FBK-ja: Kjo është e vërteta për KB Peja

17 gusht 2018 | 12:07

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) nëpërmjet një njoftimi për medie ka bërë të ditur se KB Peja as në afatin shtesë të caktuar nga Bordi i FBK-së nuk ka arritur të sjell dëshmi se i ka kryer obligimet ndaj FIBA-s dhe FBK-së.

Më 10 gusht në ora 17:00 ka qenë afati i fundit për regjistrim të klubeve në ligat seniore të të dyja konkurrencave dhe deri në atë datë, KB Peja nuk ka sjell dëshmi se i ka kryer obligimet ndaj dy institucioneve të lartëpërmendura.

Megjithatë në mbledhjen e Bordit të FBK-së të mbajtur më 13 gusht 2018, Bordi pas konstatimit se KB Peja nuk ka i ka përmbushur kriteret për regjistrim për edicionin e ri 2018/19 deri në afatin e caktuar, i njëjti Bord ka vendosur ti jap afat shtesë KB Pejës deri më 15 gusht 2018 në ora 17:00 ti sjell të gjitha dëshmitë e kryerjes së obligimeve ndaj FIBA-s dhe FBK-së. Por as të mërkurën në ora 17:00 në zyre të FBK-së, KB Peja nuk ka sjell dëshmi se i ka kryer të gjitha obligimet ndaj FIBA-s dhe FBK-së në mënyre që skuadra në fjalë të regjistrohet për edicionin e ri garues.

Në këtë mënyrë Bordi i FBK-së konform Propozicioneve të Garave ka marr vendim që të mos e regjistroj KB Pejën për edicionin e ri garues, si dhe konform Statutit të FBK-së, anëtarësia e KB Peja në Federatën e Basketbollit të Kosovës do të mbetet e pezulluar derisa të përmbushjen të gjitha kushteve për pjesëmarrjen e saj në garat e FBK-së.

Kështu KB Peja suspendohet dhe çregjistrohet nga çdo veprimtari në Federatën e Basketbollit të Kosovës. FBK-ja po ashtu dëshiron të sqaroj para opinionit se në vazhdimësi ka komunikuar me KB Peja tash e dy vjet prej se FIBA e ka njoftuar FBK-në për rastet e paraqitura në BAT (Tribunali i Arbitrazhit të Basketbollit) dhe për shqiptimin e BAN-it (ndalesa e regjistrimit të lojtarëve të rinj).

Rastet e KB Peja në BAT:
–          BAT 0719/15 – Mr. Frederick House vs. KB Peja
–          BAT 0944/16 – ARSIC, AUSTIN & SMITH – PEJA
–          Si dhe Gjoba e shqiptuar nga FIBA në vlerë prej 5,000.00 CHF.

“Në letrën e dërguar nga Zyra Ligjore e FIBA-s më 10 prill 2018 tek Federata e Basketbollit të Kosovës, është bërë shumë e qartë se nëse FBK-ja nuk pozicionohet dhe nuk ndërmerr masa për çështjen e KB Peja, atëherë FIBA do të jetë ajo që do të vendos sanksione ndaj FBK-së. Pas kësaj letre, FBK-ja e ka përgatitur një dokumentacion të cilin e ka nisur tek Zyra Ligjore e FIBA-s, ku ka vërtetuar se i ka përcjell të gjitha emailat e dërguar nga FIBA tek KB Peja, si dhe e ka njoftuar Zyrën Ligjore se FBK-ja në vazhdimësi ka kërkuar nga KB Peja që të gjej një zgjidhje dhe mundësi për të kryer obligimet në BAT, apo edhe të bëjë programimin e tyre. Pas informatave të dërguara nga FBK, Zyra Ligjore e FIBA-s i është përgjigjur FBK-së duke e falënderuar për bashkëpunimin, por në të njëjtën kohë ia ka bërë të ditur se KB Peja nuk ka ndërruar asnjë veprim konkret për të përmirësuar situatën dhe kështu edhe një herë FIBA ia ka kujtuar FBK-së se do të jetë ajo që do të sanksionohet nëse KB Peja nuk e bën një gjë të tillë në të ardhmen e afërt”, thuhet në njoftimin e FBK-së.

“Po ashtu Zyra Ligjore e FIBA-s ia ka bërë të qartë se nëse KB Peja nuk i kryen obligimet ndaj FIBA-s deri në afatin e regjistrimit të caktuar nga FBK, atëherë do të jetë Federata e Basketbollit të Kosovës që automatikisht do të sanksionohet nga FIBA. Pas këtij komunikimi ndërmjet Zyrës Ligjore të FIBA-s dhe Federatës së Basketbollit të Kosovës, anëtarë të kësaj të fundit në Asamblenë e Përgjithshme të FIBA Evropës në Qipro sërish kanë biseduar me zyrtar të FIBA-s për çështjen e KB Peja, dhe të njëjtit zyrtar e kanë sugjeruar FBK-në që në Propozicionet e Garave të FBK-së të vendosen kritere të ashpra për regjistrim për klubet në Kosovë, duke përfshirë këtu edhe faktin se nuk mund të regjistrohen skuadrat që kanë obligime ndaj FIBA-s dhe FBK-së”, thuhet në këtë njoftim.

“Në këtë mënyrë FBK pas konsultimeve me Bordin e FBK-së dhe me klubet e të gjitha rangjeve në ligat seniore i ka miratuar Propozicionet e Garave në të cilat është përfshirë Neni, i cili thotë se nga edicioni 2018-2019, e drejta e garimit e cilitdo anëtar të FBK-së në garat e organizuara nga FBK do ti mohohet nëse klubi ka çfarëdo borxhi të dokumentuar ndaj FIBA-s, FIBA Evropës, apo ndonjë eniteti tjetër përgjegjës për organizimin e garave ndërkombëtare të basketbollit të njohur nga FIBA. Duhet theksuar se konform mandatit ligjor të Bordit të FBK-së, ky i fundit sot do të hap konkurs për Wildcard për anëtarin e tetë të Superligës së Kosovës, në mënyrë që skuadrës në fjalë t’i jepet kohë e mjaftueshme për përgatitjet për edicionin e ri garues 2018/19, që pritet të startoj më 16 shtator 2018” përfundon njoftimi i FBK-së.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA) dhe kryeqyteti i…