Emblema e UÇK-së mbi Shaqirin

10 tetor 2021 | 19:38

Shkruan: Agron Hoti

UÇK s’nderohet duke i vënë emblemën e saj Xherdan Shaqirit që përfaqëson Zvicrën jo nga qejfi por nga fati tragjik historik i shqiptarëve. UÇK mbrohet duke ua vënë emblemën e saj lojtarëve të Kosovës, të cilët pa veprën e UÇK-së dje, do të detyroheshin të luanin sot nën fanela të huaja. Por, UÇK shumë më shumë se mbi Shaqirin do të nderohej atëherë dhe vetëm atëherë:

       – kur thirrjes së saj për mobilizim për ta luftuar pushtuesin serb do t’i ishim përgjigjur masivisht e jo veç 2%;

      – kur do ta lartësonim pa përjashtim si guerilen më të suksesëshme që ka pasur populli shqiptar që pas Skenderbeut;

     – kur as mendja s’do të na shkonte që si shqiptarë të shpifnin ndaj saj në përmasa formimi Gjykateje Ndërkombëtare për Krime Lufte, rast ky i pashembullt në botë kur shqiptari ia fut shqiptarit dhe vetë kombit që e rriti, kur një pjesë e jona i barazon ata që dhanë ç’patën (pra UÇK-në) me terrorin e gjenocidin mbi 100 vjeçar serb, kur dihej që Serbia historikisht vetëm këtë vijë atdhetare kishte përndjekur, vrarë e zhdukur pa gjurmë, sepse ata që bashkëpunonin me Serbinë ishin pevaçickashat e ledhatuar prej saj;

      – kur tërë shoqëria jonë do ta shkruante në libra dhe do t’ua thoshte me gojë zëshëm gjeneratave që vijnë, se po të mos ishte UÇK pushtimi serb do të vazhdonte me terrorin e planifikuar të tij deri në shfarosjen tonë përfundimtare; faktet i dimë të gjithë, por nuk po duam t’i pranojmë e t’i themi hapur;

      – kur do ta lartësonim për hapat e papërsëritshëm historikë që bëri duke filluar së pari me mobilizimin nën rrethana terrori e shtetrrethimi serb, nisjen e luftës së pastërt si loti me ç’rast fituarjen e përkrahjes ndërkombëtare deri në çlirimin e Kosovës, më pas shtetbërjen, shtetndërtimin dhe ndërkombëtarizimin e Kosovës, hapa këta që s’do të mund të përsëriten kurrë më nga askush në shqiptari dhe mos u përsëritshin kurrë më;

     – kur nëpër shtëpitë tona do t’i kishim fotografitë e varura në mur të të gjithë prijësve të saj më në krye Adem Jasharin, sepse pa këta patriotë që nisën dhe shkatërruan Jugosllavinë, sot ende do të këndonte Ceca e Dragana në qendër të Prishtinës siç shumicës i kujtohet ky fakt tronditës;

     – kur do t’u tregonim gjeneratave që vijnë se ishin këta patriotë që dolën nga Universiteti i Prishtinës, formuan UÇK-në dhe për 15 deri në 20 vite shkelën kancelaritë perëndimore më shumë se çdokush në historinë shqiptare;

      – kur do t’u tregonim gjeneratave që vijnë se të gjitha të mirat që sot po i gëzojmë janë si rezultat i luftës së pastër dhe të drejtë të UÇK-së, përndryshe s’do të na përkrahte tërë bota perëndimore e demokratike;

      – kur do t’u tregonim gjeneratave të ardhshme se Xherdan Shaqiri me miliona shqiptarë lëshuan trojet shqiptare pikërisht nga terrori dhe mjerimi socio-ekonomik që prodhonte ky terror në toka shqiptare e që këtë terror e luftonte me sa kishte mundësi vija kombëtare shqiptare që nga Perandoria Osmane e deri te UÇK;

Shaqiri nuk ka faj që është rritur në Zvicër dhe luan për të, sepse ishte fati jonë që prodhoi kësi realitete të dhimbshme. Kontributi i Shaqirit do t’i mbetet për jetë e mot për Zvicrën, është tjetër gjë që ne e konsiderojmë Shaqirin të familjes sonë. Shaqiri ka bërë me duar Shqiponjën midis Rusie duke e mposhtur Serbinë, ndaj më shumë s’mund të bëjë.

Kur ne në Kosovë do të kemi zero mëdyshje për misionin fisnik çlirimtar të UÇK-së, atëherë shumë pak do të ketë rëndësi vënia dikujt e shenjës së UÇK-së nëpër konferenca shtypi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Futbollit e Zvicrës e ka quajtur të papranueshme…