Enver Hoxhaj: Votuesi i beson PDK-së

16 gusht 2019 | 14:37

Zëvendëskryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka thënë se afrimi i zgjedhjeve ka shpërfaqur hapur frikën e partive politike prej mbështetjes që po i japin qytetarët PDK-së.

“Në panik për të siguruar sa më shumë vota, ato po harrojnë i neglizhojnë edhe programet e tyre politike si dhe qasjet e ndryshme për shtetndërtimin e Kosovës dhe po nxitojnë të krijojnë koalicione edhe me partitë me orientime programore të kundërta. Ndoshta kështu e zbusin frikën që e kanë nga forca dhe stabiliteti i PDK-së! Qytetarët e kanë dëshmuar se kanë kulturë demokratike. Ata i kuptojnë dhe analizojnë qëllimet e synimet dhe mbesin besnikë të atij subjekti i cili po ashtu iu qëndron besnik atyre, si në orientim programor, si me forcën për të sjellë edhe vendime të rënda, afatgjate dhe të mira për vendin”, ka shkruar Hoxhaj në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ai ka shtuar se PDK-ja vazhdon të jetë forcë bindëse dhe e palëkundur. “Votuesi i beson PDK-së dhe PDK-ja i beson votuesit të vet. Kjo lidhje e fuqishme i tmerron partitë tjera. Kjo lidhje e bën të pashmangshme dhe të paevitueshme fitoren e besimit të qytetarëve”, ka shkruar Hoxhaj.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Futbollisti i Gjakovës, Nue Nreca, mund të transferohet gjatë këtij…