FBK-ja mbështet fuqishëm të gjitha kategoritë e femrave në basketboll

03 tetor 2019 | 21:46

Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) ka marrë vendim që t’i mbështesë klubet e Superligës së femrave, Ligës së Parë, Ligës U16 dhe Ligës U14. Klubet e Superligës së femrave Bordi i FBK-së ka vendosur që t’i mbështesë me blerjen e fanellave për ndeshje, topave Spalding të femrave, si dhe me mbulimin e shpenzimeve të statistikave për ndeshje.

Klubet e Ligës së Parë do t’i mbështesë me blerjen e fanellave për ndeshje dhe topave Spalding të femrave. Ndërkaq ekipet e Ligës së U16 dhe U14, Bordi i FBK-së ka vendosur që t’i mbështesë me blerjen e fanellave, si dhe do t’u shpërndahen topat donacion nga FIBA, si dhe për Ligën U14, që do të zhvillohet në formë të turneve do ta vazhdojë mbulimin e shpenzimeve të personave zyrtarë të ndeshjeve, si dhe në ndërkohë do të përgatisë dhurata të tjera për ekipet që marrin pjesë në këtë ligë.

Liga U14 do të zhvillohet në frymën e kampanjës “Her World, Her Rules” që është pjesë e programit FIBA Europe Gilrs’ Prorgam. Liga U14, por edhe të gjitha ligat e kategorive të reja, do ta kenë sponsor gjeneral kompaninë “STOBI FLIPS”. “Një ndër politikat kryesore të Federatës së Basketbollit të Kosovës është masovizimi i basketbollit femëror në vendin tonë, në të njëjtën kohë edhe ngritja e cilësisë. Dhe kjo u dëshmua edhe me vendimin e Bordit të marrë së fundi për mbështetjen e fuqishme ndaj të gjitha klubeve të femrave që janë paraqitur për gara në këtë edicion. Ne si Federatë jemi duke i kryer me përpikëri të gjitha detyrat tona, ndërsa tani u mbetet klubeve të punojnë më shumë për ngritje të cilësisë te basketbolli femëror dhe në sistematizim të punës me vajza”, ka thënë Elvira Dushku, sekretare e Përgjithshme e FBK-së.

“Kemi përkrahje të madhe në projekte të ndryshme nga FIBA, Ambasada e ShBA-së në Prishtinë, Departamenti i Shtetit Amerikan në përkrahje të politikës për masovizimin e basketbollit ndër vajza, pikërisht për shkak të punës dhe vullnetit të madh që e kemi dëshmuar në këtë drejtim. Ne do të bashkëpunojmë sa më shumë me klube dhe trajnerë në mënyrë që të punohet më shumë me vajza dhe që puna me to të jetë sa më profesionale që mundet, sepse investimi që jemi duke e bërë ne si Federatë nëpër klube duam që në të ardhmen të na kthehet në përfaqësuese”, ka shtuar Dushku.

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Manchester Unitedi nuk ka arritur më shumë se një barazim…