend pozitiv, por që duhet mbështetur dhe duhet hequr çdo burokraci”, ka thënë Minxhozi. Ndërkaq sa i përket vënies së taksës nga ana e Qeverisë së Kosovës për mallrat serbe dhe ato nga Bosnje Hercegovina, Minxhozi ka pohuar se, edhe pse është vendosur kjo taksë, nuk është vërejtur shkëmbim mallrash të nivelit të lartë për aq sa flitet. “Nuk ka ndikuar aq dukshëm aq sa thonë mediet. Është një rritje e lehtë. Mendoj se ne nuk duhet të kapemi te një taksë, por te çështjet që kanë të bëjnë me bashkëpunimin në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, që duhet të jetë një shembull edhe për vendet e rajonit”, u shpreh ai.

Deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), e cila ishte nënshkruese e deklaratës së pavarësisë së Kosovës, Safete Hadergjonaj, ka folur për progresin dhe regresin ekonomik për këta njëmbëdhjetë vjet shtet. Ajo ka thënë për gazetën “Epoka e re” se gjatë këtyre viteve është shënuar përparim ekonomik. “Mendoj se ka pasur lëvizje të mira në drejtim të zhvillimit ekonomik. Kanë ndodhur projekte shumë të rëndësishme që i kanë hapur mundësi zhvillimit më të hovshëm ekonomik. Përgjatë këtyre njëmbëdhjetë vjetëve Kosova ka arritur t’i menaxhojë kërkesat e qytetarëve, njëkohësisht edhe ta ruajë stabilitetin makrofiskal që është i rëndësishëm për rrjedhat ekonomike në të ardhmen. Po ashtu, gjatë këtyre njëmbëdhjetë vjetëve kemi pasur rritje ekonomike të vazhdueshme, por është dashur ta shikojmë më seriozitet rritjen ekonomike në mënyrë që të mund të përkthehet në rritje të vendeve të punës, pasi këtë 11- vjeçar e ka karakterizuar numri madh i të papunëve, që është dashur të bëhet më shumë në këtë drejtim”, u shpreh Hadergjonaj.

Po ashtu, një rezyme të rrjedhave ekonomike përgjatë këtyre njëmbëdhjetë vjetëve e ka dhënë për gazetën “Epoka e re” edhe njohësi i çështjeve ekonomike dhe një ndër prodhuesit më të mëdhenj në Kosovë, Burim Piraj. “Gjatë këtyre njëmbëdhjetë vjetëve ekonominë e karakterizon një rritje ekonomike minimale që për vendin është e pamjaftueshme. Çdo rritje ekonomike nën kuotën 6 për qind për vendin tonë, që ka pasur shumë të papunë, ka qenë jo rritje por, në fakt, kthim mbrapa. Në mungesë të vendeve të punës një numër shumë i madh i qytetarëve që arrin kuotën afërsisht 30 për qind e popullatës janë shpërngulur në Perëndim”, ka deklaruar ai. Sipas Pirajt, ka pasur reforma shumë të ngadalshme të politikave tatimore dhe shpesh nga institucionet parashtrimi i problemeve të punëdhënësve, sidomos të sektorit të prodhimit dhe përpunimit, nuk është marrë seriozisht. “Pra, problemet janë trajtuar si probleme individuale. Në fakt, tërë ekonomia ka kaluar nëpër probleme të natyrës së njëjtë”, ka thënë ai. Piraj ka thënë se një ndër indikatorët e prolongimit të zhvillimit ekonomik ishte edhe problemi me energji elektrike.

“Një prej problemeve të mëdha që e ka ngadalësuar zhvillimin ekonomik ka qenë mungesa e vazhduar e energjisë elektrike dhe heshtja e institucioneve karshi këtij fenomeni që ka sjellë humbjen e qindra mijëra vendeve të punës në vend”, ka thënë Piraj, duke përmendur kështu edhe regresin në aspektin e investimeve të huaja. “Edhe pse institucionet tona e kanë paraqitur Kosovën para opinionit publik si parajsë për investime, investimet e huaja të drejtpërdrejta kanë rënë nga viti në vit. Fatkeqësia më e madhe është se ende nuk ka gatishmëri institucionale për t’u përkrahur prodhimi. Vetëm në formë kozmetike proklamohen politika të mirëfillta tatimore të cilat iu ofrohen vetëm firmave të mesme dhe të mëdha, ndërsa firmave të vogla që janë punëdhënëset më të mëdha në vend nuk u është dhënë hapësirë aspak në lirimin e lëndës së parë nga taksat. Nëse ky mentalitet vazhdon tutje, vendin e pret një pasiguri e madhe ekonomike, e cila mund të sjellë paqëndrueshmëri sociale të manifestuar me protesta, vjedhje dhe fenomene të papëlqyera të natyrës kriminale”, ka përfunduar Piraj.

 

(Albulena S. MAVRAJ)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përshkallëzohet protesta e opozitës para kryeministrisë, teksa pasi u hodhën…