‘Euractiv’: Inflacioni në Kosovë në nivele historike, rritet tregtia me Serbinë

17 tetor 2022 | 12:15

Inflacioni në Kosovë është rritur me 13 për qind në 12 muajt e fundit me rritjen e tregtisë me armikun fqinj Serbinë, ka raportuar “Euractiv”, një rrjet mediatk i specializuar nga Bashkimi Evropian.

Sipas statistikave zyrtare, kostoja e karburantit është rritur me 9.2 për qind, perimet dhe frutat me 2 për qind, dhe mobiljet dhe artikujt e shtëpisë me 2.5 për qind.  Por rritje edhe më të ndjeshme janë vërejtur te lëndët djegëse të ngurta dhe drutë e zjarrit, të cilat u rritën në çmim me 60.2 për qind krahasuar me një vit më parë, si dhe vajrat ushqimorë me afro 50 për qind, buka me 33.5 për qind, bulmeti me 25.8 për qind dhe mishi me 22 për qind.

Paga mesatare në Kosovë është rreth 500 euro për person në muaj, por paga minimale është afërsisht gjysma e asaj shifre, me shumë që jetojnë nën kufirin e varfërisë.

“Ndërkohë, Kosova ka rritur importet e saj nga Serbia me 30 për qind në muajt e fundit, pavarësisht tensioneve mes dy vendeve për refuzimin e Beogradit për të njohur sovranitetin e Prishtinës”, ka thënë “Euractiv”.

Po ashtu citohet edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, i cili ka thënë se  “në gusht të këtij viti në krahasim me gushtin e një viti më parë shihet se importet nga Shqipëria janë ulur për 10 për qind, por nga Serbia janë rritur për 30 për qind”.

Sipas tij, kjo vë në pikëpyetje deklaratat për rritje të theksuar ekonomike të prodhimit vendor.

“Thellimi i deficitit tregtar, bazuar në këto të dhëna të Agjencisë së Statistikave për periudhën janar-gusht 2022 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, eksportet e Kosovës janë rritur për 150 milionë euro, por importet janë rritur për 800 milionë euro, dhe kjo ka sjellë deficitin tregtar në 3 miliardë euro, që është një rritje prej 56 për qind krahasuar me një vit më parë”, ka thënë Hoti, cituar nga ky rrjet mediatik.

Por një hekurudhë e re mes Shqipërisë dhe Kosovës mund të ndryshojë së shpejti gjërat. Hekurudha Durrës-Prishtinë është aktualisht në fazën e fizibilitetit që nga java e kaluar.

“Kjo linjë e re hekurudhore fillimisht do të plotësojë nevojat e transportit të Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe nevojat e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë, duke përfshirë Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Rumaninë, Bullgarinë dhe vende të tjera që janë gjithashtu të lidhura me Korridori Hekurudhor X (dhjetë) dhe Korridori Hekurudhor IV (katër)”, është thënë në termat e referencës për procedurën e shpallur.

Kosova në fillim të tetorit hapi zyrtarisht zyrën doganore në portin shqiptar, duke mundësuar kalimin më të lehtë të mallrave drejt kryeqytetit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Çmimet e produkteve bazike kanë shënuar rritje në vendin tonë.…