FBK-ja lejon pjesëmarrjen e tifozëve në mënyrë të organizuar

28 shkurt 2023 | 15:42

Federata e Basketbollit të Kosovës i ka gëzuar tifozët e basketbollit me vendimin e saj më të ri. FBK-ja e ka shfuqizuar vendimin për ndalimin e pjesëmarrjes së tifozëve në mënyrë të organizuar në palestra sportive pas problemeve dhe incidenteve të shumta që kishin ndodhur në këtë sezon. Bordi i FBK-së, në mbledhjen e tij të mbajtur të martën vendosi që t’ua lejojë pjesëmarrjen tifo-grupeve me shpresën që nuk do të ketë incidente në pjesën “e nxehtë” të sezonit.

“Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës ka marrë vendim që nga ‘Vendimet e Bordit të FBK-së të datës 15.12.2022’ të largohet pika në vijim: ‘Të ndalohet pjesëmarrja në mënyrë të organizuar dhe me çfarëdo shenje dalluese e të gjitha grupeve të tifozëve në ndeshjet e basketbollit, të cilat organizohen nga Federata e Basketbollit të Kosovës, deri në një njoftim tjetër;’

Kjo si rrjedhojë e njoftimit/rekomandimit nga Këshilli për Parandalimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive (Këshilli për Sport), ku u potencua se, duke marr parasysh që prej periudhës kur FBK ka marrë vendime në lidhje me tifozëritë (15.12.2022) nuk ka pasur probleme të mëdha, kjo pikë mund të shfuqizohet.  Prandaj, deri në vendim tjetër, lejohet pjesëmarrja në mënyrë të organizuar dhe me çfarëdo shenje dalluese e të gjitha grupeve të tifozëve në ndeshjet e basketbollit të organizuara nga FBK”, thuhet në njoftimin e FBK-së.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, ka konfirmuar se…