Ferizaj bëhet gati për “Ditët e Kulturës”

29 maj 2018 | 17:54

Në Komunën e Ferizajt  të mërkurën do të fillojnë “Ditët e Kulturës Ferizaj 2018”, një eveniment i kulturës i cili për disa ditë para ferizajasve do të ofrojë shumë aktivitete kulturore.

Këto aktivitete organizohen nën përkujdesjen e kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu. Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Xhemile Murati-Shabani, ka thënë se hapja solemne e “Ditëve të Kulturës” do të bëhet me Festivalin e Fëmijëve “Fëmijët e gëzuar”.

Ky festival do ta shënojë edhe 30-vjetorin e themelimit. “Artdashësit dhe dashamirësit e kulturës kanë një rast të mirë të njihen me rrjedhat e krijimtarisë kulturore dhe t’i shijojnë ato vlera që po krijohen në këtë mjedis”, ka thënë Murati-Shabani.

Ndërsa drejtori i festivalit “Fëmijët e gëzuar”, Nazmi Aliu, ka bërë me dije se në këtë festival konkurrenca ka qenë e jashtëzakonshme, ndërkaq nga juria profesionale janë zgjedhur edhe këngët konkurruese. Manifestimi “Ditët e kulturës” do të mbahet deri më 12 qershor.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë në Komunën e Drenasit…