Ende s’dimë sa dëme i janë shkaktuar Kosovës nga COVID-i

29 mars 2020 | 08:43

Ndonëse shumë biznese janë mbyllur shkaku i koronavirusit, ende nuk ka shifra për dëmet që i janë shkaktuar Kosovës.

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës (OEAK), Arian Zeka, në një intervistë për Ekonomia Online tha se është vërejtur rënie e nivelit në ekonominë e vendit. Por, sipas tij, ende nuk ka shifra sa janë këto humbje, sepse krejt kjo varet sa do të zgjasin masat e ndërmarra nga qeveria për shkak të përhapjes së koronavirusit. “Dhjetë ditë pas vërejtjes së ndikimeve të para negative në ekonominë tonë nuk do të jemi në gjendje ta arrijmë nivelin ekonomik që është planifikuar për vitin 2020. Ne, megjithatë, jemi të integruar në ekonominë globale”, ka thënë Zeka.

Ai ka shtuar se ndikimi në tregtinë e Bashkimit Evropian pritet të jetë në 15 miliardë dollarë amerikanë. “Edhe ne do të ndikohemi në këtë aspekt. Sa do të jetë niveli ekonomik mbetet të shihet sa do të zgjasin këto masa,  nëse do të vihet në kontroll përhapja e pandemisë”, ka theksuar Zeka.

Sipas tij, është e nevojshme të ruhet likuiditeti brenda sektorit privat dhe në ekonomi, sepse ka  kapacitete mjaftueshëm, mirëpo janë të kufizuara. “Është e nevojshme të ruhet likuiditeti brenda sektorit. Në ekonominë tonë burimet e financimit gjithmonë kanë qenë të kufizuara, prandaj edhe kreditë me interes në sektorin privat që t’i kryejnë detyrimet e tyre do të ishte një zgjidhje shumë e mirë që qeveria nuk duhet të ketë druajtje në këtë aspekt. Në njërën anë kemi kapacitete edhe pse të kufizuara”, ka treguar ai.

Zeka ka thënë se një pjesë e madhe e njerëzve po vazhdojnë punën nga shtëpia, ndërsa një pjesë e tyre nuk e kanë të munduar të dalin në vendet e tyre të punës për shkak të pandemisë që është përhapur në Kosovë dhe gjithë globin. Sipas tij, një sërë ligjesh kanë mbetur pa u shtyrë përpara për shkak të vonesës së konstituimit të institucioneve. “Ndërmarrjet nuk do të jenë në gjendje t’i kryejnë detyrimet e tyre. Kanë mbetur një sërë ligjesh të cilat, për shkak të vonesës në konstituimin e institucioneve të reja, kanë mbetur pa u shtyrë përpara. Me krijimin e qeverisë së re prisnim që këto procese të reformave të ecnin përpara, fatkeqësisht është diçka që po presim të ndërrohet sidomos në këtë krizë që vendi po hyn”, ka shtuar Zeka.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tre nga gjashtë të infektuarit me koronavirus në Gjakovë janë…