Erloni, ky talent i ri i futbollit

07 tetor 2021 | 17:04

Kishim dëgjuar për talentin e rrallë të futbollit, të riun, Erlon Seferi, vijues i shkollës së futbollit “Ramiz Sadiku” në Prishtinë. Për të parë për së afërmi këtë talent të futbollit, gjatë kohës që stërvitej në stadiumin “Ramiz Sadiku” në Prishtinë, ishim prezent dhe ne. Jo vetëm që na dëshmoi për talentin e tij, trajneri, Fillim Guraziu, po ngjashëm na pohuan edhe bashkë lojtarët e tij. Pra, s’do mend se shkëlqente në lojën që zhvillohej mes dy ekipeve të përbëra nga futbollistët e shkollës së futbollit me të cilën udhëheqë, trajneri Guraziu. Aty mësuam se Erloni është golashënuesi më i mirë i garave në Grupë- moshën U-13.

“Futbollisti, Erlon Seferi, është me shumë karakteristika dalluese. Një talent i rrallë i futbollit. I disiplinuar, punëtor, teknik i mrekullueshëm… Prandaj, me një angazhim të pandalshëm, s’do mend se ky lojtar do të jetë shumë cilësor e me perspektivë të madhe në të ardhmen. Ai i posedon të gjitha elementet për të qenë yll i futbollit, i lindur si futbollist, i përsosur edhe në aspektin tekniko-taktikë. Erloni në shkollën e futbollit i ka bërë tre muaj, por ka treguar cilësi të larta prej futbollisti. Nga ky në të ardhmen pritet shumë”, ka thënë ndër të tjera, për këtë futbollist, trajneri Fillim Guraziu. Ai, më pas ka pohuar se në Ligën e grupit “B”, ku garojnë, gjenden në vendin e dytë, ndërsa deri para takimit të fundit kanë mbajtur kreun e tabelës. Mirëpo, sipas tij, në takimin e së shtunës prap do të rikthehen në vendin e parë.

 

Erlonit për një kohë të shkurtër i është besuar shiriti i kapitenit të ekipit, meritë kjo e arritur falë cilësisë së lartë që ka si futbollit. Ky mesfushorë jo vetëm që dallohet si golashënuesi më i mirë, por ka cilësi dhe tipare të një organizatori të mrekullueshëm të lojës. Pranon topin bukur, driblon, pason, dhe në momentin e duhur godet në rrjetë, ku s’do mend se gjithnjë shënon…Falë të gjitha këtyre elementeve që i posedon si lojtar, edhe pse i ri në moshë, kanë filluar të shfaqin interesim për këtë futbollist të talentuar edhe menaxherë të ndryshëm nga shtetet e Evropës që ta kenë këtë futbollist të ri e shumë të spikatur në ekipet e tyre. Interesimi është duke vazhduar në këtë drejtim…Sidoqoftë, nga krejt kjo që u tha për te, po arsyetohet epiteti për Erlonin si: Mesi i ri i Kosovës.

Foto e teksti: Ismail Rexhepi/Epoka e re/.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tenistja bjelloruse, Arina Sabalenka, është infektuar me COVID-19 në prag…