Fenomeni Dritan dhe Gjukanoviqët e Ballkanit

02 shtator 2020 | 23:14

Avdi F. Smajljaj

Është e rrugës që ky reflektim të fillohet me këshillën për Dritanin, se futja në qeveri me partitë pro-serbe në Mal të Zi, nënkupton shtyrjen para të objektivave të federatës Ruse në Mal të Zi e Ballkan në përgjithësi. Ajo që dështoi të arrihet përmes puçit të para disa viteve të mbështetur nga Putin, mund t`i hapet rrugë që të realizohet me mjete politike nëse në Mal të Zi krijohet një qeveri pro-serbe. Në mes të fuqizimit të Rusisë në Ballkan përmes një qeverie pro-serbe në Mal të Zi në njërën anë, dhe një qeverie që mundëson vazhdimin e politikave korruptive në krye me Gjukanoviqin në anën tjetër, Dritani do duhej të zgjedh të dytën, nisur nga parimi i së keqes më të vogël për nga konsekuencat në vend e rajon.

Zgjedhjet e fundit në Mal të Zi, sidomos mundësit e koalicionit, ndër të tjera, nxorën në sipërfaqen e opinionit publik në rajon fituesin e zgjedhjeve Dritan Abazovic. Duke mos e njohur personalisht e as karrierën e tij politike, rezultatet e zgjedhjeve, e sidomos ideologjia dhe partia që i takon në nivel Evropian, tregojnë shumë. Partia që ai përfaqëson, në nivel Evropian i takon partisë më parimore, më demokratike, e më emancipuese në Evropë, the Greens – të Gjelbërit. Rritja e mbështetjes së këtyre vlerave në Mal të Zi, e që do të ishte shumë e nevojshme edhe në vendet tjera të Ballkanit, tregon për nevojën e ndryshimeve në Mal të Zi e rajon. Ndryshime për të arritur atë që ishte menduar e premtuar në fillim të tranzicionit, e që ende nuk ka përmbushur pritjet. Gjukanoviqi në Mal të Zi e Gjukanoviqët tjerë në vendet tjera të Ballkanit ishin dhe janë akterët kryesor, qoftë për të arriturat apo për ngecjet në këto vende. Statistikat, raportet, e studimet tregojnë se në këto vende nuk u arrit ajo që fillimisht u mendua, zhvillimi i vlerave e institucioneve demokratike e liberale. Dhe për këtë të parët që duhet të fajësohen janë Gjukanoviqët e Ballkanit. Tre dekada ngecje në zhvillim të demokracisë e liberalizimit, kanë shndërruar Ballkanin në mundësi për rritjen e ndikimit të fuqive jodemokratike e joliberale, përfshi Rusinë në këtë rast, e cila ndër të tjera synon rritjen e ndikimit në këtë pjesë për t`i shtuar muskujve të saj në arenën globale, dhe për të minimizuar rolin e fuqive demokratike si SHBA e BE. Nga kjo premisë, futja e Dritanit në qeveri pro-serbe kërcënon direkt zhvillimet pro demokracisë e liberalizimit në vend e rajon. Por, edhe politikat e qasja e papërgjegjshme e çoroditur e Gjukanoviqëve të Ballkanit, që kanë penguar zhvillimin e vlerave demokratike e liberale në këto vende, e vështirëson lidhjen e Ballkanit me botën demokratike e liberale, përderisa mungon zhvillimi i këtyre vlerave në shoqëri që është e domosdoshme, për një lidhje të qëndrueshme të vendeve e shoqërive tona me botën demokratike e liberale.

Megjithatë, një qeveri por-serbe do të ishte edhe më e rrezikshme. Në një vend ku rezultati i përqindjes së forcave në referendumin për pavarësi ishte shumë i ngushtë, e që tregon një qëndrueshmëri jo aq stabile të vet pavarësisë së shtetit, do të kanoste vet ekzistencën e Malit të Zi, dhe stabilitetin e qëndrueshëm të rajonit. Kjo do të ishte asgjë tjetër përveçse fitore direkte për Serbinë dhe Rusinë. Qasja parimore e të gjelbërve Evropian, dhe e Dritanit e partisë së Dritanit, në Mal të Zi e rajon, për emancipim demokratik e liberal, është e nevojshme të pasurohet me njohjet për ambiciet gjeopolitike në rajon të fuqive jodemokratike si Rusia. Anashkalimi i këtij fakti në Mal të Zi e rajon nga të gjelbërit mund të konsiderohet si naivitet në politik, i kushtueshëm madje për vet vlerat që përfaqësojnë të gjelbërit. Fati i demokracive të ish-Republikave Sovjetike nën ankthin e vazhdueshëm nga Rusia, do të duhej të ishte argument i mjaftueshëm për të gjelbërit Evropian, kur kanë të bëjnë me rastet ku ambiciet ruse janë të përfshira.

Kjo nuk do të duhej të merrej si komoditet nga Gjukanoviqi e Gjukanviqët e Ballkanit, por do të duhej të ishte alarm për ndryshim kursi e qasje, drejt asaj që ishte menduar fillimisht, demokracisë e liberalizmit. Përndryshe, rrezikojmë më shumë se kurrë të humbasim madje edhe këtë lloj demokracie ku e mira publike shihet jo më shumë se kumbulla kopshti të stërgjyshit të Gjukanovicëve të Ballkanit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Donny van de Beek edhe zyrtarisht është futbollist i Manchester…