EULEX-i përkujton doganierin e vrarë në veri

19 shtator 2018 | 12:03

Në këtë ditë, pesë vite më parë, Audrius Shenaviçius e humbi jetën e tij derisa po shërbente si doganier i EULEX-it.

Audriusi u vra si pasojë e të shtënave me armë gjatë kohës kur ai me kolegët e tij po shkonin me makinë në pikën doganore në veri të Kosovës për ta filluar ndërrimin e tyre të punës.

“Sot ne e nderojmë kolegun tonë të dashur Audrius Shenaviçius, i cili u vra tragjikisht në krye të detyrës. Audriusi e sakrifikoi jetën e tij në shërbim të vlerave dhe parimeve më të larta, duke kontribuar me përkushtimin, profesionalizmin dhe eksperiencën e tij për ta përmirësuar jetën e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë shefja e misionit të EULEX-it, Alexandra Papadopoulou.

Zëvendësshefi i misionit, Bernd Thran, i shoqëruar nga një përfaqësues i komunës së Zveçanit, ka shkuar sot në vendin ku Audriusi vdiq tragjikisht për ta vendosur një kurorë me lule në kujtim të tij.

I tërë personeli i EULEX-it e mbajti një minutë heshtje në nderim dhe respekt për kolegun e tyre.

“Sakrifica sublime e Audriusit duhet të kujtohet përgjithmonë. Mendjet tona janë me familjen dhe miqtë e tij si dhe me autoritetet e Lituanisë, të cilët me pikëllim e dhimbje ende presin që kryerësit e vrasjes së Audriusit të sillen përpara drejtësisë. Tani kur EULEX-i do t’ia dorëzojë gjyqësorit të Kosovës rastin e vrasjes së Audriusit si pjesë e ndërprerjes së funksioneve ekzekutive të tij në sistemin e drejtësisë së vendit, unë i bëj thirrje autoriteteve të Kosovës që t’i vazhdojnë pareshtur hetimet për këtë krim të neveritshëm”, ka deklaruar Papadopoulou.

EULEX-i edhe një herë i bën thirrje secilit që mund të ketë informata të cilat mund të jenë të dobishme për hetimet që të paraqiten pa hezitim.

“Ky Mision ka vënë në dispozicion një shpërblim prej 82.000 Euro për çfarëdo informate që sjell deri te arrestimi i kryerësit(ve) të kësaj vrasje. Ju lutemi kontaktoni në +383 38 284 181 ose për më shumë informata vizitoni faqen tonë të internetit http://www.eulex-kosovo.eu/?page=1,57”, thuhet në komunikatën e EULEX-it.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kampionët e Real Madridit e nisin mbrojtjen e titullit në…