Erdogani takohet me Putinin

16 shtator 2019 | 17:28

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan është takuar me homologun e tij rus, Vladimir Putin në kryeqytetin Ankara para samitit trepalësh për Sirinë.

Erdogani është takuar me Putinin, në rezidencën Çankaya në një takim pas dyerve të mbyllura që ka zgjatur për një orë e gjysmë.

Më vonë gjatë ditës, dy presidentëve do t’u bashkohet presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, në samitin e pestë për Sirinë sipas formatit të Astanas ku do të diskutojnë zhvillimet e fundit në qytetin veriperëndimor Idlib, kthimin vullnetar të refugjatëve dhe zgjidhjen politike për krizën në Siri.

Procesi i paqes i Astanas, që synon t’i japë fund konfliktit sirian, filloi në janar të vitit 2017 me iniciativat e Turqisë, Rusisë dhe Iranit.

Gjithsej 13 raunde janë zhvilluar në Astana të Kazakistanit.

Shtatorin e kaluar, Turqia dhe Rusia janë pajtuar për ta kthyer Idlibin në një zonë deeskalimi ku aktet e agresionit janë të ndaluara.

Megjithatë, regjimi sirian dhe aleatët e tij kanë thyer vazhdimisht kushtet e armëpushimit, duke nisur sulme të shpeshta brenda zonës së deeskalimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
20 vjet nga rivarrimi i dëshmorëve të kombit në Gjilan…