Erdogani: Aleatët e NATO-s duhet t’i respektojnë shqetësimet e Turqisë

18 maj 2022 | 13:54

Turqia  është duke vazhduar ta kundërshtojë aplikimin e Finlandës dhe Suedisë për anëtarësim në aleancën e NATO-s.

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ka thënë se ai pret që aleatët e NATO-s ta kuptojnë ndjeshmërinë e Turqisë për sigurinë.

Në një fjalim para ligjvënësve nga partia e tij në pushtet, ai ka përsëritur pikëpamjen e tij se delegacionet suedeze dhe finlandeze nuk duhet të shqetësohen të shkojnë në Turqi për të diskutuar çështjet.

Ai ka thënë se Suedia nuk duhet të presë që Turqia të miratojë aplikimin e saj për anëtarësim në NATO pa kthyer “terroristët”.

Turqia është duke akuzuar dy vendet nordike se janë duke strehuar anëtarë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), një grup që ky shtet e sheh si një organizatë terroriste, dhe pasuesit e Fethullah Gulenit, të cilin Ankaraja është duke e akuzuar për orkestrimin e një përpjekjeje për grusht shteti të vitit 2016, raporton “BBC”.

Sipas agjencisë zyrtare turke të lajmeve, Finlanda dhe Suedia kanë refuzuar dhjetëra kërkesa për ekstradimin e militantëve kurdë, të cilët Turqia i përshkruan si terroristë.

Pa mbështetjen e të gjithë anëtarëve të NATO-s, Suedia dhe Finlanda nuk mund t’i bashkohen aleancës ushtarake, megjithëse presidenti i ShBA, Joe Biden, ka thënë dje se ishte i bindur se mund të arrihet konsensusi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në traditën e Takimeve në Tiranë (2019, 2021), Gjakovë (2019,…