Era e lirisë valviste flamurin e gjyshit

17 tetor 2023 | 21:21

Shkruar nga: Teuta Haxhimusa-Çerkini, sipas rrëfimit të Ahmet S. Hoshës

Bombardimet e NATO –s kishin filluar, qyteti i Ferizajt gumëzhinte nga ushtria e policia serbe. Ne djemtë e lagjes bënim roje vazhdimisht ditë e natë, edhe pse nuk ishim të armatosur. Ditët e netët vinin e bëheshin edhe më të ankthshme e të rënda. Dikur, e gjithë lagjja jonë vendosën të largohen për Maqedoni. Vëllau i madh mori nënën, dy motrat dhe dy vëllezërit dhe u nisë drejt kufirit me gjithë fqinjët, ndërsa babai nuk e lëshoi shtëpinë, qëndroi i vetëm në shtëpi bashkë me Benin, qenin tonë. E mua nuk më bënte zemra as të shkoja me familjen në Maqedoni, e as të rrija në shtëpi me babain. Me 3 prill mora vendimin, u nisa arave, drejt e në Greme që t’u bashkohesha ushtarëve të UÇK-së. Meqë kisha punuar në Greme para lufte si zdrukthëtar, e njihja mirë atë anë. Si dukej këmbët më drejtonin vetë, sepse mendjen e kisha gjetiu, isha i humbur në mendime. Si në shirit filmi, më vinin epizode nga gjithë jeta e familjes sime prej se isha fëmijë. Mu kujtua rasti kur serbët i kishin bastisur shtëpinë e gjyshit dhe e kishin gjetë një hartë të Shqipërisë, mu kujtua bujaria e gjyshit që nuk e lëshonte askënd pa bukë, kripë e zemër, mu kujtua kokëfortësia e tij si ballist, i cili gjithë jetën nuk iu përkul regjimit serb. Mu kujtua korrespodenca që unë ia mbaja me  mikun e tij, Adem Gllavicën. Mu kujtuan demostratat në qytet. Mu kujtua flamuri që gjyshi e ngriste mbi kulm çdo 28 Nëntor dhe çdo festë Bajrami.

“Unë s’kam luftu bir për japia e tapia” – mu duk se po e shihja gjyshin tek e thoshte kaq shpesh këtë frazë, ndërsa e hapte kutine e duhanit, ku kishte të gravuar shqiponjën me dy krerë.

“Çka e ke vnu atë naltë” – i kishte thënë një serb, duke mos e përmend fare emrin e flamurit. “Po e kqyr ka i bjen Nishi” – ia kishte kthyer gjyshi, pa iu trembur syri.  Seç më vinin aq të freskëta këto skena bisedash, ngjarjesh, kujtimesh të gjyshit. Nuk e di pse gjyshi s’po më shqitej nga mendja gjithë rrugës që po e bëja drejt Gremës. Ishte ai që po më shoqëronte e frymëzonte në rrugën time drejt luftës për liri, apo isha unë që me hapin që e kisha nisur, po e shoqëroja në rrugëtimin e tij kombëtar e patriotik. E ndjeja aq afër, nuk ndjehesha i vetmuar, ai ishte me mua.

Me gjithë këto mendime arrita në shtabin e Gremës dhe iu bashkova shokëve. Numri i ushtarëve kishte fillur të rritej pas betejës së 2 prillit. Shtabi ishte te Haxhi Qerimi. Vazhduam të mbanim roje ditë e natë që mos të na zinin serbët në befasi. Unë u caktova te pika e Varvarëve, lagjja e Karametave. Ne kishim urdhër të mos shtinim, edhe pse serbët i kishim shumë afër. I shihja tek plaçkisnin gjërat e vlefshme nga shtëpitë dhe i ngarkonin e i bartnin, pastaj ia shtinin flakët shtëpive. Por, ne nuk duhet të provokonim ndonjë sulm, sepse prapa nesh i kishim popullatën civile te Lugu i Arrës, që kishin ngritur tendat e tyre prej najloni.

Ishte mesdita e 22 prillit kur forca serbe marshuan drejt nesh. Një copë bukë e futa shpejt në xhep, nuk pata kohë ta haja, kur erdhi urdhëri të pozicionoheshim afër shtëpisë së Amerikanit. Serbët po vinin shpejt drejt nesh. Dëgjuam nga shokët se Sala ishte qëlluar në kokë. Ky lajm e goditi dhe e demoralizoi shumë Ragipin, vëllain e tij. “Mos u ban merak se nuk ështe kaq keq,  Sala ka ecë me këmbë të veta”- shokët u munduan ta qetësonim Ragipin. Luftimet u bënë të ashpra, zgjatën disa orë. Shokët filluan të tërhiqeshin. Kisha mbetur unë dhe dy ushtarë tjerë që po e gjuanim me të madhe transporterin serb, i kishim thyer dritat, por ai ishte i vendosur të vinte drejt nesh. U ngritëm të iknim ne tre, por transporteri po i binte rrugës trup për të na prerë rrugën ne treve. Në ato çaste kritike, Sevdushi me shokë, të pozicionuar në vijë më poshtë, e gjujtën transporterin me mortajë. Ndonëse nuk e kishin qëlluar, shkrepja e mortajës e ndali në vend transporterin, kështu që ne tre shokët arritëm të shpëtonim. Duke u zvarritur në baltë, duke bërë ramje e rrotullime, arritëm t’i shpëtojmë breshërive të plumbave dhe t’i bashkohemi shokëve që ishin tërhequr më lart. Transporteri më pastaj i ishte qepur grupit të Sevdushit, të cilët ishin ngujuar në shtëpi të Amerikanit. Pas shumë luftimeve, ia kishin dalë që nga dritarja e banjos të tërhiqeshin dhe të shpëtonin.

Të gjithë ishim shumë të rraskapitur, i kishim shpëtuar një sulmi tejet të ashpër. U shtriva pak të pushoja, kisha shumë uri, mu kujtua buka, që e kisha ende në gjep. E nxora ngadalë dhe e ndava me shokët. Nuk kishim ujë për të pirë. U ngrita dhe shkova të mbush ujë. Atje lart, takova disa civilë, të cilët ishin shumë të shqetësuar nga beteja. Ishte përhap lajmi se ushtarët tanë kanë ikur. E mora njërin  prej tyre që të vinte të më ndihmonte ta qoja ujin atje poshtë në shtab, por edhe që të bindej se ushtarët tanë ishin aty. Gjatë betejës aty kishte rastisur një grup oficerësh nga Drenica së bashku me Lum Haxhiun. Njëri nga ata mu afrua dhe më tha “të kemi vëzhguar nga larg, ty  s’po të rroke plumbi more vëlla, duhet të vijsh me ne si njësi speciale”.  Po, çka ka me ba atje me juve – e pyeta. “ “Të luftosh me serb”- ma ktheu. Po edhe këtu kena plotë– ia ktheva duke qeshur.

Forcat serbe gjatë sulmit na erdhën nga Gaçka, meqë kishte shumë rrugë andej, e mendonim rrezikun se mos vinin edhe nga Burrniku, e pastaj popullata do të mbetej në mes. Isha unë e Ardiani që u caktuam të ruanim në një pikë të largët mbi civilët, në drejtim të Burrnikut, për të vrojtuar situatën. Kishte ra shi pa fund, na kishte depërtuar të ftohtit në palcë, ishim të lagur, të uritur, e të rraskapitur nga luftimet e ditës. Provuam ta ndiznim një zjarr, por nuk kishim me se ta ndiznim. E hoqa këpucën, e zbatha qorapën dhe i vura shkrepsën. Qorapa ime më në fund na e ndezi zjarrin. Na u ngroh pak shpirti. Mezi mbanim kapakët e syve nga kapitja aq e madhe. Atë natë shumë vonë, Komandant Ferri e Hysen Shahini na mblodhën të gjithë ushtarëve dhe na udhëzuan, atyre që nuk ua lexojnë emrat, të shkojnë të pushojnë, të flenë, sepse nesër do të niseshin për Jezerc.  Mua nuk ma lexuan emrin, shkova të pushoj dhe të neserëmën që pa gdhirë u nisëm për Jezerc e pastaj drejt e në Mollopolc.

U pozicionuam në pikat që na i caktoi Inxhinieri. Bënim roje, ndërroheshim me njëri-tjetrin gati një javë rresht. Ishte 30 prilli. Isha në pikë me Hamdiun, Shabanin. Një gjarpër kishte qenë non-stop afër meje, por nuk e kisha hetuar. E mora një shkop ta largoja. Gjarpi e kafshoi shkopin dhe u kap fort për shkopi. Ashtu arrita ta largoja nga pika. Nuk e mbyta, shokët më thanë nuk është mirë me mbytë. Nuk vonoi shumë e filluan granatimet. Ne kishim rregulluar istikamin tonë si një trap, e kishim groposur paksa dhe kishim bërë vrima në murin e istikamit, që të fusnim gojën të hapur kur binin granatat, që mos të na pëlcitnin veshët dhe të mbroheshim edhe nga helmi e tymi i tyre. Po të binte granata para istikamit mund të mbroheshim disi, po po të binte prapa istikamit, nuk na mbronte asgjë. Granatat filluan të na vinin njëherë tek -tuk, e pastaj me vrull saqë asgjë nuk shihnim, gjithçka bëhej tym e pluhur përreth. Dëgjova rënkimet e shokëve, ishin plagosë Hamdiu e Shabani. I pari u tërhoq Hamdiu, por Shabani ishte shumë keq, nuk lëvizte dot. Ishtë qëlluar në pjesën e barkut. Shabani na tha ta linim aty, mos të rrezikonim vetën, të iknim. Dukej i pashpresë. “Ecë more qu se ti ke me lujt futball, ku me të kap, o shoq” – i thashë. Si mund ta linim shokun tonë të plagosur. U desht ta tërhiqnim nga jaka e uniformës, e ulëm në një dru, vendosi duart mbi shpatullat e ne dyve dhe ashtu vazhduam ta tërhiqnim midis breshërive të copëzave të granatave. Rruga deri te shtabi ishte një orë larg. Hapat e tonë ishin aq të vogël, pesha e Shabanit diku rreth 80 kg veq se po vinte e po bëhej sa një ton për mua dhe shokun. E dëgjova zhurmën e një granate, e cila fërshëlleu dhe ra në të majtën tonë, por fatmirësisht u ngul në baltë dhe nuk shpërtheu. “O Zot i madhërishësh, na shpëtove” – këlthita në ato çaste. Vazhduam edhe pak, por në një moment u ndalëm pak para një grope uji midis rrugës, që kishte bërë ndonjë traktor. Piva ujë dhe i lava sytë   aty, sepse gati po alivanosesha. Pasi morëm forcë, ia kërkova pushkën, i hoqa karikatorin ….. dhe e ulëm Shabanin mbi pushkë, sepse druri ishte i papërshtatshëm. Nuk vonoi shumë kohë dhe na erdhi ndihma. E lëshuma Shabanin në tokë, kur po i vendosnin fashën, e pashë se zorrët i dolën jashtë. E vendosën në lese Shabanin, e dërguan shpejt në spitalin e shtabit të Mollopolcit. Deri aty isha i fortë, më dukej se po më kontrollonte autopiloti im, por sapo na e morën Shabanin, kur e pashë në  çfarë gjendje ishte Shabani disi u përhumba. I përhumbur sillesha rreth e rrotull në shtab, nga shtabi u nisa rrugës për në pikë, rrugës më takoi Inxhinieri.

” Ku po shkon, Ahmet” – më tha.

Te pika me luftu – i thashë.

“Po ku i ki armët, kthehu” – më tha

Duket se sjellja ime, përgjigjet e mia duhet të kenë bindur Inxhinierin, se unë nuk isha mirë në ato momente, isha i tronditur.

“ Shko flej, ke nevojë të pushosh” – më tha.

Nonëse u zgjuam ende pa zbardh dita për të dalë në pikë, duket se orët  e gjumit që kisha bërë më kishin sjellur në vete. Kisha kaq shumë uri, sa po e lusja një ushtar të vinte të më ndërronte veq të haja bukë kur të vinte koha e bukës.

Shkova në pikën e vjetër, i gjeta armët dhe dylbitë që i kisha fshehur, por meqë shokët e pikës mu kishin plagosur, Inxhinieri më tha të shkoja më poshtë te pika e Kryqit të Dremjakut t’u qoja dylbitë dhe të rrija me ata. Në atë pikë ishin Ylber Ahmeti, Shabi Murseli, Abdyselam Ahmeti. E ndezëm një cigare dhe me rend po thithnim nga një tym. Edhe buka na erdhi, na e solli një ushtar me thes. Sa u gëzova. Më në fund do të haja. Po si duket serbët e kishin përcjellur se ku po hynte ushtari me thes dhe tenxhere, e kur ne po thithnim cigaret, na kishin vënë në shënjestër dhe përnjëherësh filluan ta rrahin kryqin e Dremjakut me gjithë arsenalin që kishin. Nuk arritëm ta përfundonim cigaren, e lere më të hanim bukën. I mbeti Abdyselamit cigarja e ndezur në dorë, intensiteti i granatimeve u shtua aq shumë, nuk shihnim asgjë, tym e pluhur. Më goditi një copë granate afër veshit të majtë, në fytyrë dhe ndjeva një dhimbje të madhe, gjaku më vërshoi krejt fytyrën. Dëgjova rënkimet e shokëve. O zot ndihmom, nuk do të vdes këtu – thashë dhe instikti më drejtoi të ngrihem në këmbë dhe të ikë nga aty. Plumbat e copëzat e granateve fërshëllonin rreth meje, i shihja degët e lisave që i prenin, po mua nuk më qëllonin. E kisha hequr ndërresën e brendshme dhe e kisha lidhur fytyrën. Nuk vonoi shumë dhe më gjetën rrugës shokët, erdhën ndihma e shpejtë. Unë nuk kisha nevojë të shtrihesha në lese, ecja me këmbët e mia, por vetëm më drejtonin kah të ecja, sepse nuk shihja asgjë. Në spital, më futën në dhomën që kutërbonte erë shumë të keqe. Doktor Besimi ma qepi plagën në fytyrë, pa anestezion. Infermierja ma shtypte plagën që të ma ndalte gjakderdhjen. Dhimbja ishte e padurueshme. Aq ishte dhimbja e madhe në fytyrë saqë nuk e ndjeja fare plagën tjetër prapa nën sqetullën e majtë. Atë ma vërejtën mjekët, ma pastruan dhe i vunë një fashë përmbi. Por, në fakt aty ishte  ngulur thellë në muskul një copëz granate 1cm e gjatë dhe 0.5cm e gjerë, e cila falë dendësisë së muskujve që kisha si sportist, ishte ndalur në muskul dhe nuk kishte depërtuar drejt zemrës. Një copëz e vogël granate mu kishte ngulur në ashtin e gishtit të mesëm të dorës së majtë, po as që e ndjeja. Edhe hundën e kisha të thyer, por nuk e ndjeja. E gjithë dhimbja ime e madhe ishte fytyra dhe veshi. Shpërthimi i granatës ma kishte dëmtuar veshin e majtë. Me këto dhimbje dola nga dhoma e spitalit se doja të villja nga era e keqe dhe shkova dhe u shtriva në një dhomë pak më larg. Po nuk vonoi shumë, pas tri apo katër orësh më shpërtheu gjakderdhja nga plaga e fytyrës. Erdhi dhe ma qepi përsëri, në shkallët e asaj shtëpie një infermier, i cili ma dha një vitaminë C. Atë e kishte. As nuk mund të flija, as nuk mund të rrija në këmbë, e as të ulesha. Po binte terri, e ndërsa unë po e luftoja atë dhimbje te çmendur, treguan se Abdyselam Ahmeti kishte ndërruar jetë. Ajo dhimbje e tmereshme fizike që e kisha përjetuar deri në ato çaste, nuk ishte asgjë në krahasim me dhimbjen e madhe që më shkaktoi ai lajm ugurzi. Qava me të madhe, unë i forti, që nuk kisha derdh lotë kurrë. Nuk mund të besoja se Abyselami, ai djal i ri, i bukur, i qeshur nuk jetonte më, ishte vrarë. Pse vallë unë kisha shpëtuar. Zhvillimi i shpejtë i ngjarjeve dramatike nuk na lejonte të rrinim gjatë në asnjë përjetim, sepse ishte luftë për ekzistencë. U desh shpejt të ngrihesha sepse po na thërrisnin të plagosurve. “Kush mund të ecë, menjëherë sonte do të niseni për Jezerc” – tha doktor Nehati. Rrethi po ngushtohej, pikat po binin, duhej të na tërhiqnin ne të plagosurve. Na i përgatitën shpejt letrat e lëshimit dhe u nisëm në këmbë një grup bashkë me Naim Bekën -Sokolin dhe Agim Matoshin. Doktor Nehati qau kur na tha rrugë e mbarë.  

Në Jezerc na gjeti konak Komandant Adidasi. Ai ishte në luftime të ashpra me forcat serbe. “ Si me m’ardhë një mijë ushtarë”- tha dhe u gëzua shumë kur e pa Sokolin.  Sokoli me shokë i ndihmuan atë natë në luftime, kishin arritur t’i zbrapsin serbët, ndërsa neve të plagosurve na e lanë një ushatarë të na ruante. Na ushqyen, edhe pse unë nuk mund të haja sepse nga goja e nga hunda rridhja gjak. Flemë atë natë aty në shtab të Jezercit. E të nesermen në ora 12 na ushqyen. Komandant Adidasi i urdhëroi të na jepnin bukë me vete, se kush e di sa do zgjaste rruga dhe në ora 12:30 u nisëm për Greme. Por, te pika 5 ramë në pritë të forcave serbe. Luftimet zgjatën disa orë. Ra nata, e dikur vonë u nisëm drejt Burrnikut. Sokoli nuk na linte të flinim, na linte vetëm pak minuta të pushonim dhe na nxiste të vazhdonim rrugën. Kur mbërritëm tek Lugu i Arrës në Greme kishin kalur 19 orë prej se ishim nisur nga shtabi i Jezercit. Ishim të rraskapitur dhe u futëm në tendat prej najloni që kishin mbetur të boshatisura nga civilët dhe fjetën shokët si të vdekur, sepse unë nuk mund të flija nga dhimbja e madhe. Aty qëndruam ditë me radhë, por plaga ime në fytyrë ishte enjtur dhe ishte përkeqësuar shumë. Ditë të tëra nuk kisha mundur të flija nga dhimbja. Dikur, shokët ushtarë e sollën një infermier nga Varoshi, Daut Dergutin, i cili ma pastroi plagën. Ai erdhi tri herë të ma pastronte pagën, e cila kishte filluar të qelbej. Deshi të rrinte aty derisa të shërohesha, por nuk pranuam. Me 11 maj, bashkë me ushtarin Bashkim Haxhimusa, natën u nisëm nga Gremja të shkonim arave rreth e rrotull që të gjenim Doktorin, Avni Neziri, që t’i hiqja penjët. Kishin kaluar 11 ditë nga qepja. Doktor Avniu nuk mund t’mi hiqte penjët pasi plaga ishte shumë e enjtur. Duhej që të largohej e enjtura me akull, e pastaj të largoheshin penjët. Kështu që atë natë vendosa të shkoja në shtëpinë time, edhe pse ishte rrezik gjithandej kishte forca serbe.

Kisha frikë se Beni, qeni ynë do të më lihte se ishte mjaft armiqësor ndaj kujdo që hynte në oborr. Po të lihte ai, e po ta gjuaja me revole, do të mund të vinin policia e ushtria serbe. Isha në dilemë, kisha mbetur mbi mur të oborrit, çfarë të bëja. Dikur vendosa të hyj të bëhej ç’të bëhej. Por qeni nuk doli. I trokita babës në dritare.

 Ku është Beni – ishte pyetja ime e parë.

“ E kanë vra shkijet” – tha baba dhe më futi brenda shpejt kur më pa me fasha.

“Jam plagosë pak, po kurgjë s’është” – i thashë babës që të mos merakosej.

Shtëpia ishte mbushur me refugjatë nga Drenica. Atë natë dhe natën vjuese arrita me akuj ta sillja plagën në gjendjen e duhur. Me 13 maj, te shtëpia e Hida Mustafës, Doktor Avnia mori dhe i dezinfektoi një brisk të rrojes, një pincetë dhe me ato mi preu dhe largoi penjët. Po atë ditë, të zotit të shtëpisë i lindi gruaja një vajzë. Erdhën shokët usharë, më morën e më kthyen në Greme. Plaga ende ishte e ndishme, por Sala ma dha një ilaq, që ai e kishte përdorë për plagën e tij. Me atë e lyeja dhe dalëngadalë filloi të shërohej, e unë fillova të dalë sërish në pika. Shtabi i Gremës ishte pikë e rëndësishme logjistike. Neve çdo natë na vinin të kalonin transit ushatarë, oficer nga zonat e tjera. Ne kishim parollat dhe nuk e lëshonim askënd pa e ditë parollën. Ata që e dinin i ushqenim, u bënim konak në xhami dhe i përcillnim të nesermën. Në njërën nga netët ishte një grup, por që përcjellësi i tyre nuk e dinte parollën. Unë po i thoja se po qe se nuk e di parollën nuk mund të të lëshoj. “O Ahmet, a je ti” – ma kish njoft zërin Piktori, që ishte bashkë me Malin, Besnikun e disa oficer nga zonat e tjera. “Po s’paske kurgjë more burrë, çka thojshin Ahmeti e ka keq ftyrën” – tha Piktori si me shaka, duke më përqafë.

Kështu pritnim e përcillnim, bënim roje deri më 11qershor 1999 kur trupat tokësore të NATO –s po hynin në Kosovë. I përcolla deri te hekurudha dy shokë ushtarë, njëri prej tyre po kërkonte vëllain, kishte dëgjuar se i është vrarë.  U ktheva në shtëpinë time, u vesha civil, armën me vete, edhe dy bomba dhe eca nga kurreshtja nëpër rrugët e qytetit. Popullata serbe dhe forcat ushtarake serbe vlonin si bletat e trazuara, po bëheshin gati të iknin. Një kamion i madh me shenjën e kryqit të kuq dhe flamurin rus ishte parkuar në qendër të qytetit të Ferizajt dhe ishte i rrethuar me civilë serbë. Hyra në një vetëshërbim, e bleva një çokoladë, më kishte marrë fort malli për një çokoladë. Kur desha të paguaj, arkatarja ma pa karikatoin, por nuk bëri zë. Dola, eca drejt e në shtëpi, u vesha prap me uniforrmë, mora flamurin e gjyshit me vete në shtabin e Gremës. “Ku e gjete bre flamurin” – më pyeti Sokoli kur e vendosëm në shtabin e Gremës. “Është i gjyshit, shpija jonë kurrë nuk kemi nejt pa flamur” – i thashë Sokolit dhe në atë çast mu duk se gjyshi po me shikonte i gëzuar.  Ndjeva një qetësi shpirtërore, një ndjenjë paqeje e krenarie, liria po vinte, era e saj po e valviste shqiponjën në flamurin e gjyshit!

“Tash që e fituat lirinë – çfarë do të beni”- më intervistoi një gazetare e CNN sapo erdhën trupat e NATO-s. E kemi mundur armikun me luftë, tash duhet ta mundim edhe me shkollim – iu përgjigja.

Ahmet Sahit Hoxha u lind me 01.07.1973 në Ferizaj. Ahmeti është nipi i Ymer Hoxhës (1907), i cili ishte djali i tretë i Ahmet Sahitit (mulla i shkolluar në Turqi). Ahmeti S. Hoxha shkollën fillore dhe të mesme e ka kryer në Ferizaj. Me profesion ishte zdrukthtar. Iu bashkua UÇK-së në prill të vitit 1999. Gjatë luftimeve, me 1 maj plagoset te udhëkryqi i Dremjakut. Ahmeti e mban statusin e invalidit të luftës së UÇK-së. Ishte i martuar me bashkëshorten, Xhemaile Hoxha dhe kanë dy fëmijë, Altrinën dhe Ajanin.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ekipi i një televizioni turk raportohet se është goditur me…