Fazli Hoxha: Diaspora duhet të jetë pjesë e sistemit politik të Kosovës

17 gusht 2018 | 17:22

Anëtari i Kryesisë së Nismës Socialdemokrate, njëherësh kryetar i kësaj parti në Gjakovë, Fazli Hoxha, ka thënë se përfaqësimi i diasporës në Kuvendin e Republikës së Kosovës (me 3 ose 5 vende) do të ishte një mundësi e mirë që vet bashkatdhetarët të japin kontribut me idetë e tyre në përfaqësimin e interesave të diasporës.

Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se janë diku mbi 700 mijë bashkatdhetarë vetëm në Evropë që janë me orgjinë nga Kosova dhe që kanë të drejtën e votës.

“Prej 700 mijë bashkatdhetarëve me të drejt vote kanë marrë pjesë vetëm 10 mijë prej tyre në zgjedhjet e kaluara”, ka shkruar Hoxha.

Ai ka shtuar se institucionet e Kosovës (Ministria e Diasporës dhe KQZ-ja) qysh tani duhet të fillojnë të punojnë për t’i krijuar kushte diasporës për votim në zgjedhjet e ardhshme, si dhe të fillohet edhe me ndryshimet e Kushtetutës në mënyrë që të gjendet një mundësi për rezervimin e vendeve në Kuvendin e Kosovës për diasporën.

“Në vit, vlera e parave të dërguara nga diaspora sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës arrin shumën e rreth 600 milionë euro. Kjo shumë mund të jetë edhe më e lartë. Vlera e parave të dërguara nga bashkatdhetarët vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit, duke nxitur rritjen ekonomike dhe duke siguruar të ardhura shtesë për familjet me të ardhura më të vogla.

Pos kësaj, shumë bashkatdhetarë sot me bizneset e tyre në vendet ku jetojnë kanë treguar sukses të jashtëzakonshëm, kurse ne si shtet duhet të krijojmë kushte që ata ta shtrinë aktivitetin e tyre biznesor edhe në vendlindje. Diaspora gjithmonë ishte dhe vazhdon të jetë zëri i mbrojtës i Kosovës!”, ka shkruar Fazli Hoxha, anëtar i Kryesisë së Nismës Socialdemokrate.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ka pritur të…