Erdogani kritikohet për shfaqjen e pamjeve të sulmit në Zelandën e Re

18 mars 2019 | 16:37

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, është kritikuar për shfaqjen e disa pamjeve nga sulmi në Zelandën e Re, për të rritur mbështetjen në tubimet zgjedhore.

Erdogani ka thënë se një pjesë e manifestit të sulmuesit të dyshuar, Brenton Tarrant, ka pasur për qëllim të nxjerrë turqit jashtë Evropës.

Në një tubim zgjedhor të dielën, Erdogani ka thënë se i dyshuari e ka vizituar Turqinë dy herë dhe se ka dashur që myslimanët turq të largohen nga territori evropian i Turqisë për në anën perëndimore të Ngushticës së Bosforit.

Ministri i Jashtëm i Zelandës së Re, Winston Peters, i ka porositur zyrtarët turq se shfaqja e videove “është e padrejtë” dhe se rrezikon qytetarët e tij jashtë vendit.

Pesëdhjetë persona janë vrarë në sulmin e së premtes në dy xhami në qytetin Kristçërç të Zelandës së Re.

Sulmuesi i dyshuar e ka transmetuar drejtpërdrejt aktin e tij në “Facebook”.

Në Zelandën e Re pamjet janë klasifikuar si një “publikim shqetësues” dhe shpërndarja ose posedimi i tyre konsiderohen shkelje.

“Facebook” ka bërë me dije se ka fshirë 1.5 milion video të sulmit në mbarë botën, gjatë 24 orëve të para.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tre njerëz janë vrarë nga të shtënat në një tramvaj…