Enrique në opsion për të marrë drejtimin e Chelseat

08 shkurt 2023 | 15:34

Pas shpenzimeve marramendëse  në afatin kalimtar të janarit, duket se Chelsea dëshiron të bëjë edhe një investim të madh në stafin drejtues. Për këtë arsye, sipas të përditshmes britanike “The Sun”, klubi londinez po studion mundësinë që të afrojë trajnerin spanjoll Luis Enrique.

Ky i fundit ka drejtuar Kombëtaren spanjolle, me të cilën u nda pas përfundimit të Botërorit “Katar 2022” dhe aktualisht është i lirë.

Enrique ka pranuar disa herë se dëshiron të nisë nga puna në drejtimin e një klubi të madh, por jo duke marrë një ekip në mes të sezonit, por në fillimin e tij.

Për këtë arsye, te Chelsea po mendojnë t’ia besojnë atij drejtimin e skuadrës sezonin e ri, duke larguar trajnerin aktual Graham Potter. Ky i fundit nuk po bind klubin dhe tifozët e Chelseas, që është jashtë zonës së Champions League në kampionat. Duket se klubi do ta lërë deri në fund të sezonit, për ta larguar.

Luis Enrique shihet si personi i duhur për të rikthyer Chelsea në lavdi, teksa trajneri spanjoll pat fituar me Barcelonën si titullin kampion në La Liga ashtu dhe Kupën e Mbretit e Champions. Palët kanë nisur kontaktet e para, por në mes të sezonit nuk do të bëhet asnjë lëvizje për t’i dhënë mundësi Potter të reagojë pozitivisht.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Personi me inicialet G.K është dënuar me burgim të përjetshëm…