Feronikeli dhe Prishtina kërkojnë titullin

19 maj 2019 | 11:45

Skuadrës së Feronikelit, përveç fitores, i mjafton edhe barazimi në ndeshjen e fundit të kampionatit ndaj Prishtinës që të shpallet kampione e Superligës, kurse skuadrës “bardhekaltër” i duhet fitorja nëse dëshiron ta sjellë trofeun në kryeqytet. Përballja në mes këtyre dy klubeve zhvillohet të dielën në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.

Titulli i kampionit në IPKO Superligën e Kosovës në futboll për edicionin 2018/2019 do të vendoset nesër (e diele) në ndeshjen që zhvillohet në Drenas në mes të Feronikelit dhe Prishtinës. Të dyja skuadrat kanë pasur një ecuri fantastike në kampionat, duke dominuar gjatë gjithë kohës dhe aktualisht Feronikeli është në pozitën e parë me dy pikë më shumë se Prishtina. E vetmja skuadër që i rivalizoj deri në fund këto dy skuadra ishte Llapi i Tahir Batatinës, kurse Drita që është kampione në fuqi nuk tregoi aspak ‘forcë’ për ta mbrojtur titullin e fituar një vit me parë.

Futbollisti Përparim Islami ka thënë për gazetë se “jemi shumë afër titullit të kampionit. Assesi nuk bën të gabojmë në ndeshjen e fundit. Pozitiv për ne është fakti se kemi në opsion dy rezultatet: fitoren dhe barazimin. Ne futbollistët jemi të gatshëm të luajmë ashtu siç kemi bërë deri tash dhe ta përmbushim objektivin në kampionat duke e fituar trofeun”, ka thënë Islami.

Ndërsa trajneri Zekrija Ramadani ka konfirmuar se skuadra e tij në këtë ndeshje do të luajë futboll sulmues ashtu siç bëri gjatë gjithë kampionatit. Ndërsa sulmuesi i Prishtinës, Basid Khalid, për faqen e klubit ka thënë se ndeshja në Drenas do të jetë e vështirë, por se Prishtina do të luftojë shumë për fitore dhe në fund do të shpallet kampione.  “Ndeshja e fundit do të jetë e vështirë, Feronikeli është ekip i mirë, por ne nuk do të shkojmë të fjetur. Thjesht, na duhet fitorja dhe për të duhet luftuar”, ka thënë Khalid.

Interesante do të jetë edhe gara për mbijetesë ku tri skuadra, Flamurtari, Drenica dhe Ballkani, do të tentojnë të mos bien në pozitat e barazhit, derisa Trepça ’89 dhe Gjilani shpresojnë se do t’i fitojnë ndeshjet e fundit dhe mbijetesën ta sigurojnë drejtpërdrejt. Dy skuadrat që bien drejtpërdrejt nga Superliga janë Liria e Prizrenit dhe KEK-u.

IPKO Superliga

Të dielën takohen:
Ferizaj – Gjilani
Trepça ’89 – KEK-u
Feronikeli – Prishtina
Flamurtari – Llapi
Ballkani – Drita
Liria – Drenica

Tabela

  1. Feronikeli      32 77 pikë
  2. Prishtina        32 75
  3. Llapi               32 69
  4. Drita               32 48
  5. Ferizaj            32 43
  6. Flamurtari     32 42
  7. Drenica           32 40
  8. Ballkani          32 40
  9. Trepça ‘89      32 39
  10. Gjilani             32 38
  11. Liria                 32 28
  12. KEK-u              32 1

/Veton ZYMBERI/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
PROMEMORIE! (Në 20-vjetorin e Betejes së Koshares) Nga: Hisen Berisha…