FBI bastis shtëpinë e një ndihmëseje tjetër të kryebashkiakut të Nju-Jorkut

01 mars 2024 | 08:06

Agjentët e FBI-së kontrolluan shtëpinë e një këshilltareje të lartë politike të kryebashkiakut Eric Adams herët të enjten, njoftoi televizioni lokal “News 12”.

Byroja Federale e Hetimeve, e cila zakonisht nuk flet publikisht rreth hetimeve në vazhdim, nuk iu përgjigj pyetjeve në lidhje me bastisjen nga dhjetëra agjentë të shtëpisë së këshilltares Winnie Greco në Bronx.

Në nëntor, Byroja Federale e Hetimeve i konfiskoi kryetarit të bashkisë pajisjet elektronike dhe bastisi shtëpinë e drejtueses për mbledhjen e fondeve të fushatës së zotit Adams në vitin 2021.

FBI-ja po zhvillon një hetim penal lidhur me dyshimet se ekipi i fushatës zgjedhore të zotit Adams komplotoi me një kompani ndërtimi në Brooklyn dhe qeverinë turke për të siguruar donacione në rrugë të paligjshme, sipas njoftimeve të gazetës New York Times.

Zonja Greco nuk mund të kontaktohej për koment ndërsa nuk është e qartë nëse ajo ka një avokat. Sipas bashkisë, ajo është me leje që nga e enjtja.

Ajo ka punuar me kryebashkiakun dhe ka kryer veprimtari vullnetare prej shumë vitesh. Ajo ka drejtuar fushatën për mbledhje fondesh në të kaluarën dhe aktualisht shërben si këshilltare e kryebashkiakut për çështje aziatike.

Një deklaratë e publikuar nga zëdhënësi i kryetarit të bashkisë përsërit citimet e mëparshme se ndaj zotit Adams nuk është ngritur asnjë akuzë. Ndaj askujt nuk janë ngritur akuza federale lidhur me mbledhjen e fondeve për fushatën e kryebashkiakut.

“Administrata jonë do ta respektojë gjithmonë ligjin dhe presim që të gjithë punonjësit tanë t’u përmbahen udhëzimeve më të rrepta të etikes”, thuhet në deklaratë. “Siç jemi shprehur edhe më parë, ne nuk komentojmë rreth çështjeve që janë nën shqyrtim, por do të bashkëpunojmë plotësisht me çdo proces në vazhdim”.

FBI-ja gjithashtu kontrolloi dy prona të tjera të enjten, përfshirë një shtëpi të dytë që i përkiste zonjës Greco, njoftoi gazeta New York Times, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar./VOA

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Udhëheqësit e Transnistrisë, një rajon separatist pro-rus i Moldavisë, i…