Epilogu i hetimeve të dymilionëshit duhet të kryhet sa më shpejt

02 janar 2021 | 11:05

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka bërë me dije se gjatë periudhës kohore qershor – dhjetor 2020 aktiviteti i kryesor i Ministrisë së Financave (MF) ka qenë i fokusuar në adresimin e sfidave financiare të krijuara nga pandemia Covid-19.

Në intervistën dhënë për gazetën “Epoka e re”, ajo ka theksuar se kanë zbatuar pjesën më të madhe të masave të Pakos së Rimëkëmbjes për vitin 2020, me përftues mbi 36 mije biznese.

“Kemi financuar shëndetësinë, arsimin, kulturën, sportin, policinë si dhe kemi mbështetur familjet në asistencë sociale të cilave ua kemi dyfishuar të hyrat për tre muajt e fundit”, ka thënë Bajrami, e cila ka folur edhe për vjedhjen e dy milionë eurove.

Ajo pret që këto mjete të kthehen në thesarin e shtetit dhe rasti të zbardhet në tërësi.

“Epoka e re”: Z. Bajrami, çfarë reformash keni bërë gjatë mandatit tuaj në krye të MF-së dhe si e keni përmbyllur këtë vit?
Bajrami: Gjatë kësaj periudhe kohore qershor – dhjetor 2020 aktiviteti i kryesor i Ministrisë së Financave (MF) ka qenë i fokusuar në adresimin e sfidave financiare të krijuara nga pandemia. Siç jeni në dijeni, pandemia e virusit ‘Korona’ ka shkaktuar vështirësi të konsiderueshëm në punën e bizneseve dhe kjo ka rezultuar, padyshim, me rënien e të hyrave për buxhetin e shtetit. Menjëherë pas marrjes së mandatit, në muajin qershor 2020, MF në afat rekord ka rishikuar buxhetin e vitit 2020, duke konsultuar organizatat buxhetore. MF ka qenë aktorja kryesore për hartimin e Programit për Rimëkëmbje Ekonomike, hartimit të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike Covid-19. Menjëherë pas aprovimit të rishikimit të Ligjit të Buxhetit ne jemi angazhuar për ekzekutimin e masave të pakos së mëhershme dhe kemi mbështetur ministritë e linjës për përgatitjen për implementim e një sërë masash të programit për rimëkëmbje ekonomike. Si pasojë e implikimeve të krijuara nga rënia e aktivitetit ekonomik të ndërmarrjeve kosovare për shkak të pandemisë, ne është dashur ta bëjmë edhe rishikimin e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve 2021-2023 dhe menjëherë pas këtij procesi, kemi filluar përgatitjen e buxhetit për vitin 2021, i cili, pas aprovimit në qeveri, është dorëzuar në Kuvend.
Sa i përket sigurimit të financave publike të qëndrueshme, përmes reformave në menaxhimin e financave publike dhe bashkëpunimit me institucionet financiare ndërkombëtare kemi shënuar arritje të rëndësishme. Në këtë drejtim kemi arritur t’i përmbyllim procedurat për nënshkrim të nëntë marrëveshjeve në vlerë financimi rreth 250 milionë euro, ku 213 milionë euro janë financim për luftën ndaj pandemisë Covid-19. Financimi përfshin rreth 26 milionë euro pajisje mjekësore dhe rreth 30 milionë intervenime në sektorin shëndetësor.
Kemi zbatuar pjesën më të madhe të masave të Pakos së Rimëkëmbjes për vitin 2020, me përftues mbi 36 mijë biznese; kemi financuar shëndetësinë, arsimin, kulturën, sportin, policinë si dhe u kemi dalë në mbështetje familjeve në asistencë sociale të cilave ua kemi dyfishuar të hyrat për tre muajt e fundit.
Në aspektin e harmonizimit të legjislacionit në fushën e financave publike në harmoni me obligimet e dala në Marrëveshja për Stabilizim Asociim, gjatë kësaj periudhe kemi aprovuar në qeveri 16 ligje të rëndësishme. Kemi lansuar procesin e përgatitjes së Programit të Reformave në Ekonomi 2021-2023 dhe tashmë drafti i përgatitur është publikuar në platformën për konsultime publike.

“Epoka e re”: Tani që kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka konstatuar se qeveria Hoti ishte e paligjshme, çfarë reformash kanë ngelur në gjysmë që ju i kishit objektiv të punës për vitin 2021?
Bajrami: Planprogrami i Qeverisë së Kosovës 2020-2023 parasheh një sërë reformash të rëndësishme të cilat synojnë fuqizimin e ekonomisë së Kosovës në periudhën pas pandemisë dhe natyrisht se këto reforma kërkojnë një periudhë të caktuar kohore për t’u përmbushur në tërësi.

“Epoka e re”: Në mandatin tuaj ndodhi skandali i vjedhjes së 2.1 milionë eurove, ndërkohë që paratë nuk u kthyen më në buxhetin e shtetit. Çfarë do të bëhet lidhur me këtë?
Bajrami: Menjëherë pas marrjes së njoftimit për këtë incident ne kemi ndërmarrë veprime të menjëhershme duke i njoftuar organet e ndjekjes të cilat po merren me zbardhjen e këtij rasti. Po ashtu, brenda mandatit tonë kemi ndërmarrë veprime institucionale në drejtim të fuqizimit të sistemeve të teknologjisë informative dhe protokolleve të brendshme në Thesarin e Shtetit. Ne si Ministri e Financave jemi tejet të interesuar që epilogu i hetimeve nga organet e ndjekjes të kryhet sa më shpejt. Mirëpo, me qëllim të mos dëmtojmë proceset e hetimit, ne rezervohemi të lëshohemi në detaje.

“Epoka e re”: Në rast se këto mjete s’do të kthehen asnjëherë edhe nëse s’jeni më në krye të ndonjë dikasteri ekonomike, a do të kërkoni që të ndiqet tutje ky rast?
Bajrami: Që nga dita e parë kur ka ndodhur incidenti në fjalë, unë si ministre e Financave i kam ofruar bashkëpunim të plotë prokurorisë së shtetit në mënyrë që ky akt i ulët, i cili dëmton interesin publik përmes vjedhjes së taksave të qytetarëve, të zbardhet me sukses. Po ashtu, konsideroj se kam qenë mjaft transparente me publikun duke e ndarë me opinionin këtë shqetësim të përbashkët për aq sa lejon legjislacioni në fuqi. Ky rast duhet të ndiqet jo për arsye se është kërkesë e imja, por sepse është obligim i institucioneve të drejtësisë ndaj qytetarëve të vendit. Unë gjithmonë do të kërkoj që mjetet të kthehen në thesarin e shtetit dhe rasti të zbardhet në tërësi.

“Epoka e re”: Sa mjete i keni planifikuar për rimëkëmbje ekonomike për vitin 2021?
Bajrami: Në Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike Covid-19, i cili është aprovuar tashmë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, janë përcaktuar masa të rëndësishme të cilat synojnë të fuqizojnë bizneset dhe t’i mbështesin qytetarët e Kosovës. Një nga to është ulja e TVSh-së për hotelerinë dhe gastronominë nga 18 për qind në 8 për qind; rritja e kapitalit të Fondit Kosovar për Garantimin e Kredive, përmes të cilit do të përmirësohet ndjeshëm qasja në financa e kompanive kosovare, e fermerëve, por edhe e grave në biznes. Po ashtu, një nga masat e mbështetjes direkte financiare për bizneset përfshin shumën prej 200 milionë eurosh përmes së cilës do të ndahen mjete për bizneset e goditura nga pandemia. Masa tjetër shkon në mbështetje të punëtoreve të cilët e kanë humbur vendin e punës për një periudhë tremujore gjatë kohës së pandemisë, për të cilët do të paguhet një shumë prej 300 eurosh për tre muaj.

“Epoka e re”: A do t’i hyni garës në listën e LDK-së për deputete?
Bajrami: Në këtë periudhë jam tejet e angazhuar në ministri sa i përket përmbylljes së punëve të këtij viti fiskal. Për çështjen e garës zgjedhore ende nuk kam vendosur.

“Epoka e re”: Cilat janë pritjet tuaja nga elektorati i LDK-së, marrë parasysh se Vjosa Osmani s’do të jetë pjesë e kësaj partie?
Bajrami: LDK-ja është një parti me traditë të gjatë politike dhe me një elektorat të emancipuar. Elektorati i saj e njeh mirë filozofinë e LDK-së si një parti shtetformuese nga e cila pritet që ta vazhdojë tutje misionin e saj të fuqizimit të institucioneve, konsolidimit të shtetësisë së Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, zhvillimin ekonomik dhe integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike.

Albulena S. MAVRAJ

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të paktën 33 shtete kanë raportuar për raste me variantin…