Elezaj: S’ka vend për shqetësim, rezultatet pozitive do të vijnë

17 shtator 2019 | 18:03

Granit Elezaj u ka dërguar “selam” tifozëve të Dukagjinit dhe opinionit sportdashës në Klinë se nuk ka vend për shqetësim sepse skuadra e tyre e zemrës shumë shpejt do t’u rikthehet rezultateve pozitive.

KF Dukagjini nga Klina e ka nisur në mënyrë jo të mirë edicionin e ri në IPKO Superligën e Kosovës në futboll. Ani pse kjo skuadër shkëlqeu në edicionin e kaluar në Ligën e Parë dhe arriti të rikthehet në elitë si dhe gjatë verës bëri shumë ndryshime në radhët e futbollistëve dhe shtabin teknik, nuk i ndihmoi që te ketë start të mirë në Superligë. Nga tri ndeshjet e zhvilluara ky klub mori vetëm një pikë, pasi humbi dy ndeshje ndaj Dritës dhe Flamurtarit, kurse barazoi me Ballkanin.  Kjo nuk e shqetëson shumë sulmuesin Granit Elezaj, i cili për “Epokën e re” ka thënë se skuadra nga Rrafshi i Dukagjinit ka potencial të mjaftueshëm për të dalë nga kjo situatë.

“Dukagjini është një klub shumë serioz dhe normalisht se nuk i mungon potenciali për të marrë rezultate pozitive. Çka është e vërteta, nuk e kemi nisur mirë këtë kampionat, por edhe fati na ka munguar në këto ndeshjet e para. Ne jemi duke punuar që të rikthejmë gjithçka në rrugën e duhur dhe të vazhdojmë me ndeshje dhe rezultate të mira në ndeshjet vijuese. Me rëndësi është fakti se edhe përkundër startit jo të mirë, atmosfera në klub është e mirë”, ka thënë Elezaj.

Skuadra e Dukagjinit ende nuk e ka zhvilluar ndeshjen e javës së dytë ndaj Prishtinës, por kjo ndeshje zhvillohet më 25 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Në ndeshjen e radhës skuadra nga Klina e pret Ferizajn që, po ashtu, ka pasur një start jo të mirë. Sulmuesi Elezaj ka paralajmëruar këndelljen e Dukagjinit nga kjo ndeshje. “Ndeshjen e radhës e kemi në kuadër të javës së pestë ndaj Ferizajt dhe jemi përgatitur që të shënojmë fitore. Mendoj se nga kjo ndeshje do t’u rikthehemi rezultateve pozitive, ani pse kundërshtari ynë ka një skuadër të papërshtatshme”, ka shtuar ai.

Granit Elezaj është në dyshim për këtë ndeshje, por beson se do t’ia dalë që t’i ndihmojë shokët e skuadrës, kurse mungesa të tjera janë edhe Granit Arifaj dhe Mark Milicaj. “Mungesat janë mjaft të mëdha sepse bëhet fjalë për lojtarë kualitativë, por klubi ka edhe lojtarë të tjerë dhe kushdo që luan do të japë maksimumin për fitore”, ka deklaruar ai.

Aktualisht Dukagjini pozicionohet në vendin e fundit me pikë të barabarta me Prishtinën që është në pozitën e parafundit.

/Veton ZYMBERI/  

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë tërheqjen e shortit…