Takimi i madh i Prishtinës për integrimet ndërshqiptare e ndërballkanike

18 maj 13:53

Në traditën e Takimeve në Tiranë (2019, 2021), Gjakovë (2019, 2021), Plavë-Guci (2019, 2021) e Shkodër (2021), u mbajt në hotelin pesë yjesh “Sirius” (në salla e konferencave  “Andromeda” e salla tjetër “Orion”), më 13 maj 2022: “Takimi i Madh i Prishtinës”, Takim PanShqiptar-NdërBallkanik-EuroAtlantik, me moton “Integrimet NdërShqiptare e NdërBallkanike”, organizuar nga “Gazeta e Alpeve” në bashkëpunim me komunën e Prishtinës, ku merrnin pjesë 152 akademikë, diplomatë, biznesmenë, politikanë, shkrimtarë, gazetarë, ushtarakë të karierës në luftë e paqe, veprimtarë të shoqërisë civile, nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Lugina e Preshevës e Sanxhaku, Maqedonia e Veriut, Europa e Amerika.

Nderonin me praninë e tyre Liburn Aliu- Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës i Kosovës, Rozeta Hajdari- Ministre e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë; ambasador Flamur Gashi dhe Dedë Prengaj– dy këshilltarë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë; ambasador Qemal Minxhozi– ambasador i Shqipërisë në Republikën e Kosovës; Shaip Kamberi deputet popullor i Luginës së Preshevës në Kuvendin e Serbisë (kryesues i Delegacionit Shqiptar nga Lugina në këtë Takim), Enis Imamoviq- deputet popullor i SDA të Ugljaninit e Sanxhakut në Kuvendin e Serbisë (kryesues i delegacionit nga Sanxhaku në këtë Takim); Abdulla Domi- Kryetar i Këshillit të Qarkut të Kukësit; Armend Zemaj- deputet i Kuvendit të Kosovës dhe ish Ministër i Shëndetësisë i Kosovës; Muharrem Zejnullahu– Konsull Nderi i Shqipërisë në Bosnje-Hercegovinë, Kryetar i Komunitetit të Shqiptarëve në BeH dhe ish-ambasador i parë i BeH në Shqipëri; dr. Ahmet Ulaj – personalitet i botës akademike e të biznesit, i humanizmit, një ndër tre themeltarët e kompanisë elitare “Gener 2” në Shqipëri; Nikollë Camaj– personalitet i shquar i Politikës, Arsimit, Kulturës e mediave në Malin e Zi (kryesues i Delgacionit Shqiptar nga Mali i Zi në këtë Takim); Sabit Bytyçi nga Amerika- ish Kryetar i Këshillit të Federatës PanShqiptare “Vatra” (2020-’22), një lobist e kontributor i shquar në Amerikë për  Çështjen Kombëtare Shqiptare; shqiptaro-britaniku Skënder Përpepaj– biznesmen, humanist, i dekoruar nga Parlamenti Britanik e Presidenca e Shqipërisë, drejtori i parë i “Gazeta e Alpeve”; ambasador Mal Berisha– ish ambasador i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe në Republikën e Irlandës; Keisuke YAMANAKA – I Ngarkuari me Punë në Ambasaden e Japonisë në Kosovë; akademikët Rexhep Ferri (pasardhës i Jakup Ferrit) dhe Jusuf Bajraktari;  Admirali i FLD, gjeneral Skënder Doçi– ish komandanti i parë i Batalionit “Atlantiku” në Amerikë, që morën pjesë në Luftën e Kosovës; gjeneral Fadil Hadergjonaj, një ndër komandantët e Betejës legjendare të Kosharës, ish Komandant i Forcave Tokësore (KOMFT)-FSK; akademikët Rexhep Ferri (pasardhës i Familjes së Jakup Ferrit) dhe Jusuf Bajraktari; prof. dr. Abdulla Mehmeti nga Tetova- kryetar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane për Maqedoninë e Veriut e shumë të tjerë.

“Takimin e Madh të Prishtinës” e hapi Ramiz Lushaj- kryeredaktor i “Gazeta e Alpeve”- media PanShqiptare e NdërBallkanike (Shqipëri-Kosovë-Mali i Zi-Lugina e Preshevës e Sanxhak-Maqedoni e Veriut).

“Takimi i Madh i Prishtinës” u përshëndet nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Ilir Meta, Përshendetje të cilën e lexoi Dedë Prengaj- Këshilltar i Presidentit.

Takimin e përshëndeti edhe përfaqësuesja nga Lugina e Preshevës, Ardita Sinani- ish kryetare e komunës së Preshevës (deri në fund prilli 2022) një nga zonjat e shquara e simbol të botës e kohës së sotme shqiptare.

Ndërkohë i kishin përcjellë përshëndetjet e tyre me postë digjitale për “Takimin e Madh të Prishtinës” edhe personaliteti i shquar shqiptaro-amerikan Harry Bajraktari-“Nderi i Kombit”, deputetja Ermina Leskaj Përlaskaj- e vetmja deputete shqiptare në Parlamentin e Kroacisë (Zagreb) e të tjerë.

Moto e “Takimit të Madh të Prishtinës” ishte “Integrimet NdërShqiptare e NdërBallkanike” , ndaj pati pesë kumtime: “Korridoret NdërShqiptare e NdërBallkanike si kontribut për integrimin europian” – nga ing. Liburn ALIU– Ministër i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor e Infrastrukturës të Kosovës; “Mbi zhvillimet e integrimet ekonomike ndërshqiptare në Ballkanin Perëndimor” – nga Avni PONARI – Drejtor i Përgjithshëm i SIGAL UNIQA Group AUSTRIA në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Konsull i Përgjithshëm Nderi i Japonisë në Shqipëri; “Për një paradigmë të re në integrimet kulturore ndërshqiptare” nga dr. Bujar LESKAJ– Deputet i Qarkut të Vlorës, ish Ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve të Shqipërisë, ish Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, nismëtar e kontributor i vendosjes së Shtatores së Ismail Qemal Bej Vlorës në Prishtinë; “Roli i Diasporës Shqiptare në integrimet e zhvillimet ekonomiko-kulturore ndër shqiptarë në Ballkan” – nga ambasador Flamur GASHI– Këshilltar i Presidentit të Shqipërisë, ish Drejtor i Institutit të Diasporës të MPJ të Shqipërisë; ish ambasador i Shqipërisë në Bosnje-Hercegovinë; pedagog i jashtëm në Prishtinë; “Ndikimi i Turizmit Malor/Alpin në integrimet e zhvillimet ekonomiko-shoqërore panshqiptare e ndër ballkanike” – nga Skënder THAÇI– Kryetar i Shoqatës për Promovimin e Turizmit Malor të Kosovës, Administrator i Eko-Hotel Natyror Alpin “Magra Austria” në Pejë e Prishtinë.

E përshëndeten Takimin e Madh të Prishtinës”, me pak fjalë miradije e zemre, edhe plaku 101-vje çar Haxhi Beqë Syla nga Gjakova, veteran e invalid i Luftës së Dytë Botërore; pjesëmarrësi më i moshuari i Takimit, si dhe, më e reja e Takimit, këngëtarja 9-vjeçare Ergisa Hajdinaj nga Tropoja, me këngën e re “Mirë se të gjejmë Prishtinë, kryeqytet i Pavarësisë”– me muzikë të kompozitorit Skënder Dozhlani- Mjeshtër i Madh.

“Takimin e Madh të Prishtinës” e përshëndeti soprano e Operas së Milanos, Anila Hoxha Gjermeni, artiste me karrierë të mirë operistike e koncertale në Itali e shtete të ndryshme të Evropës,  me këngët “Baresha” (në një interpretim të ri) dhe “Malli përtej detit”.

Gjithashtu u ndanë dhe mirënjohje e çmime të ndryshme nga “Takimi i Madh i Prishtinës”/“Gazeta e Alpeve”, si  çmimet “Dardania”, “Nënë Tereza”, “Pjetër Bogdani”, “Konica”, “Bajram Curri”, “Cucë Avdyl Ulaj”, “Krenaria e Alpeve Shqiptare”; “Mark Krasniqi”, “Pena Alpine”, “Dom Ndoc Nikaj”, “Esad Mekuli”, “Çmimi i Meritës”, “Yjet e Alpeve” etj.

Fjala mbyllëse e “Takimit të Madh të Prishtinës” u mbajt nga  dr. Islam Lauka- ish Ambasadori i parë i Shqipërisë në shtetin e ri të Kosovës, Zv/president i “Gazeta e Alpeve”, President i Qendrës Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike (ACABS), Drejtor i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike.

“Takimi i Madh i Prishtinës” i 13 majit 2022 do iu drejtohet me një Thirrje/Apel edhe institucioneve shqiptare e të huaja për integrimet plotore në organizma ndërkombëtare të shteteve të Ballkanit Perëndimor, si Kosova (“Lëvizja e Lirë”, anëtarësimi në NATO, BE…OKB), Shqipëria, Maqedonia e Veriut  e Mali i Zi (antarësimi në BE), për Korridoret Autostradave e Hekurudhore NdërShqiptare e NdërBallkanike, si Korridori tre shtetesh Adriatik-Alpe  (Prishtinë-Gjakovë-Shkodër-Shëngjin-Ulqin); Rruga Ndër(kombëtare) Deçan-Plavë etj.

Për të pranishmit u shtrua dhe një Drekë zyrtare (salla “Orion”) nga komuna e Prishtinës dhe Hoteli pesë yjesh “Sirius”, me 127 pjesëmarrës, ku u ndanë  dhe disa çmime e mirënjohje, pati këngë e valle etj.

Në “Takimi i Madh i Prishtinës,, në hollin e Hotel “Sirius”, u ndanë mbi 3.000 Libra-Dhuratë në gjuhën shqipe për Shqiptarët në Luginën e Preshevës, Sanxhak dhe në Malin e Zi e një pjesë dhe në Maqedoninë e Veriut, për shkolla, biblioteka, shtëpi të shëndetit etj.

“Takimi i Madh i Prishtinës” i 13 majit 2022 filloi me homazhe nderimi me buqeta me lule tek Monumenti i Skënderbeut, Shtatorja e Nëna Terezës, shtatorja e dr. Ibrahim Rugovës, shtatorja e Zahir Pajazitit- “Hero i Kosovës”, busti i Madelene Ollbrajt- Sekretare Amerikane e Shtetit– mike e madhe dhe e përjetshme e Shqiptarëve.

Takimi i Madh i Prishtinës” do të botohet libër më vete, me të gjitha temat, përshëndetjet, dokumentet e veprimtaritë e tij.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka thënë se…