
Federeri: Po pensionohem, por nuk do të largohem nga sporti
Nga Londra, ku po përgatitet për turneun e Laver Cup dhe ku do ta zhvillojë ndeshjen e lamtumirës, tenisti zviceran Roger Federer ka folur për herë të parë për mediet për vendimin e marrë. Ai konfirmoi se në këtë turne do të luajë vetëm një ndeshje, atë të lojës dyshe me Rafael Nadalin ditën e premte.
“Vendimin për t’u tërhequr e mora pas përfundimit të Wimbledonit. Rikuperimi i gjurit nuk po ecte ashtu si duhet dhe e pyeta veten se çfarë kuptimi ka të vazhdoj kështu? Më dukej vetja sikur ecja në akull, që mund të thuhej në çdo moment. Mendoj se ky është vendimi i duhur dhe i vetmi”, ka thënë Federeri.
“Tani që mora vendimin jam më i qetë se para se ta bëj publike lamtumirën. Prindërit e mi, bashkëshortja, e vuajtën po aq sa edhe unë. Por tani jam i qetë. Jam në Londër për Laver Cup dhe ndihem mirë, të paktën në stërvitje. Do të luajmë vetëm lojën dyshe të premten dhe do t’i lëmë vendin Berrettini”, ka shtuar Federeri.
“Shpresoj që gjuri ta mbajë për lojën dyshe. Edhe pse e kam ulur ritmin e stërvitjes, kam qenë në formë për këtë turne. Dua të vazhdoj të realizoj ndeshje ‘show’. Nuk do të largohem nga sporti. Dua të jam i përfshirë edhe pse nuk e di ende se si”, ka deklaruar Federeri.